Rilindja’, pasqyrë ku Shqipëria i sheh dështimet e veta!

Rilindja’, pasqyrë ku Shqipëria i sheh dështimet e veta!

Shqipëria do e zgjedhë presidentin e radhës. Edhe atë ashtu siç mund të ndodh në shtet ku mbi të gjitha idealet, qëndron ideali i ‘xhepit’. Dhe ku zgjedhjet në përgjithësi, janë cirk qesharak, ku fëmijët mund të shohin se ku mund të të ngjitë libreza partiake, nuk mund të të çojnë aftësitë.

Pra në Shqipëri do zgjidhet presidenti, i cili do jetë pasqyrë ku kryeministri do e sheh edhe një triumf të vetin, e ku mëmëdheut do i pasqyrohen të gjithë dështimet e saj të deritanishme.

Dështime që mund t’i ndodhnin një vendi ku shumëçka të duket e veçantë, si e shkëputur nga realiteti dhe ku, edhe kur dëgjojnë se lehë e hanë mish, banorët e atyshëm nuk e besojnë se është qen, por presin këtë t’ua thotë ndonjë kryetar partie.

Dhe tani, kur të gjithë merren me parashikimet se cili do jetë presidenti i ardhshëm i Shqipërisë, është e çuditshme si askujt nuk i kujtohet ta propozojë zgjidhjen më të mirë për vendin: që Piktori me brekushe të jetë Kryeministër, e ai me qafore, President.

Po pra, Shqipëria do e zgjedh presidentin e radhës si çdoherë deri tani: duke u mbytur në zhurmën mediatike, që nuk ka për qëllim ta mbulojë e mbrojë vetëm lojën e punëdhënësve të vet - të pushtetarëve, por edhe ta varros dinjitetin dhe vetëbesimin kolektiv të popullit.

Gjë e cila në masë të madhe është arritur edhe atë, jo pse ‘zhurmaxhinjt’ mediatik i dallon mençuria e madhe, por pse ne të tjerët iu dorëzuam pritjes që të ndodh ‘përmbytja’ e madhe, e cila do i nxjerr në sipërfaqe të gjitha pisllëqet politike të ‘Shqipërive’ tona, e që pastaj, kur ‘uji’ të tërhiqet, ne të marrim pjesën tonë të fitores.

Pra çkado që të themi, Shqipëria do e zgjedh presidentin që e pëlqen Kryeministri, sepse ajo prej moti ka harruar si e pëlqen vetveten. Siç harruam shumica prej nesh se mëmëdheu doli nga mjegulla e përhimët ideologjike, që nuk lejonte atë ta shihnin të tjerët dhe, u fut në retë shumëngjyrëshe ‘hajdutokrate’, që nuk e lejojnë atë ta sheh vetveten.

EMISIONET