Organizoi dasmë në lokalin e tij, në kundërshtim me protokollet e sigurisë, procedohet penalisht dhe gjobitet nga ISHSH-ja pronari i lokalit.

Ndërsa ISHSH-ja vendosi masë administrative 1.000.000 lekë, për lokalin ku mbahej dasma.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës, në vijim të kontrolleve për zbatimin e protokolleve të sigurisë nga subjektet e ndryshme, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19, proceduan penalisht shtetasin: E. K., 39 vjeç, banues në Sukth, pasi u konstatua nga shërbimet e Policisë se në lokalin në pronësi të tij kishte organizuar dasmë, duke mos respektuar distancimin  fizik ndërmjet personave, si dhe kishte prishur rendin dhe qetësinë publike me zhurmat e krijuara nga volumi i lartë i muzikës.” – njofton policia.

Shërbimet e Policisë kanë sekuestruar pajisjet që përdoreshin për të bërë muzikë në ambientin e këtij lokali.

Gjithashtu u procedua penalisht shtetasi K. B., 24 vjeç, banues në Shkallnur, Durrës, pasi në lagjen nr. 13, Shkëmbi i Kavajës, ka vendosur mbi rërë, tokë publike, një konstrukt metalik, pa lejen e organeve kompetente.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.