Editorial i “DREJT” - Çmimi i marrëzisë

Përkundër betejës për dyert e Partisë Demokratike, që në fakt ka imponuar zhvillimet politike të gjysmës së dytë të vitit që sapo u mbyll e që po vazhdon të jetë ngjarje e ditës edhe në këtë fillimviti, marrëzitë e pushtetit duken si të lëna mënjanë, pavarësisht kostove të mëdha që në fund të fundit rëndojnë mbi qytetarët.

Jo thjeshtë e vetëm mungesa e transparencës për mënyrën se si trajtohen dhe administrohen fondet publike, projektet publike apo edhe vetë prona publike, por problemi më i madh është përpjekja për ta fshehur të vërtetën dhe për ta manipuluar, me qëllim që qytetarët, taksapaguesit të mos e mësojnë të vërtetën që fshihet pas fasadës së propagandës.

Koncesionet korruptive dhe partneriteti publik-privat i shndërruar në partneritet me krimin dhe korrupsionin që nuk ka për model vetëm inceneratorët, por edhe shumë afera të tjera të ngjashme, janë vetëm njëra anë e shpërdorimit të pushtetit, i cili po bën të gjitha përpjekjet ta mbajë të fshehtë sa më shumë të jetë e mundur këtë anë të errët të qeverisjes.

Rasti i inceneratorëve është padyshim nga më flagrantët.

Ndërsa qeveria po bën të gjitha përpjekjet të dalë e pastër nga plehrat dhe industria e saj, SPAK-u nga ana tjetër ende nuk po dëshmon se duhet të përmbushë pritshmëritë e qytetarëve ndaj Reformës në Drejtësi dhe se roli i tij është përcaktues në rritjen ose jo të besueshmërisë ndaj gjithë sistemit të drejtësisë.

Por një problem shumë i madh është ndërkaq edhe detyrimi që ka e që duhet të paguajë shteti shqiptar, përkatësisht qytetarët taksapagues më saktë, ndaj subjekteve të ndryshëm për shkak të vendimeve të arbitrazhit ndërkombëtar, sipas të cilave shteti shqiptar ka humbur dhe duhet të paguajë.

Rasti “Becchetti” është njëri nga të shumtët që dëshmon se deri ku mbërrin çmimi i marrëzisë dhe arbitraritetit të pushtetit.

Edhe pse autoritetet shtetërore prej Kryeministrit dhe të tjerë janë betuar e stërbetuar se Becchetti nuk do të marrë asnjë qindarkë, Ministria e Financave dhe Kontrolli  i Lartë i Shtetit konfirmojnë se për llogari të tij tashmë janë mbajtur disa këste pagesash për shkak të ekzekutimit të vendimit e do të vazhdojnë të mbahen edhe gjatë vitit që sapo kemi nisur.

Vetëm prej vendimeve të humbura në arbitrazh deri tani, shteti shqiptar detyrohet t’ju marrë taksapaguesve rreth 400 milionë euro që të paguajë çmimin e marrëzisë dhe të arbitraritetit të qeverisë.

Është padyshim një dëm shumë i madh. Mirëpo, nëse çmimin e marrëzisë e paguajnë qytetarët, kush do të mbajë përgjegjësi për dëmin e shkaktuar?

A ka SPAK-u në plan të merret me shkaktarët e këtij dëmi?!

EMISIONET