Çdo jetë duhet të ketë dinjitetin që meriton

Çdo jetë duhet të ketë dinjitetin që meriton

Ka një jetë përtej çdo ngjarje, çdo konjukture, çdo momenti historik ose jo dhe ajo është jeta e njerëzve të çdo dite. Ajo garanton vazhdimin e historisë, si nënshtrati i një lumi që lejon ujin të rrjedhë.

Njerëzit e çdo dite që zgjohen në mëngjes për të shkuar në punë, që lodhen për t'u siguruar bukën familjeve të tyre. Janë të rinj që studjojnë, ose punojnë apo thurin ëndërra me ikje jashtë shtetit.

Janë të moshuarit që po llogarisin ditët që u kanë mbetur, të cilët orvaten midis zhgënjimeve të planeve të parealizuara dhe dëshirës për të jetuar ende ndonjë ditë, aq sa të shohin një nip apo mbesë të martuar e pse jo me një fëmijë.

Janë të sëmurët e spitaleve apo shtëpive tona që shpresojnë të shërohen ose të kenë sa më pak dhimbje.

Në agjendat e tyre këta njerëz të së përditshmes kanë të shënuar në çdo ditë të vitit vetëm dëshirën për të jetuar jetën e tyre. Dëshira e tyre është thjesht të jetojnë në paqe.

Sa herë më duhet të marr vendime të rëndësishme që kanë të bëjnë me njerëzit, mendoj gjithmonë se brenda çdo njeriu ka jetë, brenda së cilës mund të gjenden dhimbje, dëshira, ëndërra e vuajtje, gëzime, hidhërime dhe plagë. E ajo jetë kthehet në një tokë të shenjtë para të cilës duhet të heqësh këpucët.

Ndoshta nuk i kam shkaktuar unë ansnjërën prej tyre, por ndihem përgjegjës që çdo jetë të ketë dinjitetin që meriton.

Të jesh indiferent ndaj asaj energjie jete do të thotë ta plagosësh jetën. Në rrjedhën e saj ajo ka nevojë të dëgjohet sa herë rënkon e thërret për ndihmë. Për këtë nevojitën misionarë të jetës që e duan, e dëgjojnë dhe i shërbejnë asaj kudo e hasin, pasi brenda saj gjendet gjithçka që Zoti ka shkruar në kodin e saj gjenetik, gjenden gjurmët e Tij dhe Fryma e tij.

Duke i shërbyer jetës i shërbehet Hyjit!

Natë të qetë!

EMISIONET