Kush duhet ta mbrojë demokracinë në Shqipëri

Kush duhet ta mbrojë demokracinë në Shqipëri

Raporti përfundimtar i OSBE-ODHIR për zgjedhjet e 25 prill-it hapi debatin në Shqipëri se cfarë prodhuan zgjedhjet parlamentare. Për opozitën demokratike raporti provoi se zgjedhjet e 25 Prill-it ishin një ‘masakër elektorale’, ku vetë rekomandimet e OSBE-ODHIR flisnin qartë për një problematikë serioze që qëndron larg funksionimit të një shteti demokratik.

Mos garantimi i votimit të fshehtë dhe të lirë, blerja e votave si dhe keqpërdorimi i administratës në funksion të pushtetit tregojnë qartë që në Shqipëri ekziston një regjim autoritar kleptokratik, i cili përdor zgjedhjet për fasadë demokratike dhe legjitimitet të një pushteti, i cili ka kapur shtetin dhe nuk mund të largohet prej tij.

Për mazhorancën e PS-së vlerësimi i raportit bëhet në sensin pozitiv dhe konsiderohet arritje e demokracisë. Dhe kjo nuk mund të ishte ndryshe kur regjimi i Rilindjes qeveris në botën virtuale të krijuar prej tij, kur propaganda dhe media e kapur përpiqen të tregojnë se sa i dobishëm dhe i pranueshëm është ky pushtet.

Në fakt raporti i OSBE-ODHIR nuk është një vendim gjykate që çmon dhe vlerëson procesin e zgjedhjeve në çdo shtet anëtar të organizatës së OSBE-së. Ai ftohet nga qeveria dhe autoritetet e vendit dhe me gjuhë të matur bëjnë vlerësimet e tyre. Problematika e gjetur si dhe rekomandimet e tyre shërbejnë për të orientuar shtetet dhe komunitetin ndërkombëtar për qëndrimin që duhet të mbajnë ndaj regjimeve të ndryshme dhe legjitimitetin e institucioneve të zgjedhura. Janë shtetet sovrane dhe institucionet e tjera të lidhura me vendin, të cilat duhet të mbajnë qëndrimet e tyre, qëndrime të cilat varen nga shumë faktorë politikë, situata gjeopolitike, interesat e momentit apo ruajtja e stabilitetit të pranuar, si një element funksional.

Problemet e demokracisë së një vendi i takojnë shoqërisë dhe popullit që ka pranuar sistemin politik të qeverisjes së tij. Ai duhet të mbrojë atë kontratë sociale të vendosur midis tij dhe qeverisjes së grupimeve politike që vijnë në pushtet. Shqipëria si një vend pa eksperiencë demokratike është e prirur t’i përshtatet pushtetit politik, liderit të tij dhe nuk ka kulturën të mbrojë çdo të drejtë dhe liri që i takon, e cila është e lidhur pazgjidhshmërisht me funksionimin e institucioneve demokratike, shtetin ligjor, ndarjen dhe balancën e pushteteve e deri në kërkesën e saj legjitime për transparencë dhe llogaridhënie.

Në kushtet e Shqipërisë, kur shteti është i kapur dhe pushteti i pakontrolluar, shqiptarët e kërkojnë shpëtimin ndaj të keqes nga opozita dhe nga reagimi i ndërkombëtarëve. Opozita në Shqipëri është një forcë reale, e cila ka evidentuar para opinionit publik instalimin e regjimit, korrupsionin dhe lidhjen e politikës me krimin e organizuar, ka marrë përsipër aksionin opozitar për protesta dhe sensibilizimin e opinionit publik ndërkombëtar duke u larguar edhe nga Parlamenti.

I vetmi ‘mëkat’ i opozitës është se sillet brenda standardeve perëndimore kundër një regjimi autokratik anadollak lindor, i cili mbijeton vetëm me forcën e lobizmit dhe klientelizmit të tij pragmatik. Kontradikta midis padurimit të popullit për ndryshim, varfërisë së madhe, largimit masiv të shqiptarëve, etj., me sjelljen e opozitës për të qenë e pranueshme dhe e përgjegjshme për të ardhmen e vendit, e vënë këtë të fundit nën përgjegjësinë e veprimeve të pamjaftueshme për të sjellë ndryshimin.

Por opozita nuk mund të sjellë dot ndryshimin në qoftë se ajo nuk krijon një front të madh popullor, ku populli duhet të jetë elementi kryesor i lëvizjes. Ajo duhet ta kuptojë që rëndësia e rivendosjes së demokracisë në vend duhet të fitojë ndaj thirrjes së përsëritur të ndërkombëtarëve për stabilitet. Kjo do të jetë edhe beteja e saj e ardhshme. Këtu do të provohet dhe lidershipi i saj.

Faktori ndërkombëtar në Shqipëri është komod me çdo regjim që vjen nëpërmjet votës së lirë dhe vullnetit të popullit. Për aq vëmendje që ata kanë për një vend të vogël si Shqipëria ata pëlqejnë që të mos kenë të panjohura dhe të ruhet ai stabilitet i krijuar dhe të mos kenë vatra tensioni. Për sa kohë që populli Shqiptar nuk ngrihet në mbrojtje të regjimit të tij demokratik si gjithë revolucionet demokratike me ‘ngjyrë’ të Europës Lindore, vëmendja e tyre do të jetë minimale.

Në mungesë të reagimit popullor, në vëmendje të ndërkombëtarëve do të mbetet figura e artistit-demokrat Edi Rama, që drejton në bashkëqeverisje me popullin, që është popullor në ERTV dhe Facebook, që pikturon zyrën e tij dhe është i gatshëm të shërbejë për çdo problematikë ‘pastrimi’ që kërkon perëndimi. Ata e kuptojnë situatën e rëndë në Shqipëri, por mënyrën e ndryshimit e shikojnë me mjete institucionale, si dhe reformës në drejtësi që do të realizojë rikthimin e shtetit ligjor dhe vënien para përgjegjësisë të politikanëve të korruptuar.

Por a mundet të funksionojë një drejtësi e pavarur brenda një regjimi autoritar dhe kleptokratik? Është njësoj sikur të transplantosh një organ të ri brenda një trupi të mbushur me metastaza. Pa rregulluar sistemin demokratik të gjitha reformat e tjera do të mbeten si fasadë për një regjim që tashmë e ka përcaktuar të ardhmen e tij.

Zgjedhjet e 25 Prilli-it nuk arritën ti japin fund krizës politike në Shqipëri. Polarizimi politik është rritur më shumë, shpresa për ndryshim gjithmonë e më e pakët. Akumulimi i urrejtjes ndaj një regjimi të korruptuar gjithmonë e më i madh. Në këtë udhëkryq të gjithë kërkojnë të luajnë protagonistin.

Mazhoranca luan që të bëjë fajtore opozitën dhe ashtu të nëpërkëmbur prej saj i ofron bashkëqeverisjen; opozita po përcakton veprimin politik por nuk e di sa larg dhe sa i pranueshëm duhet të jetë aksioni i saj; ndërkombëtarët që menaxhojnë krizën ex-katedra dhe duke parë nga e ardhmja, herë duke dekurajuar e goditur opozitën që të mos bëhet shumë revolucionare e herë duke motivuar drejtësinë që të përpiqet të funksionojë.

Peshqit e vegjël të kapur nxisin vetëm entuziazmin e turmës por nuk arrijnë të kthejnë besimin në funksionimin e shtetit ligjor, të kapur tashmë nga regjimi. Tolerimi i një regjimi dhe mbajtja në këmbë e tij për hir të një axhende të përcaktuar sic janë reformat, tregon se kjo lloj diplomacie është shumë sipërfaqësore dhe pasojat mund të jenë shumë të rënda për perspektivën perëndimore të Shqipërisë.

Ajo që është thelbi i krizës është funksionimi i shtetit demokratik, problem ky që nuk zgjidhet vetëm nga partitë politike dhe as nga ndërkombëtarët por vetëm nga populli shqiptar.

Ndryshe do të mbetemi peng i një regjimi që lajtmotiv të tij do të mbajë : ‘O zot sa idiotë që ishin që luftonin për demokraci!’

EMISIONET