Edhe njëqind vjet, në vafshim si po vemi, do të jemi aq poshtë sa edhe sot
Teksa shkruaj këto rreshta jam e vetëdijshme që nuk jam eksperte e politikës së jashtme , por një njohëse deri diku e mirë e proceseve negociatore në zgjidhjen e konflikteve financiare .
Parimi i gjithëpranuar në një negociatë është që nuk ka rendësi nga anon e drejta. Në negociatë është e rëndësishme që palë të takohen në një pikë. Me nervat e tendosura europiane edhe amerikane nga konflikti në Ukrainë, vështirë që pika e takimit të jetë ne favor te Kosovës , e cila sot është në atë tavolinë mbi të gjitha e vetme.
Megjithëse pavarësia e Kosovës duket si një vije e kuqe e palëvizshme, vendosur nga amerikanët , për ekspertët e politikës së jashtme amerikane , sot vijat e kuqe amerikane nuk janë më të shënuara në gur, sidomos për kombe me aftësi te dobëta shtetformuese.
Kosova sot, me ushtrimin e sovranitetit të saj, ka çuar në ezaurim durimin e aleateve të saj stradegjikë. Mallkuar qoftë Albin Kurti për këtë.
Por më shumë se qëndrimi i Albin Kurtit, Kosovën e kanë dobësuar " përdredhjet" e Aleatit të vetëm natyral, Shqipërisë.
Sot qëndrimi i Shqipërisë, i imi e i juaji , paraqitet si një plan personal individual sekret , i pa diskutuar e i pa dakordësuar me intelektualë historianë diplomatë kosovarë e shqiptarë, i pa dakordësuar, qoftë edhe me opozitën kosovare " të të mallkuarit" Kurti.
Kjo kulturë përjashtimi në favor të triumfit edhe protagonizmit grotesk personal , kultura e ushqyerjes ndër nesh e pafuqisë edhe e përuljes, kultura e promovimit të sjelljes si mik në shtëpinë tënde, ku puthim e shtrëngojmë Kryeministren italiane , por nga Kryeministri shqiptar i Kosovës kërkojmë ftesa e lutje për ndihmë, se përndryshe ne sillemi si Holandezët ose si faktorë"mbi palët" ,shqiptarinë e con drejt kurkundit.
100 vjet më parë Konica shkruante:
"Shqiptarët e mjerë presin që Evropa të vijë sot a nesër t’i shpëtojë. Është nevojë të themi, të bërtasim të vërtetën: Evropa shqiptarët i ka për të egër e për të humbur… Le të themi pra të vërtetën, gjithnjë të vërtetën të përpiqemi t’i fryjmë popullit tonë pak jetë e pak guxim.
Ta dini se ne në sy të Evropës së qytetëruar, jemi të prapambetur, dhe asgjë më shumë; ca na shajnë, ca na përqeshin, ca të pakëve u vjen keq. Hiqni dorë ju them, se u bëmë palaçot e dheut.
Heshtni, shtrohuni, bashkohuni. Udha që shpie në nder, në liri e në shpëtim, nuk është e shtruar me lule, po me ferra; kush arrin në kulm, arrin i grisur, i djersitur, i përgjakur; dhe kur arrin në kulm, bie i vdekur nga të lodhurit, por me vetëdijen që i hapi një udhë të re popullit.
Duke parë dhe duke dëgjuar, bota mësojnë mend dhe ndërtohen. Ne shqiptarët, s’marrim dot mësime; malet të tunden dhe të rrëkëllehen, ne nuk këmbejmë mënyrën tonë. Mbani mirë këtë që po ju them: në njëqind vjet, në vafshim si po vemi, do të jemi aq poshtë sa edhe sot".
E pra edhe 100 vjet në vafshim si po vemi do të jemi më poshtë nga c'jemi sot" edhe sikur të harxhojme gjithë pasurinë edhe energjinë tonë që "Economist" apo "Finacial Times" të shkruajë mirë për ne!