Një profil i konservatorizmit shqiptar

Një profil i konservatorizmit shqiptar

Një sfidë interesante paraqitet për mendimin politik evropian me luftën në Ukrainë:

Konservatorët argumentojnë rikthimin te sovraniteti për të ndërtuar kohezion më të fortë kombëtar, duke qenë se Bashkimi Evropian, sipas tyre, ka gërryer themelin e bashkëjetesës kombëtare me burokracinë e rënduar të BE-së.

Liberalët argumentojnë se është çasti për të ndërtuar një organizim më të fortë panevropian, duke qenë se kërcënimi nga jashtë, në këtë rast ai rus, është më i fortë se më parë.

Interesant është rasti i Shqipërisë që e ka të brumosur konservatorizmin nën premisën e shqiptarizmës, që zbeh të gjitha përçarjet krahinore, fetare dhe ideologjike. Liberalizmi ndërkaq është pjesë e rëndësishme e aktivitetit politik thuajse gjithë shekullin e fundit – ku Zogu ndërtoi një shtet laik, Enveri i dha zë industrializimit ndërsa në demokraci idesë së të qenit evropianë dhe rrugëtimit në BE. Sërish, nën petkun e progresit, Zogu fshehu autokracinë, Enveri diktaturën dhe post-komunistët fshehën korrupsionin e stërmadh.

Ndërsa ligjërimi enverist ishte internacionalist në fillim, duke vijuar më pas i shfazuar si etnokomunist, sot vërejmë se për dekada është goditur si i prapambetur ligjërimi patriotik nga politikanët post-komunistë, pavarësisht se ndjenjat popullore kanë qenë ndryshe.

Si ka mundësi që emocionet popullore nuk gjejnë përfaqësi në politikën e madhe në parlament?

1. Sepse parlamenti është çerdhe agjenturore, ku shtetet fqinje kanë kuotat e veta

2. Sepse parlamenti s’ka qenë asnjëherë përfaqësues i vullnetit qytetar, por krahinor dhe çështje e vullnetit të kryetarëve të partive.

Patriotizmi, ashtu i shkalafitur dhe folklorik, mbahet gjallë nga qytetarët e thjeshtë, sepse elitat kanë kohë që kanë ndërtuar një ligjërim bosh europeist. Të gjitha problemet, sipas tyre, do të zgjidhen në Bashkimin Evropian – bashkimi kombëtar, papunësia, arsimi, emigracioni …

Ndërsa i thonë qytetarëve se gjithçka do zgjidhet në Evropë, se Evropa e di, çuditen kur shqiptarët shkojnë më mirë në Evropë, se të rrinë me hajdutët këtu.

Ligjërimi i elitës politike dhe intelektuale shqiptare nuk përputhet me aspiratat e popullit shqiptar, i cili kërkon të bëhet pjesë e Evropës por pa cenuar themelin identitar të vetin me anë të të cilit ndërton kohezion kombëtar në Ballkan.

Këtë konflikt interesant në Shqipëri, ku në një krah është nacionalkonservatizmi dhe në krahun tjetër europeizmi, s’e ka marrë kush përsipër që ta përfaqësojë si ide politike.

EMISIONET