Veliaj në betejë, për allatet e Ramës

Veliaj në betejë, për allatet e Ramës

Erion Veliaj nuk është rrugaç. Ai nuk është as i fortë dhe as “danoç Tirone”, me gjithë sforcimin për të folur me slang tirons prej urëvajgurori.

Për hir të vërtetës, duhet thënë se Erion Veliajt nuk i kanë dalë as lidhje me banditë apo kriminelë, një tipar dallues ky i organizatës së Rilindjes.

Veshja gjuhësore që ai përdori në takimin e famshëm kundër Dukës, nuk përputhet me thelbin e tij.

Kompleksi i “çunit të mamit” nuk shërohet nga dendësia e përmendjes së organeve gjenitale vend e pavend. Shkurt, ai përgjim që dëgjuam të gjithë nuk i shkon Erion Velisë, ai nuk është Erion Velija.

Po atëherë pse u detyrua kryetari i bashkisë të dalë nga vetja dhe të luajë një rol që nuk i përshtatet aspak?

Nuk ka dyshim, që lufta për të rrëzuar Armando Dukën nga kryetar i FSHF, është sfida e Edi Ramës dhe jo e medemek aksionerit të Tironës, që përfaqësohet nga kreu i bashkisë.

Për arsye që kuptohen por edhe për të tjera që ende janë një mister, kryeministri ka vendosur të fusë në dorë edhe “ishullin e fundit” që i ka dalë jashtë kontrollit.

Edi Rama ka qenë një mik i Dukës, madje dhe i afërt. Ai nuk ka lënë rast pa dalë në krah të tij, sidomos kur ekipi kombëtar ia doli të kualifikohej për Euro 2016.

Mjafton një rifreskim i memories për të risjellë imazhet kur kryeministri dizajnonte me “doçkat e tij” bluzën e Kombëtares, priste ekipin në kryeministri, përqafohej me Dukën dhe bënte batutat plot kripë me Xhani de Biazin.

Një arsye e sulmit të organizuar të Rilindjes ndaj Dukës mund të jetë edhe fakti që Rama nuk e ka më federatën një mekanizëm elektoral për ta përdorur sa herë i duhet.

Në zgjedhjet e fundit parlamentare, kreu i FSHF u rreshtua në kampin opozitar, madje duke i ndihmuar vëllait të tij që kandidonte në listën e PD për Durrësin.

Megjithatë, duke parë shproporcionalitetin e sulmit, keqpërdorimin e Velisë apo skuadriljeve të tatimeve e hetimeve, motivi politik tingëllon i pamjaftueshëm. Duhet të ketë një arsye tjetër, më të madhe, që e shndërroi këtë çështje në një luftë të këtyre përmasave.

Por cilat do qofshin arsyet, ato lidhen drejtpërdrejt me Edi Ramën. Është ky që i ka kërkuar kryetarit të Bashkisë të hidhet në sulm dhe të sigurojë votat e pashallëkut që drejton.

Dhe sigurisht, që nën ankthin e përhershëm të rikandidimit për mandatin e tretë, Veliaj nuk ka ngurruar të demonstrojë zellin e tepruar. Ai ka dashur t’i dëshmojë bosit të tij devotshmërinë për t’i shërbyer në aksionin e kapjes së FSHF.

Nuk mund të shpjegohet ndryshe që një kryetar bashkie që ul kokën dhe zërin kur shefi i kërkon të lyejë shkallët e pallatit, bëhet arrogant dhe reklamon allate hekuri në një përplasje që e paraqet si personale.

Veliaj do t’i kishte pasur vërtetë prej hekuri nëse do t’i kishte thënë jo Ramës, për të hyrë në një betejë që nuk është e tija as legalisht as moralisht.

Mirëpo cilësia e materialit të organeve në fjalë, vihet në dyshim pasi edhe në këtë rast, Erjon Velija është programuar për shërbimin e radhës. Njësoj si me Teatrin.

Për të rifituar të drejtën e kandidimit dhe për të mbajtur gjallë shpresën se një ditë do të jetë ai vetë në vend të atij që sot e urdhëron, Veliaj është i gatshëm për gjithçka. Të bëjë edhe të fortin me dialekt tirons, madje të tregojë sikur i ka të hekurta pikërisht ato që i mungojnë. 

Prandaj edhe në këtë rast, nuk është ai përgjegjësi i skandalit që po ndodh me ndërhyrjen e pushtetit në federatën e futbollit. Prapa këtij sulmi qëndron Edi Rama.

Erjon Veliaj është lëshuar në aksion me urdhër dhe i duhet jo vetëm ta zbatojë atë, por edhe të dëshmojë se i beson dhe vepron me vullnet të lirë.

Problemi i vetëm është se nga zjarri i pasionit për t’i shërbyer shefit të madh, kryetari i bashkisë i kaloi disa vija të kuqe. Jo fjalët me pullë të kuqe.

Kërcënimet në emër të drejtësisë dhe shantazhi në emër të pushtetit, në një vend normal do ta kishin vënë në diskutim mandatin e një të zgjedhuri.

Prandaj edhe shërbimi ka një masë dhe Erjon Velija duhet të bëjë kujdes për të mos djegur veten në zjarrin e pasionit spiropalist për bosin e tij.

EMISIONET