Erion Veliaj reagon shumë më ulët se Saimir Tahiri

Erion Veliaj reagon shumë më ulët se Saimir Tahiri

Kur në qershor 2019 gazeta gjermane Bild botoi përgjimet e prokurorisë mbi manipulimet e zgjedhjeve bashkiake Dibër/2016 ndër to spikaste biseda telefonike e Saimir Tahirit, asokohe Ministër I Brendshëm me një shef policie në Peshkopi.

Spikaste për nga dendësia e vrazhdësia e fjalëve të ndyra. Pas publikimit të gazetës Bild, Tahiri, i cili ishte nën akuzë penale për trafik droge, përmes një deklarate i kërkoi publikut "ndjesë të sinqertë për fjalorin aspak të përshtatshëm."

Kjo bisedë telefonike ishte private dhe vetëm mes dy burrave, përkatësisht ministër e polic.

Dje, kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj, pranoi se një regjistrim zanor ku dëgjohej zëri i tij duke mbajtur një fjalim që spikaste për nga dendësia e vrazhdësia e fjalëve të ndyra ishte vërtet i tij.

Por ai shpjegoi dje se ishte thjesht një "muhabet çunash".

Sipas të pranishmëve kryebashkiaku foli kështu pardje në Hotel Tirana Int, në një mbledhje të thirrur prej tij të shoqatave të futbollit tiranas me afro dyzetë vetë prezent.

Nuk u tha nëse mes tyre kishte zonja. Veliajt as nuk i shkoi ndërmend të kërkonte ndjesë. Ai tha vetëm se "muhabetin e çunave" ja kishin nxjerrë jashtë kontekstit.

Kush thotë se fjalët e ndyra janë një pikë uji në detin e zullumit të lalit të vogël ka shumë të drejtë. Kjo vlen edhe për Tahirin.

Por ky krahasim nuk tregon vetëm paedukatën, arrogancën e paturpësinë e Veliajt. As avdallëkun e tij në publik.

Krahasimi dëshmon se tek njeriu e keqja nuk ka cak; se kur të duket se ke arritur fundin, prapë zbulon gropë nën këmbët e tua.

Edi Rama, i cili mburret se ka futur në qeveri kulturën e ndjesëkërkesës, mund të ketë pasur të drejtë kur fillimisht e paksa i trembur e quajti Tahirin vemje politike.

Por sa ironike është kur "vemja" në këtë rast rezulton etalon etik për kryebashkiakun e shefin politik të Tiranës për Partinë Socialiste.

P. S. Veliaj reagoi sërish sot duke thënë “Kush është ndjerë i ofenduar dhe s’ka idenë se si bëhet muhabet çunash kërkoj ndjesë.”

Duke shtuar se këto janë muhabete çunash me dhe pa tuta në dhomat e zhveshjes. Siç e shihni i pamundur të thotë një ndjesëkërkesë normale.

Dhe mbi të gjitha i pamundur të rrëfejë ngjarjen pa gënjyer.

EMISIONET