Në dorë të kujt janë të dhënat e shqiptarëve?

Në dorë të kujt janë të dhënat e shqiptarëve?

Në dorë të kujt janë të dhënat e shqiptarëve?

Rrëmuja që ka ndaluar prej kohësh para derës së PD-së duket se ka hequr vëmendjen e shqiptarëve nga një skandal që duhej të ndalej vetëm me hetimin në zyrat më të larta të qeverisë shqiptare, madje në zyrën e Kryeministrit Rama.

Për këdo që nuk ka ndjekur lajmet me kujdes, mjafton të dëgjojë se, një nga katër personat që akuzohet se ka mundur të fusë në dorë të dhënat shumë të rëndësishme për qytetarët shqiptarë, Endri Ikonomi, ka qenë i punësuar për një nga miliarderët rus, Oleg Viktorovich Boyko, të përfolur më së shumti jo për pasurinë e tij dhe si një nga 100 bisnesmenët më të pasur rusë, por më shumë për historitë që lidhen me këtë emër.

Kështu, sipas të dhënave që janë bërë publike, rezulton se një raport inteligjence i Senatit të SHBA e citon oligarkun Boyko si person me lidhje shqetësuese me qeverinë ruse, inteligjencën dhe shërbimet e sigurisë së Rusisë dhe me lidhje me krimin e organizuar.

Ky raport përshkruan edhe se “shtypi moldav ka raportuar se Boyko ishte i përfshirë në një operacion të mbeshtetur nga Kremlini për influencimin e jashtëm të zgjedhjeve atje”.

Gjithashtu, platforma investiguese e gazetarëve rumunë “Black Sea” e citon Oleg Boykon si investitorin e Fashion TV që së bashku me një partner në Letoni e kanë përdorur Maltën si parajsë fiskale për të operuar në Europë dhe SHBA ndërsa kanë fituar shuma marramendëse për kredi emergjente tek më të varfrit e Europës pa paguar taksa.

Pas daljes në dritë të këtyre të dhënave vlen të pyesim:

Prokuroria e Tiranës vërtet do ndalet në këtë version të vjedhjes vetëm për një shitje banale të të dhënave, që ka të bëjë me presionin ndaj personave të ndryshëm- që gjithsesi mbetet një shkleje shumë e rëndë për sigurinë dhe privacinë e çdo qytetari- apo do hetojë edhe lidhur me sigurinë kombëtare të cënuar nga zotërimi që kanë këto të dhëna nga shtetas që hetohen për lidhje nga më të dyshuarat në veprimtarinë e tyre të përditshme?

E nëse cënohet siguria, a do arrijë prokuroria të marrë nën hetim krerët e AKSH-it, dhe ata që kanë mbrojtur këtë institucion si në rastin e daljes së patronazhistëve ashtu dhe pagave e targave, përfshi këtu edhe Kryeministrin Rama që bëri gjithçka për të mbrojtur institucionin që menaxhon të dhënat e shiptarëve?

Ka në fakt një mënyrë që kryeministri mund të shmangë prokurorinë në këtë rast: ta hedh si sondazh me qytetarët te platforma e bashkëqeverisjes, duke pyetur fare hapur nëse duhet ta lejojë ai prokurorinë e Tiranës apo SPAK-un ta hetojnë atë dhe vartësit e tij apo jo...

EMISIONET