"Obobo dritat!" Borxhet dhe kriza energjetike priten të sjellin një dimër të errët për shqiptarët
Ministrja belge e Energjisë, Tinne Van der Straeten paralajmëroi pak ditë më parë se vendet e BE-së do të përballen me pesë deri në 10 dimra të tmerrshëm nëse nuk bëhet asgjë për të ulur çmimet e gazit natyror. Belgjika ka varësinë më të madhe nga gazi rus, nga të 27 shtetet e BE-së. Kryeministri i Shqipërisë kërkoi ndihmën e Bashkimit Evropian për këtë dimër të vështirë që po afrohet. Por kjo ndihmë si zor të vijë. Pse?
Dimri (energjitik) i vetmisë së madhe
Përpara shpërthimit të luftës në Ukrainë nga agresioni rus, Evropa Perëndimore siguronte 40 përqind të nevojave të saj për energji nga gazi dhe nafta ruse. Përpara 24 shkurtit 2022, Gjermania furnizohej nga Rusia me 165 milionë metër kub gaz natyror në ditë. Me hyrjen e sanksioneve kundër Rusisë, Gjermania nisi të blinte më pak.
Mirëpo çmimi i gazit natyror në tregjet ndërkombëtare u rrit me shpejtësi. Rusia nisi t’u shesë më shumë gaz vendeve si Kina dhe India. Më 31 gusht 2022, gazi natyror kushtonte 283 euro per magavat-ore, ose 12 herë më shumë se në mars 2021. Ndërkohë, për shtatëmujorin janar-korrik 2022, GazProm, kompania shtetërore ruse që shet gazin natyror (Rusia është eksportuesi më i madh botëror i gazit natyror), doli me një bilanc 41 miliardë euro fitim.
Putin u ndje i fortë dhe menjëherë nisi pengesat e furnizimit me gaz për vendet anëtare të Bashkimit Evropian. Nga 27 korriku 2022, Rusia i uli në mënyrë drastike, me katër të pestat, milionat e metrave kub gaz ndaj vendeve të BE-së, përmes gazsjellësit Nord Stream 1, kanalit kryesor që ky vend i shet energji Evropës. Megjithatë, deri më 31 gusht 2022, Gjermania arrinte të blinte 33 milionë metra kub gaz natyror nga Rusia. Tani nuk blen më asnjë metër kub. Shkaku, thotë GazProm, është një defekt teknik i gazsjellësit Nord Stream 1. Në të vërtetë, Putin, me fitimet kolosale të marra prej GazProm nga shitjet e gazit Kinës dhe Indisë, planifikon të mos i shesë gaz natyror fare vendeve të Bashkimit Evropian, për t’i detyruar të pakësojnë ose ndërpresin ndihmat ushtarake ndaj Ukrainës, në këmbim të miliona metrave kub furnizim me gaz në ditë.
Në këto kushte, vendit tonë si zor t’i vijë ndihmë me furnizim me energji elektrike nga ana e 27 vendeve të Bashkimit Evropian. Jemi sërish të vetëm, si në kulmin e pandemisë së Covid-19, në janar 2021, kur nuk kishim mundësi të merrnim vaksina për të shpëtuar njerëzit tanë. Tani duhet të shpëtojmë ekonominë tonë dhe familjet tona nga pandemia energjitike, nga errësira e netëve pa drita të dimrit 2022-2023. Si do ta bëjmë?
Energjia elektrike në qiell!
A. Çmimi mesatar i energjisë elektrike në tregjet ndërkombëtare:
- Gusht 2021: 78 euro/MWh
- Shtator 2022: 646 euro/MWh
Rritje me 9 herë!
B. Çmimi i energjisë për 7440 biznese me tension të mesëm:
- Dhjetor 2021: 11.2 Lek/kWh
- Janar-shtator 2022: 18.8 Lek/kWh
Rritje me 53 % për vitin 2022
Parashikimet e çmimeve të energjisë
Më datën 10 shtator 2022, çmimi ndërkombëtar ishte 557 Euro/MWh në baseload(kohën bazë), ndërsa në peakload(kohën e pikut) ishte 612 Euro/MWh.
Pritshmëria nga të gjithë ekspertët e tregut energjitik dhe nga vetë shtetet anëtare të BE-së, është që për muajt në vazhdim, çmimet do të vijojnë në këtë situatë të jashtëzakonshme.
Sipas bursës hungareze “Hupx”, energjia për muajin tetor 2022(energjia blihet më përpara me kontrata të quajtura “futures”) e ka çmimin 692 Euro/MWh. Tremujori i fundit i vitit 2022 është në çmimin “futures” 582 Eur/MWh dhe viti 2023 po shitet aktualisht në vlerën 514 Euro/MWh.
Tek ne, çmimi i shitjes së energjisë për klientët fundorë familjarë dhe bizneset e vogla, të furnizuara nga ana e Furnizuesit të Shërbimit Universal(FSHU), strukturës në shtet që shet energjinë elektrike, ka mbetur i pandryshuar, në krahasim me çmimin përpara shpalljes së gjendjes së emergjencës. Është vetëm 9.5 lekë për kilovat/orë. Qeveria është e vendosur ta mbajë me çdo kusht këtë çmim. Ndërkohë, çmimi i energjisë elektrike në tregjet ndërkombëtare është rritur me afro gjashtë herë më shumë brenda një viti, nga 74 Euro/ MWh që ishte në gusht 2021.
Nevojat tona për energji
Të dhënat për nevojë për energji për klientët fundorë(qytetarët dhe bizneset) për vitin 2022, janë si në tabelën më poshtë:
Sasia totale e energjisë elektrike
Energjia e kërkuar nga FSHU për t’u shitur - 5,403,282 MWh
Energjia e parashikuar për t’u prodhuar nga KESH - 3,530,340 MWh
Energjia për t’u blerë nga importi - 1,556,142 MWh
Qeveria parashikoi në buxhetin e vitit 2022 një fond prej 20 miliardë lekësh për të përballuar krizën energjitike, ose 170 milionë euro. Mirëpo ky fond ka qenë parashikuar për një çmim mesatar blerje energjie rreth 200 Euro/MWh. Ne kushtet aktuale, kur çmimi është pothuaje gati 600 Euro/MWh, janë edhe mbi 30 miliardë lekë shtesë që duhen gjetur. Por edhe sikur me sakrifica, të mund të gjenden një pjesë e këtyre fondeve, në tregjet ndërkombetare, në Bursën hungareze për shembull, që është referenca më e afërt, mund të mos ketë energji elektrike për t’u shitur, aq sa do të kemi nevojat ne! Prandaj dhe e kemi domosdoshmëri të shikojmë burime alternative, për të siguruar energjinë që na mungon.
Përgatitjet tona për emergjencën energjitike vjeshtë-dimër. Do mjaftojnë?
Kryesorja tani është gjetja e burimeve alternative dhe mekanizmave për të siguruar prodhim shtesë të energjisë elektrike. Për këtë, qeveria ka porositur dy anije lundruese Termocentrale (të quajtura barxhe), të cilat kanë mbërritur në Gjirin e Vlorës dhe do të instalohen në Triport të Vlorës.
Ato kanë një kapacitet 114 MW dhe nga prodhimi i tyre pritet që të ketë një zbutje të konsiderueshme të nevojës për import. Është e vërtetë, janë teknologji e vjeteruar. Por këto ditë i kanë kërkuar shtetet shumë më të fuqishme se ne dhe nuk i kanë marrë dot.
Sado të kushtojë prodhimi i megavat/orës prej tyre, kosto e këtij prodhimi është gjithnjë tre herë më e lirë se kosto e blerjes së megavat/orës nga importi. Nga ana tjetër, të tilla anije lundruese ka pak në botë. Ja përse shumë vende evropiane kanë kërkuar t’i kenë, por nuk kanë mundur të gjejnë.
Kjo masë e jashtëzakonshme e qeverisë shqiptare është në linjë me gjithë masat e përkohshme që po marrin shtetet anëtarë të Bashkimit Evropian dhe jo vetëm, për përballimin e krizës.
Nuk kursejmë hiç!
Ndërkohë, në këto ditë me të nxehtë afrikan, kondicionerët bëjnë që energjia elektrike tek ne të harxhohet përditë gati po aq sa në ditët më të ftohta të janarit dhe shkurtit.
Vetëm në tre javet e para të korrikut, qeveria ka paguar afro 62 milionë euro për energjinë që na nevojitet dhe e siguron nga jashtë. Importojmë 2.5 milionë euro në ditë! Nëse vazhdojmë kështu, do na duhen edhe 560 milionë euro importe deri në fund të vitit! Nuk i kemi! Ja përse kryeministri paralajmëroi në korrik 2022, sikurse bëri më 3 tetor 2021.
Qeveria ka apeluar për të kursyer energji në vend, por ne nuk kemi kursyer hiç!
Energjia elektrike: sa humbim dhe sa vidhet
Humbjet teknike:
1. Mesatarja e humbjeve teknike në botë: 5%
2. Humbjet teknike në Shqipëri: 13.7%
Humbim afro 3 herë më shumë se bota. Diferenca janë 126 mln euro importe më shumë!
Humbjet jo-teknike(vjedhjet):
3. Mesatarja e humbjeve jo-teknike në botë: 2%
4. Humbjet jo-teknike në Shqipëri: 6.3%
Humbim mbi 3 herë më shumë se bota. Diferenca janë 72 mln euro importe më shumë!
Jo vetëm nuk kursejmë, por e harxhojmë energjinë elektrike si sheikët. Ndërkohë që jemi të krimbur e mbytur në borxhe nga brenda sistemit tonë energjitik.
Borxhet e frikshme të sistemit energjitik
Borxhi total qe OSHEE, KESH dhe OST kanë ndaj njera-tjetrës:
- Viti 2017: 617 milionë euro
- Viti 2019: 910 euro/MWh
- Viti 2021(jo zyrtare) mbi 1 miliardë euro!
Sipas ERE, në pesë vitet e fundit 2017-2021, borxhi i tre kompanive publike të energjisë (KESH, OSHEE dhe OST) u rrit me 67.4 përqind
Rreth 20 përqind e energjisë tek ne konsumohet pa kriter dhe mund të ishte kursyer tashmë. Kjo do të thotë se me papërgjegjshmërinë ekstreme, si vend “djegim kot” të paktën 240 milionë euro energji në vit. Duke filluar nga dritat nëpër rrugë, që në fundjavë punonjësi i bashkisë i “harron” t’i fikë, edhe kur drita e diellit hyn që në pesë të mëngjezit, dhe shpesh i lë ndezur deri në dhjetë të ditës! Duke vazhduar me kondicionerët nëpër zyrat e shtetit që ftohin dhoma e korridore edhe kur ato janë bosh!
Administrata jonë do të zerë mend nga keqtrajtimi i energjisë elektrike, vetëm kur pakujdesitë dhe papërgjegjësitë e saj të gjobiten nga sanksione shumë të rrepta, të vendosura me ligj. Ligji për energjinë duhet të ndryshojë urgjentisht, pasi nuk ka më kohë.
“Obobo dritat!”
Mund të mos bjerë shi deri në fund te tetorit 2022 dhe të shohim sërish shi dendur vetëm në nëntor. Ç’do të bëjmë? Mund edhe të kemi sërisht simfoni gjeneratorësh nëpër rrugët dhe pallatet tona, si në vitin e largët 2006. Errësira po afrohet.
Nëse nuk i vëmë mend kokës dhe të nisim të kursejmë këtë energjinë që si konsumatorë ende e paguajme kaq lirë. Ka 11 mënyra të thjeshta për të kursyer deri në 25 përqind të energjisë që si konsumatorë paguajmë. Nga mos harrimi i derës hapur të frigoriferit, tek moslënia që të krijohen shtresa akulli brenda tij, apo tek moslarjet me lavatriçe kur nuk ke mbushur kazanin me rroba. A do të fillojmë ndonjëherë të mendojmë për shtetin si për shtëpinë tonë? Deri kur të nisim të mendojmë kështu, rrezikojmë që për këtë dimër të themi vetëm: “Obobo, na ikën dritat!”.