Negociata me Brukselin, realitete e mite

Negociata me Brukselin, realitete e mite

1 – KOMISIONI I FESTËS NUK KA PSE MBLIDHET

Para 10 vjetësh, në qershor 2014, kur Shqipërisë iu akordua “statusi kandidat për (anëtar) në BE” reagimi në Tiranë ishte superentuziast nga të gjitha krahët e politikës, si dhe nga shoqëria. Qeveria “Rama” (PS) mbajti një pritje në Pallatin e Brigadave me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të mazhorancës e institucioneve shtetërore; Bashkia Tiranë (Basha, PD) organizoi njëkohësisht një koncert festiv në teatrin open-air pranë Shën Prokopit me pjesë nga Vivaldi, Moxarti e Zadeja. Asokohe entuziazmi për BE-në kishte arsye të ndryshme: liberalizimi i vizave ishte ende i freskët në kujtesë, Brukseli shihej ende si i vëmendshëm e kërkues ndaj demokracisë e shtetit ligjor si dhe përfitimet nga afrimi e anëtarësimi në BE dukeshin të prekshme.

Në kontrast me entuziazmin e festimet e v2014 atmosfera aktuale tre javë pas çeljes zyrtare të negociatave për anëtarësim në BE është e mefshtë. Reagimet përmblidhen në ndonjë konferencë shtypi, foto e video nga KM Rama e postime të gëzuara në rrjetet sociale nga përkrahësit e mazhorancës. Opozita, ndonëse pozitive, krahasuar me 2014 është më e përmbajtur. Publiku duket indiferent. Logjikisht nuk lipsej të ishte kështu, pasi akordimi i statusit kandidat është vetëm një deklarim politik i BE-së, i cili nuk ka bazë ligjore në traktatet europiane. Ndërkohë që Traktati i Anëtarësimit që po fillon të negociohet është marrëveshja finale me Brukselin; ajo zëvendëson përfundimisht ato të mëparshmet: Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit të viti 2006, e cila zëvendësoi Marrëveshjen për Bashkëpunim Tregtar dhe Ekonomik të viti 1992 (të dyja të nënshkruara nga qeveri të Partisë Demokratike).

Një arsye për mosfestimet zyrtare është e thjeshtë për t’u shpjeguar: në periudhën 2016-2018 KM Rama njoftoi solemnisht tri herë rresht çeljen e negociatave duke vijuar me festime plot shampanjë e fishekzjarrë. Madje, në qershor 2018 u dha Medaljen e Kryeministrit katër ambasadorëve tanë në kryeqytete të rëndësishme të Europës për kontributin e tyre të veçantë në këtë arritje (një vit më vonë u njoftuan kushtëzimet e reja të BE ndaj Shqipërisë, fillimisht të njohura si 9 kushtet e Bundestagut, për shkak të mangësive në demokraci e ligjshmëri). Kundrejt këtij sfondi është e kuptueshme vetëpërmbajta e përkorë e qeverisë. Nëse do të festonte për herë të katërt do të vilte veç qesëndi nga publiku. Por ky detaj nuk është më i rëndësishmi në raport me çeljen e negociatave. Pyetja që shtrohet është se kur dhe si do të bëhet Shqipëria anëtare e Bashkimit Europian.

2-KUR MUNDET QË BE TË ANËTARËSOJË SHQIPËRINË?

Supozimi mbi datën e anëtarësimit ka dy anë: së pari, gatishmërinë e vullnetin e BE për të pranuar anëtarë të tjerë dhe së dyti arritjen nga shtetet kandidate të tërë standardeve të kërkuara për këtë anëtarësi. Për anën e parë: sipas ndonjë figure politike në Bruksel të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor duhet të pranohen anëtarë në vitin 2030. Këto ide kundërshtohen publikisht nga të tjera figura që kujtojnë se rregulli i hekurt është merita e secilit shtet-kandidat, pra përmbushja e standardeve. Presidenti i Francës ka thënë se fillimisht duhet thelluar e reformuar BE-ja. Kancelari gjerman ka detajuar idenë se duhet reformuar vendimmarrja për zgjerimin dhe për politikën e jashtme: duke kaluar nga vendimi me unanimitet tek ai me shumicë të cilësuar (këtë ide e refuzojnë dhe e bllokojnë një varg shtetesh nga Finlanda te Qipro për arsye gjeopolitike). Se kur kapërcehet ky ngërç nuk di ta thotë kush.

3 – KUR DHE SI MUNDET TË ANËTARËSOHET SHQIPËRIA NË BE? 

Ana e dytë është shumë më e rëndësishme se e para, sepse standardet bazë të kërkuara nga BE janë të ashtuquajturat “Kriteret e Kopenhagenit”: shteti ligjor, demokracia, të drejtat e njeriut dhe ekonomia e tregut. Ato vlejnë për një jetë me dinjitet e begati të secilit në shtetin e vet e pastaj për anëtarësimin e shtetit në BE. Asnjë nga gjashtë shtetet kandidate të rajonit tonë nuk i përmbush këto kritere. Por, kjo nuk do të thotë se aktualisht këto shtete janë aty-aty në raport me kriteret.

Po të lemë mënjanë Bosnje-Hercegovinën, e cila ka probleme kushtetuese të brendshme, nga pesë shtetet e tjera, vetëm tri e përmbushin kriterin minimal të demokracisë: aftësinë për të ndryshuar qeverinë me votë. Kjo vlen për Kosovën, Maqedoninë e Veriut si dhe për Malin e Zi që nga viti 2020. Në Serbi e Shqipëri, kjo nuk ndodh prej përkatësisht 12 e 11 vitesh. Shpjegimi pse nuk ndodh varion: nga pëlqyeshmëria/ pazëvendësueshmëria e “liderit të fortë” që ofron propaganda e pushtetit deri te pamundësimi i rotacionit demokratik nga ana e pushtetit të “liderit të fortë” përmes mjetesh antiligjore të shtetit e mafies siç komentojnë, përveç opozitarëve, edhe shumë ekspertë të Ballkanit.

Por cilindo shpjegim të preferojë lexuesi fakti i pamohueshëm mbetet se Serbia e Shqipëria janë në fazë të avancuar drejt një regjimi autoritar e kleptokratik (RAK). Pa ndryshuar radikalisht kjo situatë debati për anëtarësim të këtyre dy shteteve është shaka e hidhur. Nga ana tjetër ka pengesa të jashtme pa lidhje me kriteret europiane të cilat bllokojnë Shkupin (Bullgaria), Prishtinën e Beogradin (marrëdhënia dypalëshe). Duke pasur parasysh këto vetëm, Mali i Zi përmbush kriteret minimale. A do të jetë në gjendje ky shtet të përmbushë standardet e 35 kapitujve të procesit të anëtarësimit dhe nëse po kur? Kjo është pyetje jo e kollajshme.

4 – PËRVOJA SERBO-MALAZEZE ME NEGOCIATAT

Por një tjetër pyetje, ajo për efektin konkret të negociatave me Brukselin mbi standardet minimale merr përgjigje empirike nga përvoja e Malit të Zi dhe e Serbisë, që filluan këto negociata përkatësisht në vitin 2012 e vitin 2014. Serbia pikërisht gjatë kësaj periudhe instaloi e konsolidoi regjimin autoritar e kleptokratik të Aleksandar Vuèiæ-it. Kuptohet që kjo nuk ndodhi për shkak të negociatave e të BE-së, por gjithashtu kuptohet që negociatat me BE nuk e patën efektin pozitiv që shpesh iu atribuohet.

Mali i Zi nisi negociatat me Brukselin kur ishte qeverisur prej dy dekadash pa ndërprerje nga një parti e vetme me të njëjtin lider. Kjo ndryshoi pas tetë vitesh në vitin 2020 si pasojë e zhvillimeve politike të brendshme dhe pa lidhje e pa ndikim nga negociatat. Shembujt e mësipërm tregojnë se anëtarësimi në BE brenda kësaj dekade është në këto rrethana është një mirazh sa kohë BE do të jetë një union mbi vlerat e lirisë e demokracisë të garantuara nga ligjshmëria. Edhe angazhimi i KM Rama se, “në vitin 2030 do të jemi gati për anëtarësim në BE” është një tjetër broçkull propagandistike e tij. Mali i Zi, që konsiderohet më i avancuari në integrimin europian, në 12 vite ka negociuar e mbyllur vetëm tri kapitujt (ata më të kollajshmit) nga 35 syresh që përmban kuadri i negociatave. Me këtë ritëm, anëtarësimi malazez në BE i bie të ndodhë mbas 130 vjetësh. Për Shqipërinë lexuesi mund ta bëjë vetë hesapin.

5-DRITËHIJET E NEGOCIATAVE TË VËSHTRUARA ME BESIM E ME OPTIMIZËM

Kjo nuk do të thotë aspak që demokracia e shteti ligjor nuk mund të ndikohen pozitivisht nga marrëdhënia me Bashkimin Europian. Nisma të qeverisë Rama me pasoja shumë negative për vendin si “amnistia penalo-fiskale” (krejt pa precedent në botë) apo “pashaportat e arta” nuk do të ishin frenuar thjesht nga kundërshtimi i opozitës; ishte tabela STOP e Brukselit (e më gjerë e komunitetit ndërkombëtar) që bëri të mundur anulimin e tyre. Këto nisma nuk ishin të këqija vetëm për Shqipërinë, ato cenonin edhe sigurinë e Bashkimit Europian. Megjithatë, edhe për kaq lipset të jemi falënderues.

Në raste të tjera ka pasur laksizëm nga BE, duke filluar nga Komisioni Europian, në verifikimin e përmbushjes së kushteve të vendosura. Kështu ndodhi psh., me marrëveshjet abuzive me palët emiratase për Portin Durrës që shkelin Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit; BE është mjaftuar me ndonjë qortim e pastaj ka mbyllur sytë. Po kështu edhe progres-raportet (tashmë quhen country reports) e Komisionit Europian mbi Shqipërinë kanë qenë për vite me radhë zbukuruese të realitetit; ato tok me sjelljet e disa funksionarëve shërbyen si municion për propagandën e RAK-ut. Megjithatë, disa elementë realistë janë shfaqur në raportet e dy viteve të fundit.

6 – Dobia konkrete e “anëtarësimit me faza”

Me më shumë interes për Shqipërinë e për Ballkanin Perëndimor është qasja e re e ofruar vitin e shkuar nga BE që njihet si “anëtarësimi me faza” (staged açession). Ajo parasheh që shtetet kandidate, mbasi të përmbushin kushtet specifike, të kenë akses të plotë në programe e struktura që deri dje ishin të rezervuara për shtetet anëtare të BE-së.

Një shembull vjen nga Mali i Zi, i cili në 1 janar 2025 do të anëtarësohet në Zonën Unike të Pagesave Euro (Single Euro Payment Area, shkurt SEPA). Kjo do të thotë që transfertat bankare me eurozonën do të ndodhin në çast dhe me tarifë zero. Çka do të ishte një përmirësim i dukshëm krahasuar me sot kur për çdo transfertë qytetarët e bizneset shqiptare paguajnë deri në 100 euro tarifë ekstra. Banka e Shqipërisë po punon prej muajsh për këtë hap dhe hyrja e vendit tonë në SEPA pritet të ndodhë vitin e ardhshëm.

Me interes do të ishte edhe anëtarësimi shteteve kandidate në Zyrën e Prokurorit Publik Europian (European Public Prosecutor’s Office, shkurt EPPO) që mbulon abuzimet me fondet europiane siç sugjeroi KM Albin Kurti para disa muajsh. Në këtë rast korrupsioni me IPARD-in nuk do të arkivohej nga prokurorët e përgjumur në Tiranë, por me gjasë do të kishte akuza penale në nivel qeveritar.

Hapa si këto vlejnë për të integruar Shqipërinë në BE më shumë se sa retorika entuziaste, raportet iluzioniste e samitet bombastike. Vetëm se për anëtarësimin duhet patjetër të kalitet vullneti për standardet e durimi për udhën e gjatë.

EMISIONET