Pse nuk mund te depolitizohet administrata
Pjesë nga intervista e profesor Artan Fugës për Rtv Ora me gazetaren Beti Njuma.
Në Shqipëri për faktin se ekonomia, jeta shoqërore, jeta administrative është shumë e politizuar, seç ndodh gjatë zgjedhjeve politike ka një impakt të menjëhershëm dhe të drejtëpërdrejtë te qytetari.
Nëse jeta shoqërore do të ishte e depolitizuar, ekonomia do të funksiononte më vete, shërbimet ndaj qytetarit nuk do të ishin të politizuara, karrierat nuk do të ishin të politizuara, shanset për të avancuar në karrierë nuk do të ishin të politizuara, si të bësh gazetari nuk do të ishte e politizuar, si të bësh kërkim shkencor nuk do të ishte e politizuar, si të bësh mësim nuk do të ishte e politizuar, atëherë qytetari do të ishte shumë i çliruar nga politika. Një shoqëri demokratike është atëherë kur shoqëria është e depolitizuar.
Kurse në shoqërinë tonë të gjitha këto janë në presionin e politikës sikurse arti, shkenca, kultura, ekonomia, shoqëria, tenderat. Kjo krijon një pabarazi midis shtetasve. Gjithandej ka njerëz që rendin drejt karrierës me tesera partie, të rinj që synojnë që të thonë se pa një teser partie nuk mund të bëjmë karrierë dhe të gjithë ata të tjerët që kanë bindje politike të tjera ndodhen në një presion që i bën të mos kenë të njëjtat shanse të barabarta.
*Kryeministri Rama deklaroi sot se administrata duhet të çlirohet nga kthetrat e politikës.
Më pëlqeka shumë sepse tregon atë që unë kam vite që e them, ne kemi një administratë politike dhe që në momentin që ne kemi administratë politike kjo administratë është një turmë dhe nuk është një burokraci që të shërbejë qytetarin ashtu si duhet. Mjafton të shkosh të kërkosh një shërbim dhe ti sheh shërbimin që nuk është i barabartë, nuk është transparent, është i thyeshëm para korrupsionit, bakshishit, të fortit, me një kulturë mediokre shërbimi. Meqë Kryeministri paska thënë që të shkëputet nga kthetrat e politikës tregon që parametrat matës paskan qenë të saktë por nuk mendoj që mund të realizohet sepse administrata në Shqipëri fatkeqësisht ka një funksion të dytë që është më i rëndësishëm se funksioni i parë. Funksioni i dytë është që të paguhen militantë për ti pasur si rezervë elektorale që në momentin e fundit çojnë peshore nga ana e partisë në pushtet. Nuk është sot, ka 30 vjet, por tani është bërë shumë e njohur. Një parti që çliron administratën nga politika dhe ndërton Shqipërinë është e detyruar që në zgjedhjet që shkon në të ardhmen, duke çliruar njerëzit, do të sakrifikojë pushtetin.
Ekonomia
Në Shqipëri ka shumë probleme ekonomike, që në radhë të parë kanë të bëjnë me modernizimin e ekonomisë shqiptare. Në Shqipëri ka dhjetëra mijëra mikrobiznese në fushën e tregtisë dhe është ai fenomeni urban dhe rural ku ka pafund shitore të vogla që ndajnë klientelën. Kanë shumë pak të ardhura dhe mbrapa rri një familje e tërë. Është një shtresë shumë e madhe e shoqërisë që ndodhet në këtë situatë, nuk ka fuqi akumuluese të kapitalit, nuk ka fuqi riprodhuese, nuk ka fuqi modernizuese nuk ka fuqi për të mbajtur forcat e punës të integruara. Këta quhen sikur kanë biznese por është një eufemizëm që brenda ka tragjedinë dhe komedinë. Kemi mijëra njerëz që quajnë veten biznesmenë por mbrapa është asgjë. Në fushatë elektorale këto elementë që kanë të bëjnë me risktrukturimin e ekonomisë shqiptare, modernizimin e saj, nuk hyjnë fare, as partitë nuk i propozojnë dhe as qytetarët nuk kanë vullnetin dhe energjinë për ti detyruar forcat e politike që të diskutojnë për këtë ekonomi. Krijohet një situatë stanjacioni.
Ka një gjuhë politike mediokre që ka si funksion të shtyjë sa më shumë qytetarët jashtë sferës politike, ta konsiderojnë një mekanizëm që nuk sjellë asgjë, gjithë palët janë njësoj. Është një mënyrë mbijetese që përjashton qytetarët. Kur politika nuk diskuton dot projekte të mëdha merret me cic-mice të vogla. Është një ikje nga shteti demokratik dhe ligjor.
Ka një shkarje, largim nga gjuha juridiko-politike. Po shkojmë në gjuhë që i shkon për shtat shteteve orientale, despotike. Nuk më duket se i shkon shoqërisë shqiptare kjo gjë. Jemi në një situata ekonomike ku nga njëra anë kemi shpenzime faraonike dhe një gjigandomani në infrastruktura materiale dhe në anën tjetër investime shumë të vogla kapitale të cilat japin atë ekonominë pas banakut, burrit dhe gruas të shkretë që thotë jam biznesmen.