Emigrantë, mos lejoni të përdorin të drejtën tuaj kushtetuese të pensionit për fushatë politike!
Me 273 vota pro unanime nga 273 deputetë në sallë, dhoma e deputetëve e Parlamentit italian votoi draftin ligjin e propozuar nga qeveria mbi marrëveshjen e pensioneve të emigrantëve, nënshkruar më 6 shkurt 2024 me Shqipërinë.
Emigrantët shqiptarë, që 34 vite më parë mbërritën në këtë vend e sot në moshë mbi 60 o 70-vjecarë, fituan më në fund një të drejtë kushtetuese.
U deshën plot 34 vite!
E janë po aq vite sa iu deshën dhe atdheut të tyre, Shqipërisë t'u jepte të drejtën kushtetuese të votës.
Emigrantët, punonjës shqiptarë në Itali në moshë pensioni, apo në invaliditet, sëmundje o kushte të veçanta, do të kenë më në fund mundësinë të kenë një pension dinjitoz.
Ishte një rrugëtim, betejë e jetës së tyre në emigracion e si kontribuues në ekonominë e zhvillimin e Italisë mbi 3 dekada, por dhe i Shqipërisë në momentet më dramatike të ekonomisë së atdheut, që nuk i vlerësoi kurrë sa duhet.
Sot ky ligj është fitorja e merituar e emigrantit të ndershëm shqiptar, por dhe e emigrantit patriot shqiptar, që me punën në Itali e dërgesat financiare në ndihmë të familjarëve në Shqipëri, nxori në pah modelin e tij si një punonjës e qytetar europian që shkelmon paragjykimet e stereotipeve "albanese mafioso" e "ladro albanese".
Ky ligj shtron rrugëtimin e një të ardhme më të qetë dhe për emigrantët e shqiptarë të brezit të dytë, por dhe për ata që sot shumë më tepër se më fillimvitet '90, po emigrojnë duke u larguar nga Shqipëria.
Shqipëria, atdheu, dheu i etërve, baballarëve të kombit e të parëve të çdo familje emigrante shqiptare po kalon momentin më të vështirë të sistemit ligjvënës, ligjzbatues e parimeve të demokracisë.
Ky ligj nuk duhet lejuar të përdoret si fushatë komunikuese e një propagande politike e as si flamur beteje elektorale.
Beteja e fitorja qe e vetë emigrantëve shqiptarë, atyre të ndershëm që sot janë zgjuar herët e kanë nisur punën pa gdhirë si çdo ditë.
Shumë prej tyre janë ata djemtë e viteve '90, sot në moshë pensioni, por që duhet tê punojnë deri sa ky ligj të hyj në fuqi.
Prej sot ky draft ligj i kalon dhomës së Senatit për të ndjekur rrugëtimin në komisionet përkatëse e deri në votimin në Asamblenë Parlamentare.