Realiteti i Partisë Demokratike!

Realiteti i Partisë Demokratike!

Ajo çfarë po ndodh në Partinë Demokratike nuk është diçka që nuk pritej. Pas 32 vitesh ekzistencë, dominim nga lidershipi i saj, mungesë transformimi rrënjësor, e njëjta formulë për të kënaqur militantët dhe e njëjta rrugë për t’u ngjitur në pushtet, sa herë kjo ka ndodhur, domosdoshmërisht do të prodhonte një krizë të funksionimit të saj.

9 shtatori ishte një moment i rëndësishëm për këtë forcë politike, një moment që Lulzim Basha, ndoshta nga naiviteti, ndoshta nga presioni i partnereve, një "ndoshta" që kurrë nuk do të mësohet, u kthye në një proces të rëndësishëm për këtë forcë politike. Shumë thanë që ajo lëvizje ishte një elektroshok për një parti që po i pushonte zemra e shumë të tjerë menduan se është prerje e tubit të oksigjenit.

Ne fakt, ai proces hapi për herë të parë në historinë e saj, një debat real për mënyrën se si kjo forcë është trajtuar nga lidershipi i saj. Hapi një debat, i cili ndoshta për herë të parë u transmetua aq thellë në bazë.  Ndoshta për herë të parë, baza e kësaj partie po analizon dhe po merr vendime reale për të mirat dhe të këqijat që ka prodhuar lidershipi në këtë forcë pulitke, nga Berisha deri te Basha, përfshirë në këtë mes gjithë zyrtarët e lartë nder vite.

E ky proces nuk është pak për një forcë politike!

Baza e ka analizuar dhe një pjesë e kanë pranuar që SB ka mjaft gabime në drejtimin e kësaj force politike dhe non grata nga SHBA dhe Britania po përdoret si pretekst për ta kundërshtuar, për të mos e pranuar, ashtu sikurse pjesa tjetër nuk e pranon këtë analizë dhe është në mbështetje të Sali Berishës, duke kritikuar, anatemuar e refuzuar platformën e Lulzim Bashës.  

Jo vetëm kaq! Debati që ka përfshirë këtë forcë politike, ka turbulluar ujin e ndenjur për të nxjerrë në sipërfaqe problemet reale, problemet konceptuale e ndoshta edhe morale të kësaj force politike. 

Prandaj, nga  një parti që po vdiste para 9 shtatorit, sot është kthyer në një parti brenda së cilës diçka po ndodh. Në qoftë se qendra e saj e ka përqendruar debatin në interesa  meskine personale, baza po tregohet më inteligjente, më e moralshme, më politike dhe po mendon më gjerë; po mendon të ardhmen e saj, shndërrimin e saj në alternativë fituese.

Kjo tregon diçka thelbësore, PD mbetet një parti e madhe dhe lidershipi i saj është shndërruar me më pak peshë se kurrë. Kur përmend lidershipin, këtu përfshihen nga Berisha te Basha, e nga Basha tek Alibeaj. 

Ndoshta po cenon madhësinë e saj, por kjo po shoqërohet me rritjen e cilësisë së saj. Prandaj baza po jep një mesazh për qendrën: rrituni në përgjegjësi dhe kjo forcë mund të "rithemelohet" më e fortë se kurrë. Rruga e PD-së në spektrin politik shqiptar është e gjatë. 

PD nuk po vdes, por po përmirëson vetveten!

Baza është aty: e ndarë në vlerësime, por e gatshme për të përqafuar një të ardhme te re, të fortë dhe bazuar mbi vlera. 

Prova sot është për "drejtuesit". Minimumi mund të kenë mendim politik, sa mbështetësit e tyre!

EMISIONET