Intimiteti strategjik

Intimiteti strategjik

Në fjalimin përmbyllës të Konferencës për të Ardhmen e Europës në Strasbourg, që përkoi me Ditën e Europës, Presidenti i Francës Emmanuel Macron parashtroi vizionin e tij për themelimin e një Komuniteti Politik Europian, me bindjen se, “BE-ja nuk mund të mbetet në një afat të shkurtër platforma e vetme për të strukturuar kontinentin europian”. Një komunitet politik i tillë, sipas Macron, do t’u mundësonte “shteteve demokratike europiane që besojnë në vlerat tona thelbësore një hapësirë të re për bashkëpunim politik për çështjet e sigurisë, energjisë, transportit, investimeve në infrastrukturë dhe lëvizjen e lirë të njerëzve, veçanërisht të të rinjve”.

Pavarësisht skepticizmit dhe paqartësisë rreth synimeve të kësaj nisme, e cila në vetvete nuk është e re, Komuniteti Politik Europian u miratua formalisht nga Këshilli Europian në muajin Qershor. Një propozim të ngjashëm bëri ish Presidenti francez Francois Mitterrand në vigjilje të rënies së Murit të Berlinit. Krahas krijimit të Konfederatës Europiane, Mitterrand propozoi edhe krijimin e një banke të përbashkët për të gjitha shtetet europiane.

Asokohe francezët i argumentuan propozimet e tyre si një përpjekje për të shmangur një zgjerim masiv dhe shumë të shpejtë të BE-së me shtete të sapodala nga zgjedha komuniste, i cili do të kishte vrarë projektin ende të brishtë të euros. Dhe përtej kësaj, shpresën për një Europë politike. Krijimi i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim synonte të financonte nevojat e shteteve të Europës Qendrore e Lindore. Ndërsa Konfederata Europiane, shihej si një mundësi për të gjitha këto shtete, për të marrë pjesë në ndërtimin politik dhe ushtarak të një Europe paqësore dhe të bashkuar.

Ideja e Mitterrand nuk u pranua, pjesërisht për shkak të kundërshtisë së SHBA-së që nuk dëshironte “ndarje” të reja në kontinent. Luftrat në ish Jugosllavi e gjetën të papërgatitur Europën në planin gjeopolitik. Do të mbetet e pashlyer në kujtesën e diplomacisë dhe gjeopolitikës qëndrimi i Ministrit të Jashtëm të Luksemburgut, Jacques Poos, në prag të shpërthimit të luftrave të ish Jugosllavi, në muajin Qershor të 1991-it. Ai i bëri thirrje shteteve europiane që të merrnin masat për t’iu përgjigjur një krizë që kërcënonte stabilitetin europian, me bindjen se "kjo është ora e Europës dhe jo ora e amerikanëve”.

Mirëpo, angazhimi amerikan ishte vendimtar për ndalimin e konflikteve të përgjakshme në mes të Europës. Europa e përqendruar tek ndërtimi i politikës së euros, u tregua e paaftë të vendoste theksin tek finalizimi i projektit të ribashkimit që nisi më rënien e Murit të Berlinit, si një projekt në antitezë me luftrat dhe konfkliktet e përgjakshme.

Edhe në të shkuarën janë hedhur ide të ngjashme të cilat kanë synuar finalizimin e projektit politik të Europës. Kështu, në Janar të vitit 2003, ish Presidenti i Komisionit Europian Romano Prodi propozoi krijimin e “unazës së miqve” rreth e qark BE-së. Ky propozim, i cili synonte anëtarësimin e shteteve të Ballkanit Perëndimor në BE, në harkun kohor të një dekade, dhe njëkohësisht krijimin e “unazës së miqve” rreth e qark një BE-je të zgjeruar, u parashtrua një vit para zgjerimit të madh të BE-së të vitit 2004, me shtetet e Europës Qendrore dhe Lindore.

Një pjesë e këtyre propozimeve u trupëzuan në Agjendën e Selanikut të vitit 2003, ku BE-ja u zotua për anëtarësimin e shteteve të Ballkanit Perëndimor në BE. Prodi e shihte Ballkanin si një lloj ure midis strategjisë së zgjerimit drejt lindjes dhe asaj që ai e quante "politika e re e fqinjësië". Përmes kësaj politike do të krijohej një marrëdhënie solide me fqinjët e një BE-je të zgjeruar, në një hark që do të shtrihej në Rusi, Ukrainë, Kaukaz dhe Moldavi, e deri në Marok, Tunizi dhe gjetkë. Nëse BE-ja do të dëshmonte vullnet politik për të jetësuar propozimet e Prodit, më e pakta që mund të thuhet është se sot do të kishim një realitet tjetër në rajonin tonë dhe një Europë më të sigurtë.

Pak a shumë të njejtën pikëpamje parashtroi në fillim të pranverës edhe ish Kryeministri italian Enrico Letta, i nxitur nga agresioni i Rusisë kundër Ukrainës. Ai propozoi krjimin e një Konfederate Europiane, si një mundësi për konsolidimin e projektit europian dhe transformimin e BE-së në një fuqi të vërtetë gjeopolitike.

Çfarë nuk është Komuniteti Politik Europian?

Në kushtet kur Komuniteti Politik Europian është një nismë në zhvillim e sipër, fillimisht është e rëndësishme të kuptohet se çfarë nuk është e çfarë nuk synon kjo nismë. Shqetësimi kryesor nëse Komuniteti Politik Europian është një çmim ngushëllues për shtete që nuk do të anëtarësohen dot në BE, apo një platformë drejt anëtarësimit të plotë, mori përgjigje nga vetë krerët e shteteve anëtare të BE-së. Sipas tyre, Komuniteti Politik Europian nuk është alternativë ndaj procesit të anëtarësimit në BE, dhe as synon zëvendësimin e procesit të zgjerimit. Kjo gjë shihet qartë edhe tek formati i Komunitetit Politik Europian me shtete që nuk synojnë anëtarësimin në BE, sikundër tek mjetet në dispozicion të kësaj nisme, që janë të ndryshme me ato të procesit të zgjerimit të BE-së.

Komuniteti Politik Europian nuk mund të zëvendësojë as Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE), si mishërim institucional i rendit kontinental të sigurisë, e që tani është në një moment tejet të vështirë, për shkak se parimet e udhërrëfyese të saj, që kanë lidhje me mosndërhyrjen, sovranitetin dhe integritetit territorial të shteteve pjesëmarrëse duken si një histori e të kaluarës, për shkak të imperializmit rus kundër Ukrainës. Gjithashtu, pa Rusinë dhe Bjellorusinë, Komuniteti Politik Europian nuk mund të sherbejë si një mekanizëm apo platformë për përfundimin e luftës në Europë.

Profili dhe mesazhet e Komunitetit Politik Europian

Kështu, duke përjashtuar opsionet e mësipërme, gradualisht u skicua profili i Komunitetit Politik Europian, në mbështetje të dialogut dhe bashkëpunimin politik me qëllim forcimin e sigurisë dhe prosperitetit europian. Kur flasim për këtë nismë, gjëja e parë e prekshme është se ajo u bë realitet përgjatë Samitit të Pragës më 6-7 Tetor, brenda një kohe të shkurtër nga prezantimi fillestar i saj. Megjithëse u ra dakord që takimet e ardhshme të mbahen në Moldavi, Spanjë dhe Mbretërinë e Bashkuar, duke siguruar peridiocitetin e nismës, ende nuk ka një dokument themelues apo kornizë të përgjithshme të funksionimit të Komunitetit Politik Europian.

Me Europën duke përjetuar muzgun e sigurisë, si pasojë e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës, mbledhja së bashku e dyzet e katër krerëve të shteteve me një gjeografi të gjerë nga Armenia në Islandë, ishte një mesazh kuptimplotë për Kremlinin. Natyrisht, mesazhi do të kishte qenë më i fortë nëse samiti do të shoqërohej me konkluzione të dakorduara. Por kjo ishte e pamundur, mbase për shkak të këtij formati kaq të gjerë.

Vetë Presidenti Macron, e konsideroi Komunitetin Politik Europian si një mundësi për shtetet europiane për të ndërtuar një “intimitet strategjik” (intimité stratégique). Mirëpo, në kushtet e përshkallëzimit të luftës në Ukrainë, pyetja që kërkon përgjigje është se çfarë do të synojë ky intimitet strategjik në pragun e Rusisë, aq më tepër kur kjo e fundit ka forcat e saj ushtarake të dislokuara në Ukrainë, Moldavi, dhe Gjeorgji.

Duhet theksuar se Komuniteti Politik Europian realizoi një rikthim modest të Mbretërisë së Bashkuar në një forum kontinental. Madje, vetë kryeministrja britanike, gjatë fjalës së saj, u kujdes të vinte në dukje rolin e patjetërsueshëm të Mbretërisë së Bashkuar në diskutimet gjeopolitike në kontinent edhe pas daljes nga BE-ja.
Në një tjetër shenjë të ngrohjes së marrëdhënieve të Bashkimit Europian dhe Mbretërisë së Bashkuar, anëtarët e Bashkëpunimit të Strukturuar të Përhershëm të BE-së, një iniciativë e mbrojtjes e BE-së që drejton gjashtëdhjetë projekte, me pjesëmarrjen e shteteve jo anëtare të BE-së si Kanadaja, Norvegjia dhe Shtetet e Bashkuara, ftuan Mbretërinë e Bashkuar në projektet e lëvizshmërisë ushtarake. Përveç kësaj, u njoftua mbajtja e një samiti britaniko-francez për në vitin 2023.

Komuniteti Politik Europian nuk ishte një takim i shteteve demokratike që ndajnë e zhvillojnë të njëjtin koncept për liritë, demokracinë dhe sundimin e së drejtës. Samiti i Pragës bëri bashkë shtete në armiqësi me njëra tjetrën, si Armenia e Azerbajxhani; shtete që nuk e njohin njëra tjetrën si Kosova e Serbia; apo shtete të cilat kanë mosmarrëveshje të njohura si Greqia e Turqia. Me fjalë të tjera, realpolitikës dhe “diplomacisë së bashkimit” iu dha përparësi përkundrejt kultivimit të vlerave dhe respektimit të parimeve europiane.

Në këtë kontekst duhet lexuar edhe ndërmjetësimi i takimit mes Armenisë e Azerbajxhanit, gjatë punimeve të samitit, që shënoi njëfarë progresi midis dy shteteve të Kaukazit Jugor. Apo edhe ripërtëritja e angazhimit gjermano-francez në procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ky format shumëflamujsh në mënyrë të pashmangshme zhvlerëson disi nëvojën për mesazh unifikues përkundrejt Rusisë. Dhe më e rëndësishmja, vë në pikëpyetje qendrueshmërinë dhe efikasitetin e nismës. Nga ana tjetër, nëse Komuniteti Politik Europian do të rreshtonte të gjithë kontinentin në emëruesin më të vogël të përbashkët, atë demokratik, do të kishte më pak pjesëmarrës dhe gjeografi më të kufizuar, çka nuk përputhet me qëllimin e nismës.

Si BE-ja ashtu dhe Mbretëria e Bashkuar apo shtete të tjera që nuk aspirojnë aderimin në BE u treguan të kujdesshëm për të theksuar faktin se Komuniteti Politik Europian nuk është një konstrukt apo produkt i BE-së. Ai nuk duhet të tjetërsohet në një organ për marrjen e vendimeve imponuese, por për dialog dhe kërkim të një shkalle linjëzimi mes shteteve pjesëmarrrëse. Në realitetin e fragmentuar dhe të kontestuar, të përcaktuar gjithnjë e më shumë nga pluraliteti i botëve të mendimit dhe interesave, ekzistenca e një hapësire të tillë për debat, për të zbutur dallimet mbi çështjet kyçe të ditës që shqetësojnë kontinentin - që prej revanshizmit të Rusisë e deri tek energjia dhe elasticiteti i zinxhirëve të furnizimit me produkte - ka një vlerë që nuk mund të hidhet kollaj poshtë.

Duhet të jemi realist se pjesëmarrësit në Komunitetin Politik Europian kanë qëndrime të ndryshme për çështje të caktuara. Por është e rëndësishme që të punohet për gjetjen e pikave të takimit, çka mund të realizohet përmes eksplorimit të praktikave më bashkëpunuese, duke reduktuar kësisoj varësitë strategjike dhe duke u angazhuar në projekte të ndërlidhjes.

Të vogla janë gjasat që një forum i tillë në një kohë të shkurtër të farkëtojë intimitetin strategjik të synuar nga Presidenti Macron. Gjithsesi, krerët e shteteve pjesëmarrëse duhet të paktën të ushtrojnë vetpërmbajtje për të mundësuar dialogun për tema të vështira, përfshirë këtu sanksionet ndaj Rusisë.

Pavarësisht se Komuniteti Politik Europian u nxit për shkak të pushtimit të Ukrainës nga Rusia, dhe për rrjedhojë, është një sinjal politik që tregon një lloj vendosmërie të përbashkët kundër Moskës, kuptimi i nismës përsa i përket sigurisë kolektive është i kufizuar. Disa shtete pjesëmarrëse (Azerbajxhan, Armeni, Turqi, Hungari, Serbi) janë të prirura të ruajnë marrëdhëniet e tyre të ngushta me Moskën. Nga ana tjetër, asnjë diskutim kontinental i sigurisë kolektive nuk mund të bëhet në mungesë të SHBA-ve dhe NATO-s. Afërmendsh, rifillimi i një diskutimi për sigurinë me Rusinë është i paimagjinueshëm në rrethanat aktuale. Ky ushtrim do të kërkojë kohën e vet në rrethana krejt të ndryshme nga ato të sotmet.

Megjithatë, Komuniteti Politik mund të funksionojë mbi një qasje pragmatiste, ku pjesëmarrësit mund të bëjnë gjëra bashkërisht pa qenë ose pa u bërë njësoj. Duke e bërë të qartë se ata që shkelin normat themelore të së drejtës ndërkombëtare nuk mund të lejohen të marrin pjesë, Komuniteti Politik Europian nuk duhet të shihet si një komunitet i vlerave, por i fatit. Një grup i madh shtetesh që duhet të merren me sfida të ngjashme në hapësirën dhe kohën e përbashkët.

Nëse Komuniteti Politik Europian kthehet në të ardhmen në një hapësirë ​​në të cilën zhvillohet politika europiane, kjo do të varet nga vullneti i shteteve pjesëmarrëse. Për të përparuar në botën e konkurrencës së fuqive të mëdha, ku mekanizmat tradicional të rendit ndërkombëtar janë dobësuar dhe ndarjet politike janë të shumta, Europa ka nevojë për forumin e saj kontinental.

Analiza është botim i Fondacionit “Friedrich Ebert”

EMISIONET