Editorial i Drejt - Dimri i PD-së

Ky është faji i çdo lideri politik në vend dhe mendoj se një gjë e tillë është thelbësore. Berisha në fakt me dorëheqjen e tij e ka vendosur si standard.

Vjeshta dhe temperaturat në ulje në prag të dimrit, nuk e kanë ndikuar dot të nxehtin e debatit brenda Partisë Demokratike, anëtarësia e së cilës po kalamendet mes forumeve dhe foltores, pa qenë e sigurt se ku do të mbërrijë.

Në këtë kohë krize e rritje çmimesh, kur varfëria me gjasë do të prekë edhe më shumë të tjerë përpos atyre që i ka vënë nën vete me kohë dhe kur koncesionet e qeverisë nuk duan t’ia dinë për asgjë tjetër përpos fitimeve pa cak, debati brenda dhe për çfarë po ndodh me Partinë Demokratike është një kuturisje që me sa duket do të vazhdojë gjatë.

Sali Berisha, sot pa asnjë atribut formal përfaqësimi në Partinë Demokratike, me Foltoren e vet po përpiqet, siç deklaron edhe ai përgjatë rrugëtimit të saj, t’i kthejë legjitimitetin dhe sovranitetin e nëpërkëmbur forumeve të Partisë Demokratike.

Mbledhja e militantëve të Partisë Demokratike, përkatësisht edhe e simpatizantëve të tij, është gjithaq edhe një sfidë për të dëshmuar forcë përballë Kryetarit Lulzim Basha, i cili nga ana e vet ka zgjedhur të mos përballet me të njëjtën mënyrë.

I gjendur përballë alternativës së vetme pa shteg tjetër kalimi, Lulzim Basha edhe nën presionin e partnerëve strategjikë, vendosi ta përjashtojë Sali Berishën nga grupi i deputetëve përfaqësues të Partisë Demokratike, duke marrë mbi vete kësisoj përgjegjësinë e një vendimi që me apo pa dashje, krijoi ndarjen në dy kahje të zhvillimeve brenda Partisë Demokratike.

Shumëkush thotë që të paktën kjo parti po fiton debatin brenda saj.  Po a është në fakt kështu, kur po ti referohemi historisë tridhjetëvjeçare të saj, nuk është se ka ndonjë dëshmi se debati ka qenë institucion i pranuar në forumet e Partisë Demokratike.

Të tjerë parathonë se situata do të vijë duke u përkeqësuar, aq sa me mbledhjen e firmave dhe thirrjen e Kuvendit Kombëtar përplasja e palëve do të jetë e pa evitueshme.

Po çfarë do të ndodhë me Partinë Demokratike?

A do t’ia dalë Berisha ta largojë Lulzim Bashën nga posti i Kryetarit të Partisë Demokratike, apo Kryetari i saporizgjedhur edhe me mbështetjen e vetë Berishës vetëm tre muaj më parë, edhe pse humbi sërish në zgjedhje siç ka humbur që prej kur është kryetar i Partisë Demokratike, do të dëshmojë se ka me vete jo vetëm grupin parlamentar, por edhe forumet përfaqësuese të partisë?

Përballja me gjasë do të vijë duke u ashpërsuar e palët duan apo nuk duan, nuk kanë rrugë tjetër përveç se ta sfidojnë realitetin e krijuar.

Por si? Mbetet për t’u parë…

EMISIONET