Emigracioni mban “peng” statistikat
Në shkurt të çdo viti, INSTAT ka publikuar historikisht statistikat për numrin e popullsisë së vendit. “Shkeljen” e parë të periodicitetit të këtyre të dhënave e bëri gjatë pandemisë, kur publikimi u spostua me 1 muaj. Më pas në vitin 2021, numri i popullatës që jeton në Shqipëri doli 2 javë pas zgjedhjeve të 25 prillit.
Këtë vit, dhe pse zgjedhjet ishin më 14 maj, afati u shty që statistikat të publikohen me një tjetër vonesë, në datën 23 maj 2023.
Instituti i Statistikave tha se shtyrja po bëhej pasi metodologjia e matjes po afrohej me atë të Eurostat, por dhe pse data 23 kaloi, të dhënat e popullsisë nuk dihen.
Këtë vit ndodhi për herë të parë që të publikohen statistikat e lindjeve dhe vdekjeve për 3-mujorin e parë, përpara atyre të popullsisë në 1 janar 2023.
Pra, praktikisht e dimë shtesën natyrore, por nuk duam të dimë sa kanë ardhur e sa kanë ikur nga vendi.
Terri informativ me të dhënat e popullatës nuk mban peng vetëm llogaritjet që i duhen gazetarëve, partive politike dhe organizatave për punën e tyre të përditshme, por penalizon pikësëpari standardet e mirëqeverisjes dhe qytetarët.
Popullsia në nivel qarku, statistikat e tregu të punës, mosha mediane, migrimi, arsimi dhe mbrojtja sociale dalin nga të dhënat e popullatës, e mbi këta tregues orientohen më pas politikat buxhetore se çfarë duhet bërë për çdo kategori: zonat e varfra, qarqet me ikjet më të mëdha, papunësinë e të rinjve etj.
Kështu siç po i shtyjnë statistikat e popullsisë, bashkë me Censin që duhet të ishte bërë që në vitin 2021, po rrezikojmë të përfundojmë si India.
Por në Indi nuk dihet sa janë se po shtohen shumë, kurse te ne nuk i matin sepse s’po ngelet njeri dhe kanë frikë të shohin numrat.