Para bravave ose pas bravave: Bravo!

Para bravave ose pas bravave: Bravo!

Para bravave ose pas bravave: Bravo!
-----------------------
- Ju na sulmuat për të ushtruar dhunë dhe për të na goditur dhe zaptuar ndërtesën me forcë! Demokratët jemi ne!
- Ju na goditët me mjete të forta dhe me gazra, duke mbajtur me dhunë një ndërtesë që nuk ju takon! Demokratët jemi ne!

Kështu përfundoi ngjarja në teatrin e betejës së Kazakistanit në 8 janar buzë Lanës.
Me këto akuza, pa gjetur kurrë fundin, në mënyrë dikotomike, kanë përfunduar tash 30 vjet betejat politike në Shqipëri. Pa fillim dhe pa fund.

Qytetari rrotullon kokën dhe gjen simetrinë e argumenteve ku gjysma e së vërtetës është andej dhe gjysma këndej. E pavërteta gjithashtu!

Tani ajo që duhet shtuar në statutin e partisë është :

"Debatet dhe alternativat demokratike brenda partisë zgjidhen me mjete sa më paqësore, të emancipuara dhe efikase: Mund të përdoren varé, gazlotësjellës, goditje me shkelma dhe me karrike, thirrje të policisë dhe në raste flagrante edhe me thirrje të forcave të shqiponjave, duke provokuar kundërshtarët me gjithçka mundet, dhe argumentet më të mira janë kush vendos dyer metalike më të forta përballë çekiçeve më të fortë nga jashtë. Fiton ai që ka kafkën më të fortë!

Rrugëkalimet e debatit janë dritaret, korridoret, hollet, nevojtoret si edhe kafenetë anash ndërtesës. Në fund përfundimet i bën makina e ujit e policisë ose bashkia Tiranë duke mbledhur plehrat që mbulojnë debatin demokratik."

Sa kohë që partitë janë staliniste, sa kohë që militantët përdoren si mish për top, sa kohë forumet e partisë ose qendrojnë prapa bravave pa çelësa ose prapa çelësave kopilë, aq herë demokracia shqiptare do të marrë grushte si këto.

Jo në qafë, dhe në ballë, po drejt e në zemër. Ka grushte që shihen, ka dhunë që nuk shihet, dhe kjo e dyta bën përgjegjës të gjithë ata që militojnë në politikë dhe nuk demokratizojnë politikën!

Por edhe ne qytetarët, mediat, shoqërinë civile, intelektualët që nuk kontribuojmë për një shoqëri të civilizuar duke mbetur viktima dhe robër të dhunës, korrupsionit, propagandës që kërkon të na rreshtojë ose para bravave ose pas bravave.

Bravo!

Ja njeriu fëmijë!

EMISIONET