Nostalgji dhe mirënjohje
Duke rrëmuar ndër dosjet e mia të shumta, gjeta edhe një foto të 35 viteve më parë, këtë që po e publikoj.
Është një kujtim i bukur dhe shumë emocionues.
E kam dhuratë nga njëri prej mjeshtrave të fotografisë në Shkodër, prej të kudogjendurit dhe paharruarit Angjelin Nenshati.
Është bardhë e zi, si koha kur është bërë.
Duke e parë ndjeva mall, nostalgji, emocion. Por, edhe mirënjohje për të gjithë ata që janë në këtë foto, dhe jo vetëm.
Edhe për shumë të tjerë, për të gjithë veprimtarët e Klubit të Rinisë “Heronjtë e Vigut” në Shkodër e për zotni Nardin, për Nard Bushatin, mirësia dhe dashuria e të cilit na bënte dhe na mbante bashkë.
Për të mos e mbajtur për vete as mallin dhe as emocionin, po e publikoj këto foto me shpresën se të gjithë ata që janë fiksuar në të (por edhe të afërmit e Aleks Selmanit të ndjerë), të mund të rikthehen pak në kohë e të lundrojnë në kujtimet e tyre, mes mallit e nostalgjistë, mes emocionesh dhe përjetimesh të bukura.
Në këmbë, në qendër të fotos është Irma Treska, me të cilën shpeshherë kemi prezantuar bashkë veprimtari të ndryshme që zhvilloheshin në Klubin e Rinisë.
Në të majtë të Irmës është Ali Laçej, pas tij unë e në të majtën time Dashamir Dini.
Ndërsa në të djathtë të Irmës janë Astrit Kalaja, Aleks Selmani i ndjerë (aktor fantastik), dhe Bardh Luga, në atë kohë shefi i muzikës në Klubin e Rinisë, fisnik dhe i mirë sa vetë muzika.
Ndërsa vajza para Bardhit dhe Aleks Selmanit është Aida Shala. Personit me zyze pas tyre nuk ia kujtoj emrin.
Ndërsa poshtë, nga e majta e fotos në të djathtë janë: Astrit Fani me të motrën, Albanën, fizarmonicisti Qemal Kajushi dhe aktori tjetër i talentuar Mois Preka.
Nostalgji, respekt dhe mirënjohje.