Fushatë dhe komplote
Edi Rama caktoi Ristanin si mëkembësen e vet për të drejtuar bashkinë e Tiranës.
Sot Veliaj nga burgu ka shkarkuar mëkembësen e Ramës dhe ka emëruar të veten.
Kjo domethënë luftë.
Me sa duket Lalit iu desh një muaj në qeli të kuptonte që nuk ishte Ulsiu koka e “komplotit”. Por dikush tjetër e kishte kuptuar me herët.
Dikush me eksperiencë shumë të madhe në këto gjera, dhe që e di shumë mirë se si funksionojnë intrigat e pallatit.
Sali Berisha ka kohë që ka zbutur tonet ndaj Erion Veliajt. Para dy tre ditësh madje tha që nuk është puna që të bëjmë Maks Haxhinë këtu, por këta Veliajn e futën në kurth me metodat e pështira të sigurimit të shtetit.
Por a mund te funksionojë aleanca e heshtur mes Sali Berishës dhe Veliajt? Kjo është ende herët të thuhet.
Por për ironi të fatit, aleati i vetëm potencial i Erion Veliajt në majën e politikës sot, është Sali Berisha. Kush do ta mendonte?
Tani Veliaj duhet të jetë i qartë për shumë gjëra. Pikësëpari për atë se fantazma me emrin Nesti Angoni nuk mund të vinte në lëvizje një ingranazh aq të rëndë sa ai i drejtësisë, pa dijeninë e Komandantit Suprem.
Së dyti, që dikush e përdori goditjen e tij, ose me saktë gabimin fatal të hyrjes në luftë me prokurorët dhe gjyqtarët, duke ja komplikuar edhe më shumë gjërat. Dhe sigurisht ky dikush nuk ishte në opozitë.
Aleancat në politikë janë fluide. Por më interesantet janë gjithmonë ato të heshturat, mes armiqve që dikur kanë dashur të ekzekutojnë njëri-tjetrin.