Kryeparlamentarja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar një padi ndaj një kolegut të saj të partisë duke pretenduar se është kërcënuar fizikisht në seancën e së premtes. Xhavit Ukaj nga LDK-ja thotë se Osmani tashmë ka provuar se i takon Lëvizjes Vetëvendosje.

Një seancë plenare në Kuvendin e Kosovës ku pritej të rishikohej projektbuxheti aktual përfundoi të premten mbrëma me kryeparlamentaren Vjosa Osmani në ambientet e policisë.

Osmani e grupimit “Lidhja Demokratike e Kosovës” njoftoi se ka kallëzuar kolegun e partisë, Xhavit Ukajn, për kërcënimin fizik dhe gjuhën e turpshme të përdorur ndaj saj për shkak të detyrës.

Përplasja mes dy politikanëve u provokua në orët e mbrëmjes nga replikat me zë të lartë mes deputeteve të opozitës, Fitore Pacolli nga Vetëvendosja dhe Ganimete Musliu nga PDK-ja.

Pështjellimet në sallë u shtuan kur deputeti Ukaj u ngrit dhe lëshoi një frazë ndaj kryeparlamentares se po mbante qëndrim miqësor ndaj opozitares së Vetëvendosjes.

Osmani paralajmëroi nxjerrjen e tij nga salla duke i bërë shenjë me gishtin tregues, sjellje që irritoi dhe shtyu kolegun e saj t’i afrohet me rrëmbim podiumit të kryeparlamentares.

“Ndaj deputetit që më ka kërcënuar fizikisht dhe me gjuhë banale të paprecedent për një institucion si Kuvendi, kam hapur rast në polici. Shpresoj që organet e rendit të merren sa më shpejt me këtë rast, ndërkaq nuk lejoj asnjë person të papërgjegjshëm të më pengojë në kryerjen e detyrës zyrtare në përputhje me rregulloren e Kuvendit,” reagoi Osmani në Facebook pas situatës.

Incidentin e përcolli edhe Instituti Demokratik i Kosovës, i cili monitoron punën e Kuvendit, duke dënuar gjuhën dhe sjelljet joparlamentare ndaj kryetares Osmani.

Diskutimet për projektbuxhetin e Kosovës janë njoftuar se do rinisin sërish të hënën në orën 14.

Lëvizja Vetëvendosje ka shprehur rezerva për planet e qeverisë për rimëkëmbjen ekonomike, ndërkohë që grupimi tjetër i pakicës në vend, demokratët e Kadri Veselit, kanë paralajmëruar se do e votojnë nismën e qeverisë e cila ndër të tjera parashikon edhe një pako emergjente fiskale me vlerë rreth 180 milionë euro për punëtorët që kanë humbur vendin e punës, pas shpalljes së masave për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Nga Pakoja fiskale deri më tani janë shpenzuar 80 milionë euro dhe mosmiratimi i buxhetit sipas autoriteteve do të rrezikonte falimentimin e bizneseve.