Kanceleritë të mbështesin demokracinë, jo vetëm natyrën e Shqipërisë

Mbështetja fillon nga gjithë familjet shqiptare
Në ditën e 10 të një proteste po aq historike sa levizja studentore e dhjetorit ‘90 kundra regjimit të fundit diktatorial në Europë, momenti është bërë vendimtar. Një pyetje shtrohet para çdo familje shqiptare sot : o me protestuesit kundra regjimit të Edi Ramës si kleptokracia e fundit në Europë, o me këtë regjim dhe kundra protestuesve.
Nuk ka qëndrim të mesem. Nuk ka rruge të mesme. Nuk ka nuanca. Në ditën e 10 të protestës që Rama po mundohet ta bastardojë në menyrën më vulgare që egziston, ka vetëm « po » apo « jo ». A janë shqiptarët me « ata », me fëmijët e tyre që nuk e duan më këtë formë personale të ushtrimit të pushtetit , apo janë me « atë », uzurpatorin e pushtetit. Mund të duket si pyetje retorike kur sheh masivitetin historik ne keto protesta që janë shtrirë në mbarë vendin. Por, nëse ka njerëz që ende hezitojnë, sidomos në kampin e majtë, apo në shtresën e pensionistëve për të cilët fjala « socialiste » bën ende sens sepse evokon Shtetin i cili duhet të mbrojë më të pambrojturit, rrokullisja e paimagjinueshme e ngjarjeve nuk lë shumë kohë tani të mendohet më gjatë. I duhet dhënë goditja e fundit këtij pushteti personal në grahmën e fundit.
Kur studentët hynë në grevën e urisë në shkurt 91 kundra emrit të honepsur të Enver Hoxhës me të cilin qe pagëzuar Universiteti i Tiranës, prindërit ishin po ashtu në dilemë të ngjashme : me shtetin apo me fëmijën. Një dilemë që u kushtoi djemve dhe vajzave revolucionarë të asaj periudhe humbjen në zgjedhjet e para pluraliste të marsit 91. Por qe vetëm një çështje kohe, regjimi e kish marrë të tatpjetën dhe një vit më vonë ai ra si një mollë e kalbur. Prindërit votuan siç duhet herën e dytë. Votuan për femijët e tyre dhe jo më për shtetin që po u vidhte këtyre të ardhmen në momentin kur gjithë Lindja po rendte drejt Perëndimit.
« Sa mirë me ken shqiptar »
Të gjithë i kanë ende në vesh thirrjet e para tre dekadave e gjysëm « E duam Shqipërinë si gjithë Europa ». Por kjo s’ka qenë asnjëherë ndonjë surprizë. Pikëpyetja ka qenë gjithmonë në krahun tjetër. A e do Europa Shqipërinë si vetja apo mjaftohet me rëndësinë e saj gjeostrategjike brënda kontinentit? Ndërkaq, Europa e popujve pa pikën më të vogël të dyshimit, e do Shqipërinë si vetja. Mjafton të shohësh komentet pas çdo shkrimi në shtypin perëndimor mbi ngjarjet aktuale në Shqipëri , dhe emocionohesh nga krenaria që opinioni publik ndërkombëtar po shpalos ndaj shqiptarëve dhe rezistencës së tyre të përditshme. Falë vendosmërisë dhe idealizmit të një gjenerate të re, Shqipëria është shndërruar në këtë moment në epiqendrën e ndërgjegjes së opinionit publik perëndimor. Edhe në Perëndim, ashtu si shqiptarët, njerëzit ëndërrojnë për një mobilizim masiv kundra pushteteve okulte që kanë arritur të kenë një fuqi të jashtëzakonshme mbi fatet e miliona njerezve. Kurrë dëshira për demokraci « direkte » s’ka qenë më e fortë se në këtë periudhë globalizimi të trazuar dhe shqiptaret po e tregojnë te Bulevardi se kjo lloj demokracie që vetëm në Akropolin e lashtë realizohej, është ende e mundur. Dhe ku ? Në Shqipëri ! « Sa mirë është me qenë shqiptar » nuk është sot një brohoritje që del vetëm nga kraharorët e protestuesve por dhe nga tastjerat e miliona mbështetësve në vendet e tjera që sytë i kanë sot nga Shqipëria. Ashtu si opinioni publik europian sytë i kishte nga Spanja më 1936 dhe brohoriste në kor slloganin e saj anti-Franko, « No pasaran ».
Kur Europa e Kancelerive fshihet
Por ndërsa pulset e qytetarëve europianë rrahin me të njëjtin ritëm me ato të vëllezërve dhe motrave të tyre në Bulevardin qëndror të Tiranës, Kanceleritë europiane vazhdojnë të vështrojnë gjetiu, ndoshta në një pritje cinike që Edi Rama t’i japë fund këtij karnavali flamingosh siç e cilëson me neveri ky i fundit lëvizjen mbarëpopullore kundra personit të tij.
Dje, një postim i ambasadës së BE-së në Tiranë, bëri të kujtojmë se Europa e kancelerive po lëviz më në fund pas dhe nje peticioni online kundra Ramës firmosur nga gati një gjysëm milioni shqiptarësh deri tani. Por kur e lexon reagimin e ambasadës së BE-së në Tiranë e merr për një tekst të Kadaresë i shkruajtur me talentin e tij alegorik gjatë periudhës së egër të komunizmit për t’i shpëtuar çensurës. Por s’mund të jetë kështu. Pse të ketë frikë Europa nga Edi Rama, në atë pikë sa u drejtohet shqiptarëve pa i emëruar protestuesit, me fjalët « mbroni natyrën». « Mbro habitatet natyrore, përpara se qielli të mbetet pa këngë shpendësh. Mbro natyrën, sa je në kohë » , shkruan kështu në adresë të shqiptarëve me lejen e znj Ursula Von der Layen delegacioni i z. Gonzato në Tiranë. Pse mos t’i thuhet shqiptarëve shkoqur, shqip, europianisht, « vazhdoni dhe rezistoni » , « jemi me ju », « mbroni demokracinë », atë demokraci që e arritët me aq mund e sakrifica nga gjenerata e fillim viteve ‘90 dhe që sot duhet mbrojtur me çdo kusht prej « satrapëve » të rinj.
Ashtu si për prindërit dhe gjyshët e të rinjve të sotëm që duhet të bëjnë një zgjedhje , o me fëmijet e tyre, o me Edi Ramën, dhe Europa nuk mund t’i bëjë bisht këtij momenti historik dhe duhet të prononcohet. A do bëhet ajo me ata që po shkruajnë një histori të re jo vetëm shqiptare por dhe për mbarë ndërgjegjen europiane, apo Europa do vazhdojë të mbështesë « brekushet e vjetëra » , regjimin e kompromiseve të Ramës me të keqen kundra interesave të popullit të tij.
Një nga zëdhënëset e lëvizjes së rinisë serbe anti-Vuçiç kishte fjalë dhe më të rënda ndaj kësaj Europe të kancelerive që u përdridhet autokratëve të Ballkanit perëndimor, ndërkohë që rinia mbush sheshet me thirrjet kundra diktaturës së korrupsionit. Në Tivar të Malit të Zi, shkruan ajo, pamë « Ursulën sesi i hidhej në qafë Vuçiçit, pamë Makronin që shfaqte adhurim me deklarata përkëdhelëse, pamë mediat zyrtare që bënin lëvdata pa kursim. E verteta është kjo, se jashtë kufijve, në qarqet europiane çdo gjë po shkon në mënyrë të përsosur për tipa si Vuçiç. Pse kjo heshtje e Europës? “.
E njëjta pyetje i shkon Europës edhe për heshtjen fajtore ndaj Edi Ramës qeveria e të cilit jo më pak se dy javë më parë morri notën kaluese europiane të « Ibar »-it për Shtetin e të drejtës. Po e shikojmë të gjithë se cfarë i bëri Shteti i të drejtës së Edi Ramës Zvërnecit. Ndaj, ka ardhur momenti edhe për liderit europianë që të bëjnë një zgjedhje, duan të shohin një ditë Shtetin e vërtetë të së drejtës të triumfojë në Shqipëri apo duan të vazhdojnë politikën e kompromiseve me Ramën dhe Vuçiçin në emër tê ekuilibrave gjeostrategjikë.
Kanceleritë kanë interes të rreshtohen në anën e duhur të historisë, në atë të aspiratave të popujve ballkanike për drejtësi dhe demokraci, gjë që nuk është fare në kontradiktë me nevojat e europianëve për siguri gjeopolitike dhe për mbështetje të integrimit nga opinionet e tyre publike. Përkundrazi, duke u rreshtuar krah qytetarëve shqiptarë kundra Edi Ramës, kanceleritë perëndimore u bashkohen kështu opinioneve të tyre publike që e kanë bërë tashmë zgjedhjen.
Qytetarët e vendeve të këtyre kanacelerive po shohin tek qytetari i Shqipërisë heroin e kohëve moderne, heroin e legjendës së Davidit të vogël që reziston ndaj Goliatit të neveritshëm, ndaj Fuqisë së parasë , arrogancës dhe korrupsionit. Bulevardi i Tiranes sot është kthyer në një simbol « fshati Asterix » në zemër të Europës moderne ku prepotenca e Pushtetit dhe e Parasë ndjell antipati, ndërsa revolta e «të papërfillshme » simpati. Eshtë ky grusht shqiptarësh grushtbashkuar dhe idealista, të armatosur me mikrofona ne duar, foshnje në krahë, dhe pankarta ne ajër kundra Kleptokracisë së Edi Ramës që po ofron çdo ditë e më shumë narrativën që bota pret. Atë të një përballje sa e vendosur aq dhe fisnike të cilën Viktor Hygo e karakterizonte me aq mjeshtëri te romani « Të Mjerët » me fjalët « Ju keni forcën, por ne kemi të Drejtën ! ».


