Nga MJAFT-i në burg/ Shkëlqimi dhe rënia e shokut Erion Veliaj
Andej nga viti 2003 në skenën publike dhe atë politike do të shfaqej një figurë e re. Emri i tij ishte Erion Veliaj. Ai befti si me magji në hapësirën publike shqiptare.
Djali i lindur në Tiranë, më 17 dhjetor 1979, supozisht i diplomuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e në Mbretërinë e Bashkuar, ndoshta aso kohe nuk e dinte se do të ngjiste shkallët më të larta të politikës dhe do të binte po nga maja me kokë.
Në vitin 2003 rioshi 24vjeçar Erion Veliaj kthehej në Shqipëri në një kohë të trazuar politike. Duket se ardhja e tij ishte sa rastësore aq edhe shtyrë nga pas nga persona që rrinin në hije.
Në atë periudhë Shqipëri luhej një lojë e ethshme politike mes kryedemokratit Sali Berisha dhe kryesocialisti Fatos Nano. E si përfaqësues i rinisë dhe frymës së re Erion Veliaj vendosi që t'u thoshte që të dyve: Mjaft! Frazë e cila u shndërrua në një lëvizje po me të njëjtin emër.
Të thuash se Lëvizja Mjaft pati dhe do të kishte një impakt të jashtëzakonshëm si në shoqërinë civile dhe politikën e asaj kohe, por edhe në atë të së ardhmes.
Bashkë me bashkudhëtare të tjerë, Erion Veliaj pikërisht në këtë klimë të mahisur me tensione politike krijon Mjaftin si një lëvizje kundër kësaj politike të vjetër, e cila dukej se po i merrte frymën vendit.
Lëvizja mori menjëherë hov dhe u përkrah nga publiku. Nuk kishte se si të ndodhte ndryshe me një lëvizje me të rinj, që u kundërviheshin klasës së vjetër politike. Edhe mënyra e tyre e të të protestuarit duket shumë ndryshe dhe cool.
Mjafti në këto kohë solli një frymë ndryshe dhe një mënyrë të pa parë më parë të të bërit shoqëri civile. Kjo gjë duket se ngjiti pothuajse tek të gjithë. Aq sa simpatizantë dhe mbështetës të Mjaftit u bënë edhe njerëz mjaft të njohur publikë, intelektualë, madje edhe deri tek i ndjeri tashmë, shkrimtari i madh Ismail Kadare.
Aso kohe rreth të njëzetat dhe pa makuterinë e sotme Erion Veliaj, Elisa Spiropali, Arbjan Mazniku, Leart Kola, Endri Fuga, Andi Kananaj, Besjan Pesha e shumë të tjerë dukeshin si shpresa e dytë pas të rinjve të dhjetorit, duke sjellë një frymë ndryshme aktivizmi në shoqëri.
Veliaj me shokët e tij do të organizonin disa nga protestat dhe aksionet më me ndikim në vend. Djaloshi me syze dhe në dukje intelektual do të dilte kundër shumicës së politikave dhe vendimeve të qeverisë Nano. Lëvizja Mjaft do të shndërrohej në një hije që i rrinte nga pas qeverisë së aso kohe për ta sulmuar na cdo rast, madje edhe deri bashkëshortja e kryeministrit, Xhoana Nano.
Mjafti i Veliajt nuk ishte i pëlqyer vetëm në vend, por edhe jashtë tij. Ambasadorët dhe të huaj linin kokën për të riun Veliaj dhe lëvizjen e tij. Mbështetja dhe fondet e tyre ishin të pakursyera ndaj Mjaftit. Aso kohe nuk i shikonte shumëkush se si lëviznin paratë, përderisa fasada dhe imazhi mbulonte cdo gjë.
Veliaj dhe të tijën kishin gjetur edhe mënyra interesante për të marrë simpatinë e ndërkombëtarëve, duke përdorur kauza edhe të grupeve të magjinalizuara, si ato të komunitetit LGBTI+.
Veliaj e kishte seriozisht rrugën e tij me Mjaftin dhe duket se në këtë rrugë, duhej edhe të sakrifikoje ca gjëra nga dinjiteti individual. Të bëje para në realitetin politik dhe të shoqërisë civile sigurisht kishte edhe haraçet e veta.
E kështu me mbështetjen e brendshme dhe të ndërkombëtarëve, Erion Veliaj shndërrohet në yllin më të ndritshëm të shoqërisë civile në vend.
Por shkëlqimi nuk zgjati shumë. Pas perdes dikush tjetër i lëvizte fijet. Lëvizja me të rinj, lëviz nga njerëz dhe jo aq të rinj në prapaskenë. Njëri prej tyre ishte Edi Rama, aso kohe akoma rebeli i Partisë Socialiste, që i kishte vënë syrin karriges së kryesocialistit. E për të hequr Fatos Nanon nga aty, përpos skemave të tjera, ai kishte si armë të fortë Lëvizjen Mjaft të Veliajt.
Fatos Nano dhe Partia Socialiste mes shumë arsyesh, humbi zgjedhjet në vitin 2005, duke sjellë në pushtet PD-në dhe Partinë Demokratike. Kjo sigurisht ishte edhe një fitore e Edi Ramës përmes mjaftit të Veliajt, pasi tashmë posti i Nanos në krye të socialistëve ishte në rrezik.
E pikërisht në këtë moment, nga plagët e humbjes së zgjedhjeve, dhe thikat që i kishte ngulur Veliajt me Mjaftin, Rama nis rrugën e tij të mundimshme për t’i marrë Partinë Fatos Nanos. Mision që ai arriti në pak kohë me luftë të brendshme në PS.
Brenda viti Rama u bë kreu i socialistëve. Tashmë kishte filluar një epokë e re në partinë dalë nga barku i Partisë së Punës, në krye me artistin aspak të zakonshëm.
Por me rënien e Nanos, u zbeh edhe roli i Lëvizjes Mjaft të Veliajt. Ai sigurisht nuk mund t’i dilte kundër babait të tij politik, ashtu sikurse bëri ky i fundit me Nanos. Jo! Veliaj si një benjamin i mirë, pasi kreu funksionin dhe rolin e tij në këtë luftë, dalëngadalë filloi të zbehet bashkë me lëvizjen e tij. Protestat kundër Ramës ishin sakrilegj.
Në vitin 2007 Mjafti si Lëvizje me Veliajn në krye do të pushonte të ekzistonte për të ngelur vetëm si një emër organizate me lavdinë e dikurshme.
Ai më pas do t’i bashkohej Iniciativës për Stabilitetin Evropian, një organizëm kyç në promovimin e zgjerimit të BE-së, duke qenë se me ndërkombëtarët tashmë kishte njohja të mëdha.
Por duket se Erion Veliaj e vazhdoi paktin me Edi Ramën edhe pasi ky u bë kryetar i Partisë Socialiste, pasi roli i tij nuk kishte mbaruar akoma.
Ai në vitin 2008, themeloi partinë "G99".
Në koalicion me Ramën, partia e Veliajt mori rreth 13 mijë vota, por nuk hyri në parlament. Sigurisht që Edi Rama nuk mund ta linte pa mbështetje benjamimin e tij. Prandaj ai vendos që pas kësaj beteje të parë zgjedhore të dështuar, ta marrë në krahët e tij. Pikërisht në këtë kohë “G99” filloi të shkrihej si subjekt brenda Partisë Socialiste.
Vetë Veliaj u bë Sekretar i Rinisë dhe Emigracionit në PS si dhe anëtar i kryesisë së saj. Menjëherë ai u bë një nga figurat kryesore të PS-së në debatet publike. Tashmë aleanca mes Ramës dhe Veliajt ishte konsoliduar haptazi edhe politikisht. Gjatë kësaj kohe Veliaj do të shërbente si një vasal i mirë, duke bërë në PS atë që i i thoshte kryetari.
Kjo ishte një nga thyerjet e para të figurës së Veliajt të ngritur me aq ngul.
Kërcimi i shpejtë nga shoqëria civile te politika si dhe kompromiset që angazhimi politik kërkon dukshëm e ktheu Veliajn në një zhgënjim për brezin e tij.
Këtu do të fillojnë edhe autogolat për Veliajn, në atë që është historia më Griseldën! Veliaj u bë zëri i një historie “të rrejshme” rrëmbimi. Fabula kishte këto pika kyçe: grua, shtatzënë dhe bashkëshortja e një personazhi të njohur… mjaftueshëm elemente për ta bërë ngjarjen virale. Synimi ishte që të akuzonin kryeministrin Sali Berishën. Asokohe anëtari i Asamblesë së PS-së, Erion Veliaj, e denoncoi publikisht rastin duke iu dërguar edhe një letër ambasadorëve lidhur me ngjarjen. Veliaj e përshkruante në anglisht ngjarjen me nota politike dhe duke përmendur edhe kërcënimet gjatë fushatës për kandidatin e PS në Kavajë.
“Rreth orës 10:00-11:00, Griselda Zaimi u paraqit në Policinë e Tiranës së bashku me Sajmir Roshin, i identifikuar në polici si kunati i 28-vjeçares. Aty Griselda rrëfeu 7 orët e saj të tmerrit duke treguar me detaje se një natë më parë, më 31 maj 2011, rreth orës 19:00 ishte rrëmbyer nga disa persona në një makinë me xhama të zinj. Më pas po këta persona e kishin rrahur dhe e kishin çuar në një ambient ku ajo kishte lindur fëmijën dhe ia kishin marrë. Pasi e kishin rrahur Griselda pretendoi se pas kësaj autorët e krimit e kishin hedhur në një kanal pranë banesës së bashkëshortit të saj.”
Përfundimi; asgjë nuk ishte e vërtetë! Ngjarja u harrua, por kjo ngjarje akoma mbahet mend si ndër gafat më të madhe politike që ka bërë Veliaj në filli metët e karrierës së tij.
Zhgënjimi do ta vazhdonte pasi në zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit 2013, Erion Veliaj zgjidhet si deputet i Qarkut të Gjirokastrës. Kryeministri Rama i beson një post shumë të rëndësishëm ,atë të Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë. Kjo ministri e drejtuar prej tij mori shumë kompetenca dhe një buxhet shumë të madh. Gjatë kësaj kohe si ministër, Veliaj ndërmori reformën e pensioneve, projektligjin për hapjen e dosjeve dhe trajtimin e ish të përndjekurve.
Por kjo ministri me një buxhet të majmë, filloi të përdoret nga Veliaj dhe me ndjesinë që pushteti po i rritej, Veliaj filloi metamorfozën e tij. Ai tashmë kopjonte nga liderët perëndimore, madje edhe sjellje bajate deri në përpikmëri. Këtu krijohet edhe modeli i ministrit llërë përveshur, por që nën rrogoz përmbanin një njeri inatçor dhe kontrollues, i cili tashmë nis një marrëdhëniet tjetër me mediet.
Ai pak nga pak, ashtu si shefi i tij, po shikonte fuqinë e madhe që ka media dhe nis planet për kontrollin e saj. Fillimisht duke pasur një kontroll mbi imazhin e tij dhe në atë që mediet pasqyronin për te, duke i siguruar që ato të pasqyronin vetëm versionin e tij.
Politikisht, njeriu që nisi karrierën si aktivist kundër korrupsionit, u pa në mënyrë të përsëritur duke treguar besnikëri ndaj Ilir Metës, politikanit që u bë për shumë dhe shumë vite simbol i korrupsionit.
Gjatë qeverisjes së parë socialiste, 2013-2017, ndërsa marrëdhëniet mes socialistëve dhe aleatëve të tyre ish-armiq LSI filluan të prishen, Veliaj u pa shpesh si një figurë lojaliste e koalicionit, deri në ditët e fundit, kur u përfol si personi ndërmjetës mes Ramës dhe Metës për një kompromis të orën e fundit për ta ruajtur koalicionin para zgjedhjeve të vitit 2017.
Në vitin 2014 do të vijnë nga episodet e para që do të tregojnë fytyrën e vërtetë të Erion Veliajt. Në datën 16 shtator 2014, Erion Veliaj martohet me Ajola Xoxën në Kalanë e Gjirokastrës. Teksa shumë medie i kishte futur në xhep tashmë dhe ua kishte gjetur anën, Televizioni Agon Channel me pronar biznesmenin italian Francesko Bechetti, çon një grup xhirimi në dasmën e Veliajt pa lejen e tij duke treguar përmasat reale të një dasme aspak modeste.
Një gjë e tillë e tërboi Veliajn, i cili do t’i hakërrehej Agon Channelit, dhe jo vetëm, por do të sigurohej që ta fundoste televizionin dhe pronarit e tij. Sigurisht ai ia doli këtij mision duke e mbyllur Agon Channel, akt që tashmë na ka kushtuar në Arbitrash rreth 120 milionë euro.
Për tju përgjigjur akuzave për dasmën, Veliaj si një gënjeshtar i keq deklaroi që shpenzimet i ka paguar me kursimet e mamasë së tij, teksa në media rezultoi se Shpenzimet e martesës janë deklaruar dhe faturuar si një aktivitet kulturor me shpenzime shtetërore/publike, çka sipas ligjit përbën abuzim me pushtetin.
Një ndodhi e tillë e bindi akoma më shumë Erion Veliajn se duhet t’i kontrollojë me patjetër mediet për të mos dalë nga versioni i tij i ngjarjeve.
Nga ana tjetër rruga e Veliajt brenda PS-së po shkonte shumë mirë, për sa kohë i shërbente me devotshmëri kryetarit Rama. Ky i fundit e heq nga ministria e mirëqenies sociale dhe vendos që ta kandidojë në postin e tij të vjetër, atë të kryebashkiakut të Tiranës.
Në vitin 2015 Veliaj kandidon për Tiranë përballë demokratit Halim Kosova dhe arrin t’i fitojë zgjedhjet me 53.6% të votave. Duke e parë si vazhdimësi të 3 mandateve të Ramës në bashki dhe duke anashkaluar mandatin e Lulzim Bashës, Erion Veliaj nga ky moment fillon një epokë të re në krye të bashkisë me vizionin e Ramës, në një dekadë që do të ishte transformuesja për Tiranën me kulla dhe ndërtime pa fund.
Edhe pse erdhi me premtimin gjatë fushatës se do t’i ndalonte ndërtimet së paku në qendër të kryeqytetit, Veliaj bëri pikërisht të kundërtën, ai e mbushi qytetin me beton, duke shkatërruar çdo pëllëmbë histori dhe identitet që kishte mbetur.
Problemi i parë serioz i Erion Veliajt me drejtësinë daton në vitin 2016, kur në landfillin e Sharrës, ku Ardit Gjoklaj, 17 vjeç, u gjend i vdekur. Para se Gjoklaj të gjendej i vdekur, bashkia ishte angazhuar në një fushatë që ndalonte romët që të grumbullonin plastikë të riciklueshme, duke shpallur se mbeturinat ishin “pronë e bashkisë”.
BIRN raportoi në atë kohë se në fakt, fushata fshihte interesat private të një kompanie që ishte lejuar nga bashkia që të grumbullonte materialet me vlerë në landfillin e Sharrës, duke krijuar de facto një monopol në industrinë e riciklimit, e cila në atë kohë ishte goxha e zhvilluar në Shqipëri. Ishte në fakt kjo kompani ajo që rezultoi se punësoi 17 vjeçarin Ardit Gjoklaj për një turn nate, i cili u gjend i vdekur.
Ngjarja kaloi gjithsesi pa shumë telashe për Veliaj, i cili, pasi u akuzua se kishte ndërhyrë në disa media për të pushuar nga puna gazetarë që kishin hetuar apo kishin tentuar të hetonin ngjarjen, hetimet e prokurorisë u mbyllën pa ndonjë pasojë për të apo për zyrtarë të tjerë të bashkisë, por sic duket drejtësia do të vononte, por nuk do të harronte deri në shkurt 2025.
Por përpos telasheve, Veliajt do t’i buzëqeshje fati.
Pozicioni i Veliajt në radhët e socialistëve duket se u forcua shumë pas vitit 2018 kur, pas një hetimi italian, rivali i tij potencial Saimir Tahiri, hasi telashe me drejtësinë. Pozicioni i Tahirit u dobësua gradualisht deri sa ai përfundoi në burg i dënuar për abuzim me detyrën, pasi doli i pafajshëm ndaj akuzës më të rëndë për trafik ndërkombëtar droge.
Rivaliteti mes Veliajt dhe Tahirit ishte një sekret i njohur nga të gjithë dhe që shpesh u shfaq në formën e konfliktit të hapur. Karakteri i Veliajt për të nxitur rivalitete, me raste jo fort politikisht të arsyeshme, duket se ishte edhe një faktor që solli në instancë finale, pas disa tentativave të pasuksesshme, rrëzimin e tij.
Me rrëzimin e Tahirit, Veliajt iu përforcua ëndrra në skutat më të errëta të mendjes, ajo që një ditë të jetë zëvendësuesi i Edi Ramës. Djali i preferuar, Saimir Tahiri tashmë kishte dalë nga loja dhe shanset për Veliajn ishin rritur shumë. Edhe pse nuk ishte zgjedhja e tij e parë si pasues dhe aspak i pëlqyer mes socialistëve, Rama e hodhi mes tyre duke i dhënë mbështetje benjaminit të tij që i kishte shërbyer kaq shumë herë.
Teksa Tahirit i rrinin mbi kokë problemet e drejtësië, Veliaj vazhdonte rrugën e tij brenda PS-së duke akumuluar më shumë forcë politike. Tashmë një gjë ishte e padiskutueshme, ai ishte numri 2 i partisë pas Ramës. Edhe pse një pjesë e socialistëve nuk e donin, ai ishte aty për t’ju imponuar.
Veliajt do ta konsolidonte pozitën e tij duke fituar edhe zgjedhjet vendore në vitin 2019, pasi përballë nuk kishte asnjë kandidat duke qenë se opozita bojkotoi institucionet dmeorkatike.
Ky rikonfirmim e bëri Veliajn edhe më të fortë. Ai tashmë jo vetëm e përhapi pushtetin e tij në PS duke futur njerëzit e tij, por edhe vuri përfund pothuajse të gjitha mediet në vend, të cilat u shndërruan në PR-in e imazhit të tij me kaseta të gatshme. Veliaj nuk e dinte çfarë ishte konferenca për shtyp, çdo gjë për të ishte tashmë me regji dhe kaseta.
Por pavarësisht kësaj makinerie imazhi perceptimi në publik i Veliaj vinte gjithmonë e në rënie. Jo vetëm socialistët e zakonshëm, një pjesë e mirë e publikut tashme e kishte kuptuar se cila ishte fytyra e vërtetë e Erion Veliajt.
E për t’i vënë vulën këtij imazhi dhe kësaj metamorfozë malinje, Erion Veliaj me urdhrin e Edi Ramës, në 17 maj 2020, në ditën e fundit të karantinës, krye një nga aktet me të shëmtuara dhe të rënda të demokracisë; ai shemb me ruspa në mes të natës dhe më polici teatrin kombëtar. Një akt i tillë e vulos urrejtjen publike për Veliajn.
Por ky i fundit, si një shërbëtor i mirë, i merr të gjitha sharjet dhe akuzat mbi shpinë, për aq kohë sa është duke plotësuar dëshirat dhe tekat e kryetarit të tij shpirtëror, Edi Ramës.
Tashmë Veliaj kishte nisur një rrugë pa kthim dhe me çdo çmim.
Mandati i dytë i Veliajt do të vazhdonte më i ethshëm me lejet e pafundme të ndërtimit dhe aferave të ndryshme, por me gjithë skandalet që kapluan bashkinë, Veliaj do të fitonte një mandat të tretë në vitin 2023 përballë demokratit Belind Këlliçi.
Kjo fitore duket se i dha një shkallare shumë të fortë për tu ngjitur drejt postin që aq shumë lakmonte ethshëm në hije; atë të kreu të PS-së dhe kryeministrit. Por për këtë duhej që Rama të hiqte dorë nga pushteti, pasi Veliaj tregoi se nuk është aq i fortë se mësuesi i tij, që e vrau babain e tij politik Fatos Nanon. Jo! Ai kishte durimin që të rrinte në hije, derisa Rama t’i dorëzonte kurorën kur t’i mërzitesh pushteti i gjatë dhe i pakufishëm.
Çdo ishte gati, infrastruktura ishe shtruar, çdo gjë ishte vetëm çështje kohë: Rama ndoshta do të tërhiqej mandatin e 4-t dhe sigurisht pushtetin nuk mund t’i lindte kujt tjetër veçse benjamimit të tij, Erion Veliaj. Fronti ishte kaq afër, ëndërra gati në plotësim.
Por ndonjëherë ëndrrat kthehen në makthe.
Do të ishte viti 2024 ai që ta nxirrte nga kjo ëndërr e ethshme dhe kahershme Veliajn. Skandalet e shumta në bashkinë e Tiranës ishin bërë kapicë dhe drejtësia nuk mund të mbante më. Qysh nga lejet e ndërtimit, te inceneratori, Ndrageta, Teatri Kombëtar dhe 5D, aferat rrinin si një gijotinë mbi kokën e kryebashkiakut, por goditja do të vinte nga nuk e priste.
Gjatë vitin 2024. u bë e qartë që problemet ligjore të Veliajt ishin serioze. Një e-mail i dërguar nga qytetari Nesti Angoni (i cili rezulton se nuk ekziston dhe është pseudonim) në shkurt të vitit 2024, furnizoi te SPAK të dhëna të cilat bindën prokurorët për të hapur një hetim pasuror kundër kryebashkiakut.
Tashmë ëndrrat po ktheheshin në zhgjëndrra dhe realiteti i hidhur ishin problemet me drejtësinë.
SPAK dhe BKH-ja kryen një sërë kontrollesh në shtëpitë, bizneset dhe zyrat e Erion Veliajt dhe Ajola Xoxës, duke sekuestruar dokumente, para dhe materiale hetimore për pasurinë çiftit kryebashkiak.
Opinioni publik ishte përgatitur për arrestimin e Veliajt në fund të vitit 2024, por gjërat duket sikur u qetësuan për kryebashkiakun dhe daljet e tij të fundit pranë Ramës, u dukën si një sinjal që i shpëtoi drejtësisë.
Por e papritura ndodhi mesditën e 10 shkurtit. Agjentët e BKH-së beftën në zyrën e Veliajt në bashki duke e arrestuar këtë të fundit. Pamjet e kryebashkiakut që shoqërohet me makinë nga agjentët për të komisariatin nr.3 bënë xhirot në rrjet dhe media.
Njeriu i dytë më i fuqishëm politikisht në vend tashmë kishte rënë.
Erion Veliaj, njeriu që dikur fliste se i kishte gjenitalet prej hekuri, dhe kishte planifikuar të bëhej kryeministri i ardhshëm i vendit, papritur e gjeti vetën rrugës për në burg. Për ironi edhe në momentet e fundit në Liri Erion Veliaj nuk i harroi huqet; teksa agjentët i erdhën në zyrë për ta arrestuar ai ishte gjoja live në një kopësht në Tiranë me kasetat e gatshme.
Tashmë mbi Erion Veliajn qëndrojë 4 akuza shumë të rënda dhe 365 faqe akuza që nëse vërtetohen mund ta dënojmë nga 10 deri në 20 vite burg, duke shënuar edhe një momentet historik kthesë në drejtësinë e vendit, e cila nuk po kursen askënd.
Kështu Erion Veliaj, njeriu i ardhur nga shoqëria civile si një yll në ngritje dhe i simpatizuar nga shumëkush, iu fut një metamorfoze duke u katapultuar në politikë, i mikluar nga Edi Rama, duke u shndërruar pikërisht në modelin e politikës së vjetër që ai dikur sulmonte.
Erion Veliaj, njeriu që gënjeshtrën e ktheu në mënyrë politikebërjeje, njeriu që i intimidimi e kundërshtarëve dhe medieve duke i vendosur në thundrën e PR-it të tij, njeriu që nuk u përball kurrë me gazetarët në konferenca, njeriu që firmosin për inceneratorët, lejet e pafundme të ndërtimit me paratë e pista, njeriu që bekoi 5D-në në bashki për vota, njeriu që shkatërroi Tiranën për hir të betonit, njeriu që sakrifikoi çdo gjë për karrierën tij, sot gjendet në momentin më të vështirë të jetës së tij politike.
Për ironi, njeriu që erdhi nga OQJ-të, sot është pas hekurave pikërisht për akuza që e implikojnë se ka përdorur OJQ për korrupsion dhe për tu pasuruar.
Erion Veliaj u nis për të luftuar sistemin, por ai u bë fytyrë më e keqe dhe më e urryer e tij, u nis tu thoshte të tjerëve Mjaft, por në grykësinë tij, harroi t’ia thoshte edhe vetës pikërisht: Mjaft Erion, Mjaft!