Përmendoret qesharake!

Përmendoret qesharake!

Tash që festat e improvizimet për shënimin e 25-vjetorit të çlirimit të Kosovës mbaruan, a ka një deputete apo deputet të guximshëm që merr iniciativën për propozimin e një ligji që ndalon ndërtimin e përmendoreve pa miratimin e një komisioni nacional të përbërë nga profesionistë të vërtetë?

Përmendorja e Bill Clintonit në Prishtinë është punim katastrofal sa i përket anës artistike.

Përmendorja e Tony Blair në Ferizaj është punim katastrofal sa i përket anës artistike. Ibrahim Rugova para Katedrales së Prishtinës: i madhi zot – tmerr përtej tmerrit!

Qindra përmendore luftëtarësh të luftës çlirimtare janë punime tmerrësisht të dobëta, andaj janë edhe fyese ndaj atyre personaliteteve që pretendohet se po nderohen.

Jo, jo, jo, nuk po i nderoni, po i fyeni, po i pështyni! Drejt në fytyrë! Kosova po shndërrohet në një fabrikë përmendoresh qesharake, një film vizatimor absurd ku çdo i çmendur për të treguar gjenialitetin e vet të rrejshëm çohet skalit buste e përmendore që më shumë janë pështymë mbi çdo vlerë. Krim mbi historinë tonë.

Krim mbi sakrificën. Krim mbi pamjen estetike. Krim mbi pamjen artistike.

Mediat ndërkombëtare janë tallur qëmoti me shumicën e përmendoreve të Kosovës. Tash edhe shtypi britanik bën hajgare me Tony Blairin e Ferizajt.

A ka vërtet një deputete, një deputet që del e thotë: do të luftoj për një ligj që lufton këtë fushatë primitive të përmendorizimit të Kosovës me gjysmagjela?

Ky turbofolk duhet të marrë fund. Sa vota i merr në zgjedhjet e ardhshme Partia Kundër Përmendoreve Qesharake?

EMISIONET