Negociatat e nivelit teknik mes Bashkimit Europian dhe Britanisë së Madhe nuk kanë mundur të ndryshojnë pozitat e palëve për marrëveshjen tregtare post-Brexit.

Përfaqësuesit e palëve u takuan të shtunën në Bruksel, por burimet e tyre informuan se pengesa kryesore tani mbetet e ardhmja e zonave ekskluzive britanike të peshkimit.

“Dera jonë mbetet e hapur për bisedime, por më duhet ta pranoj se do e kemi të vështirë nëse nuk ndërtojmë një urë për kapërcimin e pengesave. Ne kemi bërë shumë, dhe shpresojmë që edhe miqtë tanë në BE do të bëjnë të tyren,” deklaroi pak orë më herët kryeministri anglez, Boris Xhonson.

Britania mësohet se ka pranuar marrëveshjen që anijet nga Bashkimi Europian mund të vazhdojnë ta shfrytëzojnë detin e saj për arsye peshkimi, por pikat që ndajnë palët kanë të bëjnë me kohëzgjatjen e marrëveshjes, me sasinë dhe llojet e peshqve që do të lejohet të kapen nga vendet e BE-së, dhe në çfarë gjerësie detare anijet do të lejohet të operojnë.

Largimi pa kompromis i Britanisë shihet më problematik veçanërisht nga bizneset e sektorit në vendet fqinje anëtare të BE-së, si Franca, Holanda dhe Belgjika.

“Anijet holandeze këtu zënë 70 për qind të peshqve në ujërat britanikë. Thjesht, nëse nuk ka marrëveshje, kompanitë do të humbasim 70 për qind të xhiros, dhe kjo do i rrënojë.”

“Kemi 140 vite si kompani në Detin e Veriut. Peshkatarët holandezë peshkojnë këtej për 400 vite apo më gjatë, dhe ne duam të vazhdojmë ta bëjmë edhe për 400 vite të tjera.”

Parlamenti Europian ka vendosur mesnatën e së dielës si afat përfundimtar për marrëveshjen me palën britanike, për t’u dhënë kohë eurodeputetëve që ta ratifikojnë atë para fundit të vitit.

Përndryshe, nga 1 janari 2021, rregullat e import-eksportit mes dy palëve do i përcaktojë Orgnizata Botërore e Tregtisë, ndërhyrje që do të sillte rritje të çmimet në të dyja territoret.