E para është protesta

E para është protesta

Sot, më 6 dhjetor 2022, në Tiranë u protestua nga opozita dhe qytetarët shqiptarë. Shumëkush nuk ka qenë dakord me këtë protestë, me pretekstin se në të njëjtën ditë në kryeqytetin shqiptar mbahej samiti i radhës i liderve të Bashkimit Europian dhe atyre të vendeve të Ballkanit Perëndimor, ku u firmos marrëveshja “Roaming” etj.

Gjithë këto ditë nga zyrtarët e lartë të qeverisë përmendej “perimetri i sigurisë”, a thua se opozita po përgatiste ndonjë komplot. Jo, nuk e prish protesta imazhin e shtetit, qeverisë, aq më pak të shoqërisë, përekundrazi e forcon.

Kjo duhet kuptuar njëherë e mirë mbas 30 e ca vitesh shoqëri e lirë. Mbledhja e BE në Tiranë duhet parë si një ngjarje politike me rëndësi, por jo si diçka domosdoshmërisht historike, e papërsëristshme, që ndodhi njëherë e nuk do të ndodhë kurrë më.

Për qeveritarët europianë ajo është punë dhe jo festë, kështu që mund të kursehej vallja, ashtu si në protestën e opozitës mund të mos ishte ajo kënga e zisë me të cilën u hap. Për mendimin tonë, në të dy rastet një skenografi e panevojshme, qeveria për të dhënë imazhin e çdo gjëjë që vete mirë, opozita atë të gjithçkaje keq. Pavarësisht kësaj, protesta është lajm sa herë të ndodhë.

Ajo është e para dhe duhet konsideruar si një institucion qytetar, pasi bëhet me sakrificë dhe pa asnjë lek të shtetit. Nëse është dhe vetëm një njeri që proteston me një pankartë në duar, ai nuk do parë si një kuriozitet për në Gines, por si një padrejtësi që i është bërë dikujt në shoqëri e nesër mund të ndodhë ty.

Del e proteston gjithmonë ai që ka një hall, që ndjen se ky vend nuk po shkon aty ku pritej, për më tepër duke u përballur me arrogancën e pushtetit. E ky njeri nuk është vetëm demokrat, por dhe socialist i thjeshtë, pasi dhe ky i fundit preket nga korrupsioni i përditshëm që zhvillohet në sy të tij etj.

Janë dhe taksat e tij që shkojnë nesër për të paguar “Prestige Resort”-in e hedhur në erë, ashtu si në rastin “Beketi”. Mund të jetë çeshtje etike nëse ai nuk ishte sot në protestë, por nesër kutia e votimit është dhe ai “protestues”.

Protesta është pushteti i vetëm i individit pa pushtet. Ajo nuk ka rëndësi nëse zhvillohet në shi a në diell, të martën apo të dielën, kur ke ose jo miqtë europianë në shtëpi, të cilët janë dhe miqtë e opozitës.

Ata dinë ta lexojnë më mirë se kushdo lirinë e fjalës, tubimeve demokratike, mediave të pakapura, një opinon publik të ngritur etj.
Jo më kot në Bibël e para ishte fjala, në kohë moderne... protesta qytetare!

Ndue Dedaj
6 dhjetor 2022

EMISIONET