Kapitullimi pa kushte i PD-së, jo për listat e hapura
Për herë të parë dje në Parlament, një opozitë votoi ndryshimet në Kodin Zgjedhor, pa asnjë reformë të sistemit zgjedhor. As opozita e kërpëratave aq më pak PD e Lulzim Bashës, nuk e kishin bërë këtë. Edhe ata që i përdori Rama në 2020 për të ndryshuar Kushtetutën në funksion të fitores së zgjedhjeve, duke mos lejuar koalicionet, të paktën i morën disa gjëra në teori.
Të premten e 26 korrikut 2024 opozita bashkoi votat me maxhorancën për të mos bërë asnjë ndryshim për përmirësimin e zgjedhjeve, duke shënuar aktin më të turpshëm që një opozitë ka bërë ndonjëherë në Parlament.
Jo për listat e hapura që prej kohësh ka dalë si zgjidhje për demokratizimin e vendit. Në fakt listat e hapura, janë një legjendë e krijuar nga ata që e harrojnë problemin e vërtetë të zgjedhjeve, ata që harrojnë pse u hoq sistemi mazhoritar i korrektuar, ata që nuk kanë parasysh as zgjedhjet e 2021 kur flasin për lirinë e zgjedhjes së votuesve.
E para, hapja e listave, vërtetë krijon mundësinë që njerëzit të zgjedhin kandidatin e tyre brenda listës së një partie politike, por vetëm brenda saj. Jo domosdoshmërisht e detyron liderin të fusë në listë emra të rinj, sidomos në kushtet aktuale të vendit, kur duket qartë se PD dominohet nga 500 mijë votat personale të Sali Berishës, të cilat në 2023 i mori edhe pa logon e partisë. Nga 600 mije votat e opozitës, Berisha me emrin e tij mori më shumë se 80 për qind, ndërsa lista është hapur për më shumë se 20 për qind të votuesve të opozitës që nuk e votojnë PD për shkak të Berishës. Pra, edhe sikur lista të ishte 100 për qind e hapur, lista preferenciale e Berishës do të dilte e para.
E dyta, sistemi i listave të hapura, krijon një mazhoritar pa zona, më të egër se sistemi mazhoritar me zona elektorale që aplikohej deri në zgjedhjet e 2005. Problemi atëherë ishte se të fortët lokalë përfshiheshin në zgjedhje me palën e preferuar, ose caktonin kandidatin, se biznesmenët futeshin në zgjedhje dhe fitonin duke përdorur favoret financiare. Sot këta të fortë zonalë janë shndërruar në grupe të strukturuara kriminale me aktivitet kombëtar dhe ndërkombëtar. Në zgjedhjet e fundit u përfshinë të gjithë në zgjedhje pro PS. I vetmi që doli kundër, sot nuk është i gjallë. Cfarë do të ndodhte në një listë të infektuar nga ato që di të bëjë Edi Rama? Sa do të përfshihej krimi,? A do të bëhej fenomeni i Orlando Rakipit një fenomen kombëtar? A do të merrte një kanditat i mbështetur nga krimi shumë më tepër se një politikan i ndershëm, qofte ky i ri apo i vjetër, siç ndodhi në 2021 në Tiranë? Sigurisht që po. Parlamenti do të ishte më i keq, partitë më pak demokratike, krimi akoma më i fortë.
E treta, kalimi me lista të hapura, e ndan vëmedjen e votuesve mes partisë dhe kandidatit. Vota për partinë do të relativizohej për shkak të presionit apo fushatës pozitive të kandidatit. Në një moment deciziv për votën partiake, kjo do të favorizonte vetëm Edi Ramën.
Nuk është e vërtetë që kryetarokracia ka filluar në 2008 me sistemin proporcional rajonal. Nuk ka ndodhur kurrë para 2005 që PD të ketë më shumë demokraci se sot. Pra kjo nuk lidhet me ligjin zgjedhor por me faktorët që e mbështesin pushtetin e një kryetari. Këto faktorë janë kryesisht në pushtetin ekonomik dhe në vulnerabilitetin e figurave që aktivizohen në partitë politike.
Nuk është e vërtetë që PS dhe PD kanë më pak demokraci se partitë e tjera në Shqipëri. Përvec Partisë së Lirisë, asnjë parti tjetër, e re apo e vjetër, nuk bën zgjedhje, nuk ka forume vendimmarrëse, nuk ka procese transparente dhe demokratike të zgjedhjes apo përzgjedhjes. Ato janë parti personale që shpesh përdoren si biznese personale.
Thënë të gjitha këto, faji i opozitës nuk ishte se pranoi një hapje simbolike të listave. Problemi është se nuk zgjidhi asnjë problem të vërtetë me ndryshimet e së premtes, nuk krijoi kuadrin ligjor as për të luftuar më shumë blerjen e votës, shpërdorimin e fondeve, përdorimin e policisë dhe administratës në zgjedhje, mbylljen e aplikacionit aktivisti etj.
Nuk insistoi as për kthimin e situatës aty ku e la Lulzim Basha në 5 qershor 2020, te koalicionet me lista shumëemërore të ndara, nuk guxoi as të artikulonte kushtin për qeveri teknike 3 muaj para zgjedhjeve.
Përkundrazi, firmosën dhe votuan, duke i dhënë Edi Ramës atë që dëshironte, jo vetëm për Kodin Zgjedhor, por edhe për situatën politike. Kreu i regjimit në fakt nuk është ai që thuhet, por një Kryeministër demokratik që bën marrëveshje me opozitën 9 muaj përpara zgjedhjeve. Pse duhet të largohet 3 muaj përpara kur pati vullnetin të bëjë marrëveshje?
Opozita dje shkeli me këmbë mbi gjithçka ka bërë në atë pak kohë që i teproi pas sherreve të brendshme. I dha Ramës garanci për fitoren e 2025 dhe pranoi të bëhet fasada demokratike e një regjimi që shtyp, pushton dhe korrupton gjithçka dhe gjithkënd.