Dritërofsh përjetë Dritëroi Ynē

Dritërofsh përjetë Dritëroi Ynē

Nuk ka një rast e as një shembull tjetër ku emri i shkrimtarit të na sjellë të përmbledhur në një, madhështinë e epërme e po aq të fisme e tokësore të njeriut, të jetës dhe të veprës së tij, sa në rastin e Dritëroit.

Ai ishte dhe është ndër ne i përveçuar prej emrit, pikërisht prej kësaj përmase të pazakontë.

Njësoj si Naim Frashëri që në vetëdijen shqiptare është përveçuar e përjetësuar si Naimi ynë, aq sa boll të thuash Naimi e menjëherë në mendje të vjen vetëm “Naim beu i tokës time” siç e quan atë Dritëroi, edhe Dritëro Agolli është bërë e ka mbetur përjetësisht Dritëroi ynë.

Në çdo ditë të jetës e në çdo gjurmë të veprës, në çdo fjalë e në çdo gërmë të saj, është Dritëroi.

E gjithkund ku është Dritëroi, ka shumë zemër, ka shumë mirësi.

Dritëroi njihte me emër njerëz nga e gjithë Shqipëria, nga të gjitha viset e saj, nga çdo trevë, nga çdo krahinë.

Nuk lodhej kurrë së takuari njerëz, nuk mërzitej me ta.

Ata e gjallëronin, e gëzonin, e frymëzonin, por edhe e trishtonin kur flisnin për hallet e tyre, e vinin në mendime.

I ndjente dhe i respektonte me shpirt.

Mund ta them me bindje që asnjë shkrimtar tjetër në Shqipëri nuk mund të ketë takuar e njohur aq shumë njerëz sa Dritëroi e t’i ketë bërë ata pjesë të veprës së vet sa ai.

Në marrëdhëniet me njerëzit shfaqej përmasa e ndjeshmërisë së tij; e ndjeshmërisë, e dashurisë, e vëmendjes, e respektit, e mirënjohjes dhe e mirësisë së një shpirti që nuk mund të ishte tjetër, por shpirti prej apostulli i Dritëroit.

Sido që të shkruhet, nga kushdo që do të shkruhet, historia e letërsisë shqipe, do t’i ruajë Dritëro Agollit kryet e vendit.

Përmes librave të tij, brezat e sotëm dhe breza të tjerë, të rinj, që u mungon çdo përfytyrim për jetën në shoqërinë e dikurshme, do të rinjohin të shkuarën e prindërve të tyre.

Ndaj shqiptarët nuk do ta harrojnë e gjithmonë do ta kujtojnë e nderojnë Dritëronë, sepse disa breza një pas një për më shumë se një gjysmë shekulli e mësuan bukurinë e gjuhës shqipe përmes poezive, tregimeve dhe romaneve, dramave dhe filmave, reportazheve dhe artikujve, fjalimeve të njërës kohë dhe të tjetrës.

E në ardhtë një ditë që gjysmëshekulli letërsi të gjykohen prej pranisë së njeriut, Dritëroi mund t’ia shpëtojë nderin asaj!

Shqiptarët nuk do ta harrojnë dhe do ta nderojnë përjetë Dritëronë, sepse në veprën e tij ka aq shumë Shqipëri e shqiptari sa nuk mund të krahasohet thuajse askush tjetër me të!

Dritërofsh përjetë Dritëroi ynë!

 

 

EMISIONET