Më vjen keq, por më duhet të t’i them do fjalë or Baton
Pa dashtë me hy në polemikë, por vetëm në shenjë respekti për emrin e punën që lidhet me emrin, më duhet të t’i them do fjalë or Baton.
Sepse, nuk gjej asnjë motiv. Nuk gjej as ndonjë shkak a arsye. As pretekst jo e jo që të justifikojë dhe të përligjë përçmimin për punën e kolegëve të televizionit Ora News.
Prej askujt në fakt ndër kolegët që punojnë në media, por veçmas prej Batonit, nuk mund të pritej një qëndrim aq denigrues e fyes për gazetarët e televizionit Ora News, të cilët për hir të së vërtetës, të paktën që prej kur unë tash e katër vjet bëj një emision timin në atë televizion, punojnë me shumë përkushtim dhe nën kushte terrori shtetëror, iniciuar prej inatesh dhe interesash perverse, që nuk kanë të bëjnë as me profesionin dhe as me punën e gazetarit.
Ndërkaq, për profesionalizmin dhe seriozitetin në respektimin dhe përcjelljen e të vërtetës, mbi të cilat ka qëndruar integriteti profesional i gazetarëve të televizionit Ora News katër vite më parë e më tej që prej kur ai televizion ekziston, mund të pyeten e dëshmojnë pothuaj shumica e emrave të gazetarëve më me ndikim sot që punojnë në shumë televizione, por që më parë kanë punuar në televizionin Ora News.
Natyrisht, mund të kesh pretendime për nivelin profesional, për gjuhën a etikën e komunikimit, sepse jo të gjithë gazetarët i zotërojnë zotësitë profesionale në nivelin që kërkon arti i komunikimit mediatik dhe përcjellja e lajmit tek shikuesit në rastin e një televizioni. Mund të kesh edhe vërejtje, e kjo afërmendsh është krejt normale kur vjen prej dashamirësisë së një kolegu më me përvojë. Por, edhe në kësi rastesh, eleganca e komunikimit, që më shumë se sa prej shkollës vjen prej fondamentit kulturor të bartësit, të shtyn ta gjesh shtegun e duhur se kur e si duhet thënë e vërteta, kujt i duhet thënë e përse duhet thënë, pa fyer, pa lënduar, pa përçmuar e denigruar punën e të tjerëve.
Ti i dashur Baton, i ftuar në emisionin e Çim Pekës ke thënë ndër të tjera, (po citoj fjalë për fjalë) se:
-Ora News ka vendosur një gjysmë të vërtetë apo përgjim, të cilat janë në funksion ma shumë të goditjes para zgjedhjeve se sa një e vërtetë që ekziston”.
E para, për gjithë sa ke thënë, duke iu referuar atyre që i quan gjysmë të vërteta, më duhet të të bëj me dije, se asnjë fjalë e vetme prej atyre materialeve, nuk është transmetuar asnjëherë e në asnjë rast në televizionin Ora News.
Askund, as në emisionet e lajmeve dhe as në emisionet e tjerë që transmetohen në televizionin Ora News, nuk është cituar, nuk është përmendur as as është lënë të nënkuptohet si referencë ndonjë dokument gjysmë i vërtetë apo përgjim i ndokujt.
Të paktën kaq gjë duhej ta kishe vënë re.
Kësisoj, gjithë sa ke thënë konsiderohet edhe ligjërisht lajthitje në objekt.
Nëse është “lajthitje” e qëllimtë apo jo, nuk di ta them, edhe pse me aq sa unë të njoh, nuk dua ta besoj si të qëllimtë, sepse nuk besoj se ke ndonjë arsye që të të shërbejë si motiv që një qëndrim të tillë ta kesh të qëllimtë.
E dyta, të marrësh disa lajme nga faqja e webit me emrin Ora News e ta keqpërdorësh faktin për të thënë mandej, se nuk kam respekt për gazetarinë e televizionit Ora News, është lajthitje në subjekt.
Sepse mund të mos kesh respekt për njërin apo tjetrin gazetar, mund të mos kesh respekt për drejtorin apo pronarin e një televizioni, çka është krejt normale, se në fund të fundit respekti as imponohet e as injektohet, por të thuash se nuk kam respekt për gazetarinë e një televizioni të tërë, do të thotë të yshtësh apo cytësh llapazharët e shumtë të portaleve, kundër kolegëve të një televizioni tjetër.
E gjitha kjo, nuk më rri përbri emrit tënd.
Të të them të drejtën i dashur Baton, edhe pse më është dashur ta dëgjoj sot disa herë qëndrimin që ke mbajtur tek emisioni i Çim Pekës, unë nuk gjej asnjë arsye, për rrjedhojë edhe asnjë lidhje mes atyre fjalëve dhe Batonit që unë njoh.
Për si e për çka unë të njoh e të çmoj, mu desht të t’i them do fjalë publikisht or Baton, sepse unë punoj në televizionin Ora News, mes gazetarësh, specialistësh dhe punëtorësh të palodhur që e duan shumë dhe e respektojnë punën që bëjnë, ani pse, po ta përsëris në kushtet e një terrori shtetëror krejt të pavend e pa asnjë bazë ligjore. Por, kjo është një temë tjetër.
Mandej, sa për ato gjysmë të vërtetat e përgjimeve siç i quan në ligjërimin tënd, kushdo që ndjehet i prekur apo i lënduar do të bënte mirë t’i drejtohej gjykatës. Unë do të jem në anën tënde pasi gjykata t’i ketë provuar si të pavërteta ato gjysmë të vërtetat. Por, më parë se të presim se çdo të ndodhë me personazhet e përgjimeve në gjysmë të vërtetat, miqësisht po të ftoj publikisht në emisionin tim e të flasim për të vërtetat në “DREJT”, në ekranin e televizionit Ora News. Ballë për ballë e sy më sy.