Mjerimi i Akademikëve

Mjerimi i Akademikëve

Ngjarja e djeshme mes kryeministrit Rama me akademikët, në rastin e kremtimit të 50 vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit, duket se kaloi thjesht me denoncimin e gjuhëtares Ledi Shkreli për gafën e kryeakademikut, ish ministrit të arsimit në fund të ish regjimit komunist, Skënder Gjinushit, që citonte një vepër të Gjeto Basharit - një pseudonim i një autori dhe gjuhëtari të njohur-, që sajon një sarkazëm-libër me titull “Shteti dhe drejtshkrimi”. Në fakt, kjo gafë e kryeakademikut ishte thjesht qershia mbi tortë, pasi në atë takim gjithçka duket se nisi me një fjalim të gjatë, megaloman dhe fyes të kryeministrit Rama, i cili prej kohësh nuk njeh më asnjë kufi se kujt i flet, se kë fyen, se çfarë gjuhe përdor.

Nuk ka asnjë rast në botë që kryeminsitri i një vendi t’i japë leksion akademikëve, edhe kur ndodh që të ketë tituj shkencorë. Më e shumta që mund të bëjë një drejtues qeverie, është të përshëndesë dhe të theksojë rëndësinë e aktivitetit dhe të zotohet si kreu i qeverisë se do mbështesë përpjekjet që janë bërë, apo të inkurajojë përpjekje të reja nga ata që paguhen për të patur ide të tilla. Madje, në mënyrë paradoksale, kryeministri ynë foli për rëndësinë që ka gjuha pa u mbushur 24 orë nga një diarre fjalësh fyese mbi opozitën në Kuvend, pa dhënë asnjë shpjegim se përse shqiptarët duan vetëm t’ia mbathin nga sytë këmbët.

Dhe, për ironinë e fatit, Rama dha leksion, sipas modelit të tij fyes, në një sallë ku më i pakti kishte titullin "doktor shkencash" dhe të tjerë janë "profesorë" apo "akademikë" prej vitesh. E tha me mburrje që ai nuk kish asnjë titull shkencor, por thumboi edhe ata që paguhen me paratë e qytetarëve për të sugjeruar zgjidhje, për të qenë rojtarë moralë e ligjorë të së mirës kombëtare, të traditës.

Imagjinoni se çfarë leksioni mbi guximin për të vërtetën mund të marrë një adoleshent kur ka dëgjuar se si tallej kryeministri me akademikët, me ata që paguhen si të ditur dhe që duhet të jenë të parët që t’i bëjnë thirrje qeverisë që të jetë llogaridhënëse, që të jetë e përgjegjshme dhe që të ketë busull ligjin dhe të mirën kombëtare. Fatkeqësisht, akademikët e dëgjuan pa u ngritur nga vendi, pa e bojkotuar, pa e kritikuar, duke treguar se varfëria jonë nuk ka të bëjë me paratë por me kotësinë e institucioneve, me dorëzimin moral të atyre që duhet të certifikojnë vlera dhe të mbështesin vlera.

Në fakt, Akademia jonë e Shkencave prej vitesh nuk ka qenë në pararojë të evidentimit dhe shtjellimit të sfidave të shoqërisë, edhe pse në këto 30 vite ndryshimesh politike kanë ndryshuar marrëdhëniet në prodhim, kanë ndryshuar marrëdhëniet në shoqëri, kanë ndryshuar marrëdhëniet në familje, kanë ndryshuar konceptet për politikbërjen, për kërkimin shkencor. Nga kjo Akademi nuk ka pasur qëndrim as për të ardhmen e Kosovës dhe çështjen kombëtare, as për pasojat e shpopullimit, as për një qëndrim moral ndaj së shkuarës në ish diktaturë. Kjo mungesë guximi nga "institucionet e dijes" ka qenë edhe garancia e një kryeministri që beson se i është dhënë mandati për të tallur shqiptarët, pa dallim as moshe, as profesioni, as gjinie e as përgatitjeje profesionale.

Fjalimi i djeshëm i kryeministrit Rama është turpi ynë, pasi ai thjesht po provon tashmë se sa e duartrokasin kur ai vijon të tallet dhe të fyejë. Dhe dje ai e mori këtë mbështetje ndaj talljes që bën nga heshtja e akademikëve.

Ndërsa heshtja e akademikëve është mjerimi ynë, pasi heshtja e tyre dje ndaj arrogancës së Ramës rrëzoi përfundimisht edhe një nga institucionet që duhej të ishte modeli i guximit dhe kurajës për të vërtetën dhe respektin për veten! Në fakt, një gjë e tillë duhej të ish kuptuar nga publiku që kur në krye të këtij isntitucioni u zgjodh ish ministri i fundit i Arsimit në ish regjimin komunist, një regjim që të vetmen kulturë që u përçoi intelektualëve të asaj kohe ishte “tundja e kokës me bindje”!

EMISIONET