Opozita e Bashkuar letër ministrit Çuçi: Të zgjatet deri më 30 prill afati për dokumentet biometrike

Opozita e Bashkuar letër ministrit Çuçi: Të zgjatet deri

Opozita e Bashkuar i ka dërguar sot një letër ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi, kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi, kryetarit të KQZ, Ilirian Celibashi dhe për dijeni ambasadorëve të ShBA, BE, OSBE, ku kërkohet shtyrja e afatit të kartave të identitetit dhe pasaportave biometrike deri me 30 prill 2021.

Përmes letrës, Opozita e Bashkuar i kërkon ministrisë së Brendshme marrja e masave për shtyrjen e afatit të vlefshmërisë së dokumenteve të identifikimit të shtetasve shqiptarë, deri më 30 Prill 2021.

Letra, që është firmosur nga Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ngrihet shqetësimi për konststimin e një numri të madh të shtetasve shqiptarë të cilëve u ka përfunduar afati i vlefshmërisë së letërnjoftimit elektronik dhe pasaportës biometrike dhe që janë në pamundësi, përfshirë atë ekonomike për ta rinovuar atë.

LETRA E PLOTË:

Letra e plotë

Drejtuar: Z. Bledi Çuçi

Ministër i Punëve të Brendshme

Për dijeni: Z. Gramoz Ruçi

Kryetar i Kuvendit

Z. Ilirjan Celibashi

Komisioner Shtetëror i Zgjedhjeve

Në vëmendje: Ambasadës së SHBA-së në Tiranë

Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë

Ambasadave të vendeve anëtare të BE-së në Tiranë

Zyrës së OSBE-së në Tiranë

Zyrës së Këshillit të Europës në Tiranë

Objekti: Kërkohet marrje masash për shtyrjen e afatit të vlefshmërisë së dokumenteve të identifikimit të shtetasve shqiptarë, deri më 30 Prill 2021

Zoti Ministër,

Me shqetësim kemi konstatuar një numër të madh të shtetasve shqiptarë të cilëve u ka përfunduar afati i vlefshmërisë së letërnjoftimit elektronik dhe pasaportës biometrike dhe që janë në pamundësi, përfshirë atë ekonomike për ta rinovuar atë. Sipas informacioneve zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile janë në total 1,062,000 shtetas të cilët rrezikojnë të mos votojnë në datën 25 Prill 2021 për shkak së dokumenti i tyre i identifikimit ka skaduar apo skadon deri ditën e zgjedhjeve.

Siç jeni në dijeni, Opozita e Bashkuar ka bërë thirrje të shpeshta drejtuar shtetasve shqiptarë, për t’i sensibilizuar për nevojën e rinovimit sa më shpejt të dokumentave të identifikimit. Por, të ndodhur përpara kohës tejet të shkurtër në dispozicion dhe varfërisë ekstreme të shumë qytetarëve që i ka mbaruar afati i vlefshmërisë së dokuementeve të identifikimit, besojmë se ka ardhur momenti për marrjen e masave nga ana e Qeverisë për të garantuar një zgjidhje të vërtetë dhe gjithëpërfshirëse të kësaj problematike me impakt direkt në procesin zgjedhor.

Në këtë drejtim, Qeveria dhe Kuvendi i Shqipërisë, duhet të nisen nga mbrojtja e interesit të qytetarëve dhe nevoja për të garantuar të drejtën e tyre kushtetuese për të zgjedhur, pa asnjë pengesë joproporcionale. Në mungesë totale të politikave inçentivuese të Qeverisë dhe subvencionin e pagesës së rinovimit të dokumenteve identifikuese për shtresat në nevojë, jemi përpara situatës që Partia Socialiste kur ishte në opozitë e quante “taksa e votës”, që në këtë rast bëhet realisht e tillë nëse mbajmë në konsideratë faktin që çmimi i letërnjoftimit elektronik dhe pasaportës biometrike është rritur me 50 përqind, dhe në ndryshim nga praktika e mëparshme, Qeveria aktuale nuk subvencionon asnjë shtetas të vetëm në Republikën e Shqipërisë, në rinovimin apo pajisjen me dokument identifikimi.

Për këtë arsye, në emër të Opozitës së Bashkuar, kërkojmë nga ana juaj, marrjen e masave të njëjta me ato të ndërmarra me ligjin nr. 11/2019, datë 05.03.2019 “Për një shtesë në Ligjin nr. 8952, datë 10.10.2002 “Për letërnjoftimin elektronik të shtetasve shqiptarë” të ndryshuar”, ku për shkak të zgjedhjeve lokale u vendos shtyrja e vlefshmërisë së dokumenteve të identifikimit. Për shkak të natyrës urgjente ndërhyrja mund të bëhet me Akt Normativ, ku të parashikohet një dispozitë tranzitore në ligjin nr. 8952/2002, me përmbajtje si vijon: “Afati i vlefshmërisë së letërnjoftimeve elektronike të shtetasve shqiptarë, të cilat janë lëshuar nga data 9.2.2009 dhe që përfundojnë brenda datës 25 Prill 2021, zgjatet deri në datën 30 Prill 2021.”.

Kjo masë nuk duhet të ndalë nxitjen tonë të përbashkët për shtetasit shqiptarë që të bëjnë rinovimin e dokumenteve të tyre të identifikimit. Mirëpo për efekt të garantimit të të drejtës kushtetuese për të zgjedhur, shtyrja e afatit të vlefshmërisë është një masë proporcionale dhe e domosdoshme, që duhet të ndërmerret pa vonesa të metejshme në funksion të garantimit të një procesi zgjedhor të aksesueshëm nga çdo qytetar me të drejtë vote.

Në pritje të një reagimi të shpejtë, pozitiv dhe konstruktiv nga ana juaj,

NË EMËR TË OPOZITËS SË BASHKUAR:

GAZMENT BARDHI

Sekretar i Përgjithshëm

Partia Demokratike e Shqipërisë

Vendi Lajme bledi cuci Politikë gazment bardhi opozita e bashkuar Aktualitet letra karte identiteti

EMISIONET