Në “riedukim të përjetshëm”
Dy ditë më parë gazetarët, në fakt një pjesë fare e vogël e tyre, dolën në protestë kundër kryeministrit Rama dhe masës ndëshkimore që ai mori kundër një kolegu me “riedukim”, që në gjuhën e KM do të thotë përjashtim nga konferencat për shtyp që ai jep dhe e drejta për pyetje.
Nuk është hera e parë që kryeministri Rama përdor këtë standard për gazetarët që nuk thonë atë që ai do, që nuk mendojnë si ai dhe bëjnë pyetje që nuk i pëlqejnë.
Riedukimi ka prekur më parë shumë kolegë të cilëve Edi Rama u ka bojkotuar studiot, që nga Sonila Meço e deri tek unë, Beti Njuma.
Unë prej tre vitesh jam në riedukim sepse kryeministrit nuk i ka pëlqyer një status i imi në Facebook.
Kolegët tanë kane qëndruar indiferente ndaj këtyre sjelljeve kryeministrore, kane heshtur për mesazhet kërcënuese ndaj meje të kryetarit të Bashkisë Veliaj.
Shoqatat e gazetarëve kanë pasur reagime sporadike, të vakta, ose në rastin më të keq asnjë reagim, duke bërë që situata të përkeqësohet.
Me heshtjen e tyre kane fuqizuar qëndrimet jo transparente, fyese, bullizuese dhe përjashtuese të kreut të qeverise.
Zoti KM ka marrë mandat për të qeverisur Shqipërinë, jo për të bërë edukatorin e punonjësve të medias, apo më keq akoma prokurorin, policin dhe gjykatësin.
Dy ditë më parë gazetarët shqiptarë reaguan ndaj këtij absurditeti. Do të duhej ta kishin bërë më herët. Megjithatë më mirë vonë se kurrë.