Me Namik Doklen në “DREJT”: Thjeshtësi dhe sinqeritet

Me Namik Doklen në “DREJT”: Thjeshtësi dhe sinqeritet

Namik Doklen e kam njohur tridhjetë e pesë vjet më parë; ai kryeredaktor i gazetës “Puna” dhe unë student që ngjitesha shpesh shkallëve të ndërtesës ku gjendeshin bashkë “Bashkimi” dhe “Puna”, me dëshirën për të botuar ndonjë shkrim.

Aty në redaksinë e “Punës”, padyshim për meritë të Namikut gjeje një mjedis shumë miqësor, duke filluar prej Kiços, sekretarit të kolegjumit (Kristaq Laka) e deri tek Davidi, shoferi i redaksisë. Bashkë me Arben Bllacin në zyrat e “Punës” kalonim orë të tëra dhe ndjeheshim si në shtepi.

Mandej, pasi unë kisha filluar punë në gazetën “Zëri i Popullit”, Namikun e pata do kohë edhe kryeredaktor.
Zëvendësoi Spiro Deden, i cili qëndroi në atë detyrë fare pak kohë, por mjaftueshëm për të njohur një njeri fisnik dhe zemërbardhë, të cilin edhe kur flasin e shkruajnë për themelimin dhe fillimet e Partisë Socialiste, shpesh “harrojnë” ta përmendin.

Por, megjithatë, Spiro Dede është padyshim prej më intelektualëve dhe më të zotëve ndër shumë të tillë që drejtuan Partinë Socialiste në kohët e vështira të lindjes së pluralizmit politik në Shqipëri.

Namik Dokle edhe si kryeredaktor, edhe më pas si kryetar i grupit të deputetëve të Partisë Socialiste, edhe në kryesinë e saj, edhe si sekretar i përgjithshëm, si Kryetar i Kuvendit apo edhe si zëvendëskryeministër, përveçohet e mbahet mend, përpos të tjerash, për thjeshtësinë dhe sinqeritetin.

I tillë u shfaq edhe në rrefimin e tij në “DREJT”, në emisionin tim në RTV Ora, duke më dhënë mundësinë të bashkëbisedoj me të për tema për të cilat nuk kishim folur më parë asnjëherë.

Namik Dokle është ndërkaq edhe shkrimtari që duhet lexuar.

Letërsia e tij na e sjell më të plotë Namikun e na jep mundësinë të kuptojmë botën ku ai është formësuar dhe njëherësh, të gjejmë bazamentin ardhetar dhe kulturor mbi të cilin është rritur.

Fisnikërisht i thjeshtë dhe realisht i sinqertë është Namik Dokle edhe në romanet e tij, të cilët e joshin lexuesin mençurisht përmes një gjuhe të pasur e që na jep gjithë koloritin e një treve historike, kulturore, etnografike e shpirtërore të atdheut, duke iu shmangur “grackave” të provincializmit dhe përshkrimeve lineare ku jo rrallë bien edhe shkrimtarë shumë të njohur.

Ndërkaq, letërsia që shkruan Namik Dokle ka edhe një meritë. Ajo plotëson mungesën e “gurëve” në mozaikun e larmishëm të letërsisë tonë me subjekte dhe tema nga një krahinë me veçori të mahnitshme qytetarie dhe atdhetarie, të mbartura ndër breza si një amanet i shenjtë.

Edhe pse “miellin” e veprës së vet Namiku e merr pothuaj tërësisht në Borje dhe në Gorën e tij, ai ka ditur ta universalizojë atë përmes kodesh që gjenden vetëm në letërsinë e vërtetë.

Këto kode, Namik Dokle na dëshmon se jo vetëm i njeh shumë mirë, por edhe di t’i përdorë me zotësi.

EMISIONET