Drama e Portit të Durrësit, shtatë dete përtej korrupsionit

Drama e Portit të Durrësit, shtatë dete përtej korrupsionit

Në debatin e nxehtë të ditëve të fundit për Portin e Durrësit, opozita dhe të gjithë aktorët që e kundërshtojnë atë, duke e quajtur ‘aferë’, përqendrohen thuajse ekskluzivisht te korrupsioni, pra te vjedhja në para, procedurë apo transparencë e gjësë publike, si kur ajo është materiale apo virtuale.

Një gjë, më duket mua, është huqur në gjithë këtë shënjestrim belicioz: nuk është korrupsioni problemi. Poshtë gjithë asaj, që duket qartësisht si abuzim dhe vjedhje, shtrihet një armik edhe më i rrezikshëm se shpërdorimi dhe përvetësimi i fondeve publike.

E kam fjalë për ndarjen e të qeverisurit si akt i të mirës publike nga qeverisja si akt i spektakolares dhe i elitares. Edi Rama fundoset vazhdimisht në këtë kategorinë e dytë dhe vazhdon me një arrogancë pa të dytë në kontinent.

Nëse Enver Hoxha kishte zbuluar paradigmën dhe totemin e “industrializimit të rëndë të vendit”, që e nxori Shqipërinë nga komunizmi të mishëruar në shprehjen e famshme të Azem Hajdarit ‘Kombinati Metalurgjik që nuk prodhon dot një tapë shishe birre’, Edi Rama ka rënë pre e një magjepseje tjetër. Ai beson se vetëm zbukurimi, miti i së bukurës, industria e lehtë e dukjes, mund ta shpëtojë Shqipërinë.

Nëse merni në analizë aktet e tij publike, janë të gjitha jo për shtetin si garantues të publikes, por për shtetin si akt krijimtarie, shtetin e së bukurës. Në fillim fare, ai e filloi me tritol ndaj disa ndërtesave në Tiranë dhe më vonë ndaj një prone të ish-kreut të opozitës në Vlorë. Problem në vetvete nuk janë shembjet kontraverse dhe publike, por çfarë e pason aksionin. Nuk duhet anësi partiake për ta kuptuar se z. Rama shkuli ca kërpudha abuzimi publik dhe mbolli qindra të tjera vetë duke i kthyer në simbolikë të qeverisjes së tij.

Kur ngre kryet nëpër Tiranë sheh kulla që, për vete dhe në raport me veten qëndrojnë, por bien me tërsëllimë kur i sheh të futura në panoramën e madhe të qytetit. Tirana, kështu siç po përvijohet po ngecet në botëkuptimin e një Las Vegasi të pamundur, së larti, dhe në mes e poshtë një qytezë sovjetike e pas Luftës së dytë Botërore.

Me radhë vijon kjo filozofi që lufton vdekjen te autori, por e vdes qytetin dhe vendin. Deri te akti i fundit, Porti i Durrësit, i cili më shumë se akt korrupsioni është shenjë se Edi Rama dhe qeverisja e tij janë shkëputur nga realiteti.

Rama nuk krijon komunitete, qytete dhe hapësira publike, por enklava. Këta ishuj mund të jenë herë të tmerrshëm, një lloj rripi Gaze, herë të tjera të mrekullueshme si një Soho në miniaturë, por ato janë shenja të një zhvillimi të paqëndrueshëm, të një qeverisjeje që, amerikanët e quajën whimsical apo tekanjoze.

Edhe porti i Durrësit është përpjekja e Ramës (lëmë korrupsionin mënjanë) për të ndërtuar nëpër Shqipëri fshatin Potemkin, pra një fasadë që mbulon realitetin, të huton me formën, dhe fsheh përmbajtjen.

Por, jo vetëm kaq dhe shumë më shumë se kaq, Edi Rama është kthyer në një kryeministër përbuzës, si për kundërshtarët ashtu dhe për popullin. Çfarë tjetër është një mega-ndërtim i dizajnuar i gjithi për banim, argëtim dhe shtiblerje? Çdo gjë për të pasurit dhe për popullin, asgjë për publin.

Cilës kategori të popullatës i drejtohet, përveç 2 përqindëshit të shumë të pasurve? Të marrësh portin më të madh të vendit, dhe ta zhbësh mbi premisa estetike dhe të ndotjes së mjedisit, ndërkohë që je vetë ndotësi më i madh i mjedisit, duke lejuar grosistët e naftës të tregtojnë karburante jashtë standardeve dhe të manipuluara, është një tallje e hapur.

Njerëzit, e detektojnë këtë me intuitë apo analizë. Prandaj ikin dhe duan të ikin kaq shumë shqiptarë nga atdheu. Ata ndihen të përjashtuar në vendin e tyre.

Shpopullimi është pasojë direkte e kësaj mënyrë të qeverisuri e cila e ka enverizuar diskursin publik dhe enklavizuar popullatën, duke pakësuar, gjithnjë e më shumë, shtresën e mesme. Rama e di se të pasurit kapen kollaj, se nuk duan të humbin pasuritë, dhe të varfrit po aq lehtë, sepse shtyhen nga pamundësia. E vetmja rezistencë mbetet shtresa e mesme, njerëz që mund të jetojnë pa qeverinë.

Gjejeni këtë gjurmë lufte kundër shtresës së mesme në aktivitetin politik të Ramës apo në ‘veprat’ e tij. Rama ndërton lart ose poshtë, ndërkohë që në mes vetëm gjuan. A nuk e shpjegon kjo mënyrën si u soll me pedagogët? Jo se ai i ndihmon të varfrit, por ua ka frikën numrave të tyre dhe i zbut, ose më lëmoshë ose me cirk.

Sa për të pasurit, e gjeni flirtin e tij me ta në të gjitha zonat rezidenciale, fshatrat turistike, komunitetet e mbyllura dhe, sidomos dorëzimin e thuajse gjithë superstrukurës publike të vendit.

Porti i Durrësit është dorashka e fundit që Edi Rama i hedh publikut të çoroditur. Të pasurit do ta zotërojnë, ndërsa të varfrit do të kënaqen pse mund të shëtisin mbrëmjeve në të, dhe të blejnë fara ose kokoshka. Kjo është një ironi e hidhur e njeriut që fliste për sistemin që prish individin. Ironi, sepse ai u bë vetë individi që krijoi një sistem, ndërtuar dhe frymzuar nga prishja.

Porti i Durrësit mund të kërkojë të jetë dhe madje t’ia dalë të jetë një ‘Manhattan’ në vetvete, por përballë vendit dhe popullit të atij vendi, ai nuk do të jetë më shumë se një fasadë përgjatë Adriaktikut, për të fshehur shëmtinë e Kënetës, Golemit dhe gjithë vijës së horizontit që prishën, pikërisht ata që po ngulin një kartolinë betoni dhe dritash në qytetin që i pa të gjitha qytetërimet dhe barbaritë, dhe u rrëgjua në duart e vendasve.

EMISIONET