Katër mesazhet e qarta të opozitës në protestën e 12 Nëntorit

Katër mesazhet e qarta të opozitës në protestën e 12

Protesta paqësore e 12 Nëntorit nga përmasat e saj dhe përkrahjes popullore ishte një fitore mbi të gjitha e popullit shqiptar. Opozita e bashkuar mundësoi 4 mesazhe të qarta që kanë lidhje me të ardhmen e vendit dhe rivendosjen e demokracisë në Shqipëri.

Mesazhi i parë është se orientimi Euro-Atlantik i Shqipërisë është prioritar dhe ne do të bëjmë ccdo gjë për të ccrrënjosur regjimin autokratik të Edi Ramës, regjim i cili po mundëson në Ballkan bërthamat e një regjimi putinesk në shërbim të oligarkisë së tij dhe pushtetit personal. Demagogjia dhe propaganda që mban këtë klikë në pushtet u përpoq me dizinformim të thotë se protesta madhështore e popullit që u mblodh për ti thënë JO një regjimi antikombëtar që po e devijon vendin nga rruga europiane dhe perëndimore, i shërben Putinit dhe financuar prej tij.

Në fakt, thelbi i revoltës popullore qëndron në dënimin e politikave ruse-sllave të këtij regjimi duke mundësuar destabilizimin e Ballkanit Perëndimor me ndryshimin e kufijve ose rikthimin e Jugosllavisë së re; kjo protestë ishte kundër sjelljes servile dhe vasale të qeverisë, që për të mbrojtur dhe mbajtur pushtetin e saj, mund të mbyllë kopshte dhe shkolla në plotësim të kërkesës së autokratëve të Ballkanit.

Ajo ishte protestë kundër bekimit që i dha aleati më i ngushtë i Putinit, patriarku rus Kiril, në takimin e prillit 2018, kryeministrit shqiptar Edi Rama për politikat e tij pro-ruse-sllave dhe bashkëpunimin e ngushtë me Vuçiç; protesta popullore ishte kundër planit famëkeq të shpopullimit të Shqipërisë dhe konceptit antikombëtar të tokës së zbrazur, ku shqiptarët nuk kanë rol në bërjen e vendit të tyre.

Thirrja e bërë nga lideri demokrat Berisha për partnerët tanë perëndimorë, për të mos përkrahur më një regjim të kalbur autokratik, kleptokratik dhe abuzues me pasuritë e popullit të tij, është një thirrje e fuqishme dhe mesazh i qartë që vjen nga një popull që kërkon të ardhmen e tij evropiane.

Mesazhi i dytë: ne sjellim popullin në pushtet me votë të lirë. Qëllimi i Opozitës së Bashkuar është shporrja e këtij regjimi antipopullor sa më shpejt me anë të votës së lirë dhe protestës, protestës dhe votës së lirë. Sot qëllimi i Opozitës së Bashkuar nuk është pushteti, por rivendosja e demokracisë funksionale në Shqipëri, nuk është vetëm fitorja, por rikthimi i demokracisë direkte të popullit në administrimin e vendit, të drejtës së referendumeve, të krijimit të institucioneve të pavarura dhe funksionimit të drejtësisë së kapur nga regjimi.

Ne duam të sigurojmë votën e lirë për t’iu dhënë legjitimitet të plotë institucioneve të zgjedhura. Ne nuk pranojmë manipulimin e zgjedhjeve të vitit 2017, por edhe atyre të vitit 2021, ku makineria e shtetit vihet kundër interesave të qytetarit.

Urrejtja popullore sot në Shqipëri është aq e madhe sa opinioni publik kërkon me të drejtë që opozita të dalë nga stanjacioni, nga protestat që nuk sjellin ndryshim, që ta detyrojnë keq-qeverisjen të largohet sa më shpejt. Ata kanë të drejtë se ky klan antikombëtar nuk reagon për zemërimin e popullit, nuk ka transparencë në qeverisjen e vendit dhe ka prishur kontratën me popullin.

Por protesta e 12 Nëntorit me madhështinë e saj e dha mesazhin: Ne jemi shumica, ne jemi e ardhmja që do të kthejë popullin në pushtet. Ne nuk i dhamë mundësi këtij regjimi që të shtyjë sundimin e tij duke pretenduar që opozita është destruktive dhe destabilizuese. Ne jemi të fortë dhe do të mbrojmë votën e lirë të sovranit.

Mesazhi i tretë: Shqipëria e shqiptarëve dhe të ardhmen do t’ia kthejmë rinisë. Ky mesazh i fortë i dhënë nga lideri i Partisë së Lirisë, Meta kthen shpresën dhe besimin tek shqiptarët që Shqipëria do të bëhet dhe atë do ta bëjë brezi i lirisë, rinia Shqiptare e cila sot ka shpopulluar vendin. Ajo ka ikur se regjimi i ka mbyllur perspektivën, se nuk ka shkollim, nuk ka punë dhe nuk e duron padrejtësinë dhe vjedhjen.

Ne besojmë që rinia jonë e mrekullueshme është e zgjuar dhe e aftë për të marrë përgjegjësi, prandaj do të punojmë për ta dhe me ta për ta ndryshuar Shqipërinë. Ne do t’ju japim mundësinë për ta ndryshuar vendin, ata janë e ardhmja e Shqipërisë, e një Shqipërie evropiane të lirë dhe me vlera perëndimore.

Mesazhi i katërt është që Shqipëria nuk do të ecë përpara në qoftë se ne nuk vëmë përpara përgjegjësisë morale dhe ligjore ata që po shkatërrojnë të ardhmen tonë dhe vënë në rrezik sistemin tonë politik, atë të demokracisë. Ky ishte edhe mesazhi i fuqishëm i dy udhëheqësve të opozitës që premtuan se abuzuesit, shpërdoruesit e pronës së shqiptarëve dhe aventurierët politikë do të gjykohen nga drejtësia dhe abuzimet do ti kthehen popullit.

Duke realizuar këtë proces llogaridhënie dhe kthyer mekanizmin e qeverisjes së popullit hedhim një hap përpara për mbrojtjen e demokracisë dhe ndërgjegjësimit se sistemi politik i demokracisë nuk mund të merret i mirëqenë, por duhet mbrojtur dhe luftuar për të.

EMISIONET