Do shkoj bari n'rronjë

Do shkoj bari n'rronjë

Kisha të njëjtën moshë që ka im bir sot, kur në Shqipëri u shemb komunizmi.

Im bir ka sot të njëjtën moshë timen, e lexon se në Shqipëri nuk u shemb komunizmi.

Kisha të njëjtën moshë që ka im bir sot, kur mësova se diktatura komuniste me ideues, frymëzues e realizues Enver Hoxhën, për gjysëm shekulli mbolli urrejtje, vdekje e të keqe në vendin tim.

Im bir ka sot të njëjtën moshë timen, e lexon se në Shqipëri askush nuk është shpallur fajtor për këto krime, e po askush nuk ka bërë një falje publike e politike në emër të kombit.

Kisha të njëjtën moshë që ka im bir sot, kur mora për herë të parë në duar Kuranin e Biblën e mësova se klerikë myslimanë e të krishterë, shqiptarë e të huaj, ishin masakruar, burgosur e mbetur viktimë në Shqipërinë komuniste.

Im bir ka sot të njëjtën moshë timen, e lexon në italisht At Zef Pllumin që shkruan; "Il mio paese non si trova ai confini del mondo o in qualche remoto angolo sconosciuto del globo. La mia Albania si trova nel cuore dell'Europa, la dove nascono i destini della civiltà occidentale".

Kisha të njëjtën moshë që ka im bir sot, kur vizitova për herë të parë një xhami e një kishë, e lexova se dhjetra të tilla ishin shembur nga komunizmi për t'ia lënë vendin depove ushtarake me armë sovjetike, tuneleve të nëndhenshme, bunkerëve e telave me gjëmba që kishin lidhur malet, qytetet, historinë shqiptare.

Im bir ka sot të njëjtën moshë timen, e dëgjon në telegiornale se mjaft armë sovjetike trafikohen ilegalisht nga Shqipëria në Itali prej kaq vitesh.

Kisha të njëjtën moshë që ka im bir sot, kur pashë gjyshërit e mi të shpërthejnë në një të qarë lirie, e me damarin e fryrë mbi ball e që nuk iu ul kurrë, më thanë; "duhet mos harru shprehjen tonë se do shkoj bari n'rronjë. Bari pa rronjë nuk rritet, ndërsa rronja pa barin po, e po s'u shkul do pjelli sa herë të mund barishte. Mos e lejo të bëhet bar!

Im bir ka sot të njëjtën moshë timen, kur dëgjon nga unë të njëjtën shprehje; "do shkoj bari n'rronjë".

Përballë tij, më duhet të përshkoj historinë e pashkruar shqiptare e t'i shpjegoj se si barishteve nuk ia shkulëm dot rrënjët e i lamë të bëhen pllaja.

Im bir ka të njëjtën moshë që kisha unë dikur, për të kuptuar se bari i keq helmon plehun e tokës, prish filizat e luleve, bimëve, pemëve, shtrembëron degët e cifton rrënjët e së keqes.

Si nëndetësja nën ujë që të gjithë e dinë se po noton e askush nuk e di se ku, barishtja e rrënjët shfaqen aty ku toka është më pjellore e shartohen me habitatin e së keqes.

Im bir ka të njëjtën moshë që kisha unë dikur, e kupton se bimët e sotme e rrënjët e djeshme të dikaturës, puqen me energji të rinovueshme që financohen me projekte fondesh të huaja, sic bëhet me klimën e ambientin.

Kisha të njëjtën moshë që ka im bir sot, kur mora në duar një palë pantallona burgu komunist, të arnuara me qime floku.

Im bir ka të njëjtën moshë që kisha unë dikur, e një palë pantallona të ngjashme ja ka parë veshur një ish të burgosuri politik shqiptar, ulur me dorën shtrirë në një qoshe rruge në qëndër të Romës.

Kisha të njëjtën moshë që ka im bir sot, kur pashë për herë të parë vilat e vjedhura ku kishte jetuar diktatori.

Im bir ka të njëjtën moshë që kisha unë dikur e shikon fotografitë e vilës së diktatorit që vazhdon të jetë e vjedhur, me projektin e rinovimit në fonde të huaja për t'ia trashëguar vjedhjen.
Kisha të njëjtën moshë që ka im bir sot kur më thanë "do shkoj bari n'rronjë".

Im bir ka të njëjtën moshë që kisha unë dikur e sot realizova kuptimin e kësaj proverbe urtësie tironse.

Hej o bir "do shkoj bari n'rronjë".

Jo mam ; "Quando le erbacce invadono un terreno vuol dire che il proprietario è assente" (kur barishtet (e keqja) pushtojnë një terrenin, do të thotë se pronari mungon).

E ke të drejtë, jeta ime!

Derisa prona mos t'i kthehet pronarit e drejtësia qytetarit, haku kriminelit e dinjiteti viktimës, bari i keq do bëj kërdinë e do vazhdoj të zhduk e të largoj nga vendi i origjinës filiza e rrënjë autoktone.

EMISIONET