Fushatë me ide politike, jo “teatrokraci”

Fushatë me ide politike, jo “teatrokraci”

Më duket se edhe kjo fushatë nuk do të purifikohet nga influencat toksike të fushatave që tipologjikisht më shumë se shanse për dialog dhe lidhje organike me elektoratin, janë kthyer në “teatrokraci masive”. Mjafton të shikoni tonuset e larta konfliktuale, shenjat mediatike, që dëshmojnë se edhe kjo fushatë duket se është e ndërtuar mbi tipologjinë e parimeve të vjetra elektorale dhe sipas parametrave të një strategjie kundërproduktive, të gabuar, agresive. Vëmendja për komponentët butaforikë duket maksimale. Shpenzimet për efektet spektakolare, akoma më të mëdha.

Teatrokracia, kjo sindromë e vjetër e politikës shqiptare, e zhvilluar në mënyrë dinamike dhe intensitet të pandalur, që ka qenë tipike për fushatat e kaluara, ndihet e reflektuar në mënyrë evidente edhe në logjikën politike të kësaj fushate. Formalizmi, mbivlerësimi i anës së jashtme militanteske, e shfaqur dukshëm si “teatrokraci”, në këto tri dekada e gjysmë ka qenë par excellence një model i keq parlamentarizmi, pa elegancë politike, sqimë urbane, me skarcitet politik dhe i mbushur me konflikte politike e personale, pa vlera utilitare, por edhe degraduese, e shoqëruar me skena banale të cinizmit politik.

Shpresoj se duke qenë në një fazë të re të politikës moderne, fushata këtë radhë të dalë nga kallëpet e ngurta të “teatrokracisë”, të komunikimeve bosh, apo luftës formale e absurde për audience elektorale sasiore. Kjo do të thotë se tani është momenti që politika të bëjë kthesën e duhur. Kjo do të thotë, se duhet frenuar dhe penalizuar moralisht, fushata e kthyer as thjesht në spektakël për të trullosur elektoratin, apo kthimin e saj në “makineri” dhe mjet okult, që pengon dhe nuk të lejon të perceptosh as programe strategjike të partive konkurruese, por as idetë individuale të secilit kandidat që është pretendet për deputet. Fushata nëse kthehet në teatrokraci, jo vetëm nuk ka vlerë, por është fare e pabesueshme për qytetarin. Qoftë për atë që është militant i deklaruar apo njeriun indiferent, qytetarin politikisht të paangazhuar dhe elektoralisht neutral. Koha ka treguar se partitë, por edhe kandidatët në fushatë, i kushtojnë më shumë rëndësi anës së jashtme, mizanskenave efektuoze, dukjes estetike apo thjesht elementëve të inskenimit të jashtëm, duke i kthyer ato në beteja konkurruese e të inskenuara të “regjive teatrale”, duke e kthyer fushatën politike në një fushatë të rivalitetit të inxhinierëve elektronikë, mjeshtërve të IT, arkitektëve të ndërtimit të skenave dhe dizenjatorëve që krijojnë efekte spektakolare. Por përtej anës së dukjes dhe rivalitetit teatral të fushatës, ka ca gjëra që meritojnë kujdes dhe vlerësim qytetar.

Që në fillim dua të them, se njerëzit dëshirojnë dhe urojnë, që në këto zgjedhje të zhvillohen në suazën e një fushatë normale, të ekuilibruar, modern, të qytetëruar me sa më pak eksese, urrejtje, nervozizëm e banalitete. Sepse kemi qenë të inonduar në 35 vjet nga fushata eksentrike, të ndërtuara mbi një kundërkulturë politike, e cila ka qenë gjithnjë e pranishme, e shfaqur në përmasat e një patologjie elektorale. Sepse për fat të keq, në fushata akoma më shumë se në ecurinë normale të jetës politike, shumë nga negacionet e njohura e tradicionale të politikës shqiptare, në vend që të zbuten, po agravohen në mënyrë paradoksale. Madje në jo pak raste, disa fushata kanë precipituar edhe me situata me natyrë kriminale.

Sepse është bërë zakon që në zgjedhje pikërisht është vetë politika që bëhet si “depozitë”, që përhap me shpejtësi, sasi dhe intensitet të lartë të “lëndës politikisht helmuese”, që i bëjnë jo vetëm marrëdhëniet midis politikanëve, por edhe midis qytetarëve të jenë shumë toksike e agresive. Tani jemi në moment me rëndësi zgjedhore. Fushata është kohë e bollshme për pritmëritë e rezultateve në fund të saj, sociologjikisht mjaftueshme për të gjykuar dhe analizuar tipologjinë, mënyrën si ndërtojnë strategjinë dhe taktikat partitë politike si entitete të ndryshme, të pavarura nga njëra-tjetra. Por mbi të gjitha mbetet për t’u parë dhe vlerësuar paradigmat, modalitetet si do ndërtohen lidhjet dhe marrëdhënie midis politikanëve, liderëve të partive politike dhe masës së qytetarëve, si votues potencialë. Si lidhje të natyrshme, sjellje organike apo si “teatrokraci”.

Kjo nuk është lidhje formale për dukje apo teatrokraci elektorale. Sepse pas kësaj ngjarjeje me rëndësi politike, që shfaqet herë thelbësore e po aq herë edhe spektakolare, janë gjëra shumë të rëndësishme, që duhen vlerësuar përtej entuziazmit dhe konflikteve partiake, dhe pavarësisht nga presionet e sondazheve paraprake, apo qoftë edhe nga rezultati përfundimtar. Këto ditë duket se ka një garë formale të shoqëruar nga një ekzagjerim i komponentëve formalo-estetikë dhe ritualo-teatralë e skenikë, duke e kthyer fushatën kryesisht në elementet më burokratike të saj, si garë statistikore dhe test butaforik, si qëllim në vetvete për nivelin e afirmimit të kandidatëve.

Si domos kjo “ekzigjencë formale estetike” ndihet tek ata kandidatë që janë të rinj, që sapo kanë hyrë dhe që nuk janë aq shumë të orientuar me stratagjemat e politikës shqiptare, e cila zhvillohet në një fushë të ndërlikuar dhe betejë e personalizuar dhe e pakomplikuar. Por si të doni mendoheni, qoftë si “votues”, apo “zgjedhës”, qytetar aktiv apo indiferent, partonazhist apo neutral, përtej teatralitetit, tani jemi në prag të zgjedhjeve parlamentare, natyrshëm ka filluar të na shqetësojë dilema pozitive dhe interesi qytetar, se cila do jetë dhe si do jetë cilësia e elitës politike, që do të përzgjidhet nga zgjedhjet e 11 majit.

Një pjesë e të cilëve do të jenë edhe anëtarë të qeverisë, ministra, drejtues të institucioneve themelore të shtetit. Dhe pavarësisht dëshirave për balanca dhe ekuilibra me elitat e tjera që ka shoqëria shqiptare, praktika ka treguar se politikanët bëjnë pjesë në këtë elitë, që është vendimmarrëse dhe që duam apo jo, ka epërsi mbi të tjerat. Këtu është përgjegjësia reciproke e klasës politike, por edhe e qytetarëve. Sepse në zgjedhjet e 11 majit do të votojmë për njerëz që do jenë pjesë e komunitetit parlamentar, personazhe politike me imunitet, legjitimitet dhe autoritet të veçantë legjislativ. Sepse brenda listave të kandidatëve për deputetë është “elita politike e specializuar për politikë”, ata që do jenë qeveritarët e nesërm. Prandaj njerëzit nuk kanë shumë dëshirë të kenë vullnet të interferuar nga tollovia intensive dhe bombardimet mediatike të “teatrokracisë elektorale”, që krijon shpesh imazhe të rreme, simulakra politike që “mbulojnë thelbin me ambalazhet e dukjes”.

Ata kanë të drejtë të jenë të shqetësuar, madje dyshues për procesin e përzgjedhjes, sepse deputetët janë “qenie politike” dhe jo fort të ngjashëm me anëtarët e elitave të tjera, me pushtet të determinuar dhe spektër të kufizuar profesional. Politikanët në përgjithësi dhe deputetët që do zgjidhen në 11 maj, kanë një sferë të gjerë ndikimesh, influencash për hartimin e programeve dhe drejtimet e zhvillimit të vendit. Nuk është fare tezë marksiste, që në shoqërinë tonë ndihet se politika ka rëndësi themelore, epërsi vendimtare dhe prandaj politikanët, cilësia e tyre vlerësohen dhe përzgjidhen si aktorë shumë të rëndësishëm. Politologët e kanë evidentuar këtë dukuri, duke thënë se politikanët në jetën e sotme sociale “zotërojnë pozicion vendimtar”.( Jean Blondel, politolog francez). Prandaj përzgjedhja dhe zgjedhja e tyre ka rëndësi dhe vlerësimi duhet bërë jo me konceptin e “teatrokracisë”. Nuk e di, por mirazhi i dukjes dhe efektet spektakolare të një “teatrokracie intensive”, nuk të mbushin mendjen se sa është mbajtur parasysh fakti nga partitë rivale, që të përzgjedhurit e tyre do të jenë aktorët që do të zënë poste publike, gjë të do arrihet nga ai krah që do marrë shumicën e votave në zgjedhjet e 11 majit.

Prandaj është me rëndësi cilësia e elitave politike të majta dhe të djathta, si një parakusht i rëndësishëm për “joshur politikisht” dhe tërhequr elektoralisht njerëzit në kutitë e votimit. Ky është synimi imediat dhe kryesor, në këto momente i partive dhe kandidatëve që synojnë të marrin pozicionin e deputetit. Kjo detyrë nuk është e lehtë, sepse “tregu elektoral” sot është i përzierë dhe “teatrokracia” është bërë e vështirë. Është naive të besosh vetëm në dukjet dhe teatralitetin elektoral militantesk, sepse në këtë proces të vendimmarrjes dhe përzgjedhjes, nuk janë vetëm militantët e besuar të krahëve respektive që janë “aktorët” kryesorë të “teatrokracisë”. Midis tyre është një “masë e amullt”, e lëkundur elektoralisht, që qëndron larg bravurave teatrale dhe që duhet tërhequr në kutitë e votimit. Me gjithë stratagjemat, kombinatorikat elektorale me ekspertë e sondazhistë të huaj apo vendës, për të ndërtuar skema të tërheqjes atraktive, problemi i pjesëmarrjes qytetare, gjithnjë ka qenë pika sasiore e dobët në zgjedhjet në Shqipëri.

Padyshim, është në aftësitë e kandidatëve, mundësitë e tyre që të kombinojnë staturën intelektuale e politike me strukturën e kësaj fushate. Le të shpresojmë që përtej kësaj faze kalimtare të “teatrokracisë elektorale”, këto kandidatura të jenë adekuate, me mundësi personale për të gjeneruar përfaqësues politikë e parlamentarë me nivel kulturor, autoritet personal të përgjithshëm, por sidomos në territoret politike dhe administrative ku janë propozuar për të qenë të zgjedhur. Për fat, një pjesë e madhe janë të rinj nga mosha, përgjithësisht me soliditet të qëndrueshëm arsimor e kulturor, koherentë me imperativat e politikës moderne, që e kapin me lehtësi “tingullin e kohës së re politike” që po vjen në Shqipëri. Veçse edhe ata duhet ta kuptojnë peshën e tranzicionit të kalimit nga qytetari i zakonshëm në “homo politikus”. Ai nuk ka lidhje me “teatrokracinë elektorale”, por me provën kohore personale më intensive dhe gjykimet në sfidën publike. Këtu kapërcehen kufijtë e “ëmbël të teatralitetit elektoral, sepse më tej priten sjellje, qëndrime politike moderne si mjet për të ndërtuar imazhin e tyre politik dhe publik.

EMISIONET