"Hënkshin Kokat!"
Rendi dhe siguria publike janë një nga pikat me kritike të qeverisë Rama edhe në mandatin e tretë. Edhe pse janë ndryshuar disa Ministra të Brendshëm, dhe drejtues policie, bandat kriminale vazhdojne aktivitetin e tyre të pashqetësuar.
Ata gjithnjë janë një hap para policisë, ashtu si dhe tonelatat e kokainës që së fundmi kanë filluar të kapen kur denoncohen nga vetë pronarët e kompanive, siç ishte rasti i kontenjerit në Vaqarr.
As ultimatumi që kryeministri Edi Rama i dha ish-drejtuesit Ardi Veliu për përmbushjen e detyrave brenda 100 ditëve në Policinë e Shtetit nuk dha asnjë efekt veç largimit të tij nga drejtimi i kupolës së policisë.
Pasuesi i tij, Gledis Nano, bëri 100 ditë në krye të Policisë së Shtetit dhe asgjë nuk ka ndryshuar megjithë rrokadën në drejtoritë rajonale të policisë. Askush nuk mban përgjegjësi për plumbat që bien breshëri në mes të Tiranës, siç ishte rasti i mbrëmshëm në "Don Bosko" apo për atentatin e datës 3 janar në Shkodër ndaj të shpallurit në kërkim ndërkombëtar.
Të kërkuarit nuk i gjen policia por njerëzit e bandave rivale, të cilat ende vijojnë të zbatojnë kodin që u dha kryeministri: “Hënkshin Kokat!"