Orlando dhe 4 fëmijë tani mund të dëgjojnë, realizohet implanti koklear në QSUT

Orlando dhe 4 fëmijë tani mund të dëgjojnë, realizohet

Për herë të parë në QSUT është realizuar  implanti koklear për fëmijët që nuk dëgjojnë, me financim të plotë nga shteti.

Ndërhyrjet e rralla janë realizuar tek 5 fëmijë nga mosha 2-7 vjeç në shërbimin e Otorino-Laringologjisë në QSUT apo siç njihet si Spitali Francez, informoi ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu

“Për mua është ndër lajmet më të gëzuara që ja mbërritëm kësaj dite për të realizuar implantin koklear. Kjo është realizuar falë ekspertizës së mjekëve por edhe mbështetjes së qeverisë për sigurimin e financimit  për paketën falas të implantit koklear. Janë pesë fëmijë që do t’u rikthehet dëgjimi dhe integrohen plotësisht në jetën sociale dhe ne do të vazhdojmë ta mbështesim këtë paketë falas”, tha Manastirliu.

Orlando është djali 2 vjeçar fëmija më I vogël që kreu ndërhyrjen e rrallë.

“Faleminderit që bëtë diçka të pamundur për ne, sepse është shumë e kushtueshme, Është si një ëndërr për ne”, u shpreh nëna e Orlandos.

“Kjo është një rrugë e gjatë por kemi bërë hapin më të rëndësishëm për këta fëmijë”, tha prof. Suela Sallavaci, një prej mjekeve që kanë kryer ndërhyrjet.

“Në fakt kemi shumë vite që e presim këtë projekt të madh dhe është vërtet një arritje për shërbimin tonë. Futja e implantit koklear duket si kosto vërtet e madhe porn ë afat të gjatë jo sepse arrin të integrojë plotësisht këta fëmijë”, tha prof. Besim Boçi, shef I shërbimit të ORL.

20 fëmijë me nevoja të veçanta (shurdhësi e lindur) do të përfitojnë në vit paketën e implantit koklear (ndërhyrja dhe aparati i posaçëm që i rikthen dëgjimin). Ndërhyrja është definitive dhe arrin të integrojë plotësisht fëmijët në jetën sociale, pas një procesi të gjatë rehabilitimi. Kosto e trajtimit për çdo fëmijë është 29 mijë dollarë, e cila mbulohet 100% nga shteti thuhet në njoftimin e ministrisë së Shëndetësisë.

Shendetësi qsut implanti koklear

EMISIONET