Mungesa e dashurisë, rruga e askundit!

Mungesa e dashurisë, rruga e askundit!

(letër një prindi me të cilin kemi fëmijët bashkëmoshatarë)

Më lejo të të drejtohem sot më këtë letër ty miku im, që ke fëmijët në të njëjtën shkollë me fëmijët e mi dhe në lagjen time. Ndoshta përshëndetemi shpesh vetëm me lëvizje koke, edhe pse mund të dimë për njëri-tjetrin disa gjëra për shkak të asaj që dimë nga fëmijët tanë.

Gjithnjë kam dashur të të shkruaj e të të flas. Madje, sa herë i kam nisur letër tim biri në ditët e parë të shkollës kam kuptuar që ai nuk do mundet t’ia dalë i vetëm çfarëdo që t’i shkruaj unë. Nuk do t’ia dalë as vetëm me shokët dhe shoqet e tij. Nuk do t’ia dalë as vetëm me fjalët e mësuesve. Ata kanë nevojë për ne dhe ne duhet të dimë se si t’ia dalim që të mos u transmetojmë atyre vetëm nga dështimet tona, nga hapat që nuk i mbërritëm dot në jetët tona.

E di mik, që nuk është aspak e lehtë t’u flasim sot fëmijëve për mënyrën se si duhet të sillen. Për shumë prindër është e vështirë pasi fëmijët sot kanë më shumë informacion, kanë parë filma pa fund, dinë ato gjëra të cilat ne i mësonim shumë vonë jo vetëm për trupin tonë dhe për ndjenjat tona. Por është mirë që t’i themi disa gjëra përpara se të piqemi sy më sy për të zhbërë ndonjë gjë që mund ta kishim rregulluar duke folur shumë kohë më parë, qoftë edhe në ato pak minuta që jemi parë në oborrin e shkollës.

E di, mik, se ne të rriturit shpesh ankohemi se nuk kemi më se ç’të bëjmë, se të këqinjtë janë më të fortë dhe se gjithçka për jetët tona është vendosur nga të tjerët. Por, siç thotë edhe filozofi spanjoll Fernando Savater, kjo logjikë nuk është veçse një justifikim për lirinë tonë që nuk kemi arritur ta përdorim si duhet, është një justifikim për dështimet tona. Pikërisht, këtë pafuqinë tonë kërkoj unë që të mos ua themi atyre si rrugën e parë drejt së nesërmes. Le të mos i helmojmë fëmijët me atë që ne e ndërtuam vetëm si justifikim për atë që nuk mundëm dot ta bënim, se ndryshuam rrugë, se llogaritëm dhjetra çaste përpara se të bënim sikur nuk pamë gjë nga rrëzimi i përditshëm i yni dhe i miqve tanë.

Më lejo të të kujtoj vetëm një çast të mahnitshëm nga dhjetra e dhjetra që mund të gjesh në historinë botërore: Në kulmin e Apartheidit në Afrikë, Nelson Mandela u kërkonte mbështetësve të tij, që nga burgu ku vuante dënimin politik, që ata të mendonin se i përkisnin një brezi që mund të ndryshonin botën. Vite më pas ai ishte në krye të atyre që besuan vërtetë se mund ta bënin dhe që arritën të shmangin me qetësi një nga regjimet më raciste në glob.

Dhe historia e njerëzimit ka histori plot shpresë, që mund t’u japin fëmijëve kurajën për të besuar se do t’ia dalin në këtë jetë pa pasur nevojë për ligësinë si armë.

Ne, miku im, shpesh u flasim fëmijëve tanë për të ardhmen pa parë aspak nga e shkuara. Të veshur me euforinë e çastit, duke parë larg për të ardhmen e fëmijëve tanë, harrojmë që e shkuara na thërret për të kuptuar se ajo që kërkojmë ne për të ardhmen e fëmijëve ka jetuar thuajse kudo dhe gjithnjë me njerëzit. E nga shumë leksione të së shkuarës do të kuptojmë se armët më “moderne” do të vijojnë të mbeten Mirësia dhe Guximi. Asnjë armë tjetër nuk ka shkëlqimin e tyre. Asnjë armë tjetër nuk të sjellë fitore më të ëmbël. Ndaj, nëse duam vërtet që fëmijët tanë të bëjnë një jetë me kuptim, le t’i pajisim fëmijët me këto armë.

Mund të ndodhë që t’u dukemi fëmijëve tanë sikur po i pengojmë të ecin me hapin e kohës. Por, dije miku im, se, nëse nuk i kemi rrëfyer fëmijëve se si mund të bëhesh Njeri, nuk kemi pse të presim që një ditë ata të jenë krenarë për atë ç’ka do bëjnë.

Le t’i flasim se sa kënaqësi është të kesh miq në jetë. Le t’u kërkojmë që të shikojnë me dashuri nga Tjetri, që kanë në bangë, në shkollë, në lagje. E sidomos të shohin se mësuesi, duke edukuar fëmijët tanë, ushqen fëmijët e tij, ashtu siç i ushqejmë ne ata me punët tona. Vetëm ashtu mundet që t’u kemi dhënë një mundësi të besojnë se nuk janë vetëm, se mund të bëjnë përpara në rrugën që kanë dëshirë. Ndryshe, mund t’i bëjmë të fitojnë pa fund, të jenë ta pasur, madje edhe të zgjuar, por edhe të jenë vetëm, të skllavëruar nga mungesa e guximit, e të mos kuptojnë kurrë fuqinë e madhe që ka dora e zgjatur ndaj tjetrit.

Le t’u flasim fëmijëve ne të parët që të mos shikojnë askënd nga ngjyra, nga pamja e jashtme, nga veshja. Le t’u kërkojmë atyre që shohin shokun apo shoqen e bangës si një pasuri në rrugën e gjatë të jetës. Le t’u mësojmë se ne jetë nuk mund të ecësh duke imituar të tjerët, por duke besuar se mund t’ia arrijnë duke qenë vetvetja.

E di miku im, mund të kesh edhe ti dhjetëra argumente për të më lënë të kuptoj se kështu mund të rrisim fëmijë që nuk do të jenë të zotët të kapin hapin e kohës, që mund të mbeten viktima të brutalitetit të jetës, se do të duken qesharakë përpara shokëve që kërkojnë me çdo kush të fitojnë. Ndoshta je në një mendje me mua për faktin se sot ndershmëria nuk është monedha më e vlerësuar në përditshmërinë tonë. Por ne kemi detyrë të këmbëngulim për t’ua ngulitur faktin e vjetër të botës se, ligësia nuk prodhon dot asgjë të mirë dhe se mungesa e dashurisë të çon në Askund në botën e Hiçit.

Vetëm nëse u flasim kështu mund të kemi fatin të rritemi dhe ne bashkë me ta, miku im, e, në dashtë Zoti, t’i shohim më vonë duke ecur pa u penduar për hapat e tyre!

EMISIONET