Arsyet e ikjes së hasjanëve drejt Britanisë janë në Tiranë!

Arsyet e ikjes së hasjanëve drejt Britanisë janë në

Unë jam rritur me idenë se nëse ikën në Britaninë e Madhe do jesh dikushi, do kesh para, e punë për vete e për të mbajtur familjen.

Si një person i lindur në Has, jemi rritur me sytë nga Anglia.

Pothuajse çdo familje e atyre që njoh në Has, kanë minimum një person në Britaninë e Madhe, ku jeton e punon.

Shkollën fillore e kam kryer në fshatin tim Dobrunë, një zonë e cila vështirë që mund të ofrojnë një jetë normale, edhe po pate të ardhura.

Për të shkuar atje nuk ka rrugë, në dimër nuk ka asnjë makinë që të çon atje për shkak të rrugës.

Shkollën 9-vjeçare e kreva në fshatin pranë nesh, në Letaj, rreth një orë nga fshati im.

Shumicën e kohës ne shkonim këmbë në Shkollë për 4 vite rrjesht, sepse nuk kishim mundësi tjetër.

Në shkollën e mesme në Krumë, qëndrova në konvikt bashkë me 159 nxënës nga fshatrat e Hasit që nuk kishin mundësi të udhëtonin çdo ditë nga fshati në qytet për në shkollë.

Gjatë kohës së shkollës së mesme, unë të hënën merrja 500 lekë të vjeta nga familja për ti pasur për biletë vajtje-ardhje, të hënën dhe të premten kur kthehesha në shtëpi për fundjavë.

Kur sëmureshim në shumicën e rasteve duhet të gjenim lekë borgj, sepse në fshat nuk kishte Qendër Shëndetesore, e në qytet spitali nuk kishte pothuajse asgjë, ndaj duhet të shkonim në kukës.

Gjatë kësaj kohe në televizorët që I shikonim shumë pak, shfaqeshin rregullisht Sali Bersha, Ilir Meta, Fatos Nano e Edi Rama, teska flisnin për atë që bënin e atë që donin të bënin në Shqipëri, projekte që askush në ato zona nuk e ndjente veten të përfshirë.

Nuk po shkruaj për të treguar vuajtjet e mija, por sepse vuajtjet e mija, janë vuajtjet e çdo djali dhe vajze të brezit tim, të brezit që sot në vitin 2022 nuk gjen asnjë arsye pse duhet të qëndruar në këtë vend.

Para disa vitesh në Durrës erdhi një I afërmi im nga Hasi, atë kohë sapo kishte mbaruar shkollën 9-vjeçare, dhe donte të vijonte shkollën e mesme profesionale “Olsi Lasko” në Durrës.

E filloj dhe e mbaroj!

Ai tanimë kishte një profesion, nuk ishte thjesht një student me një diplomë në xhep që si hynte në punë askujt.

Ishte një student që mbaroj shkollën profesionale për eletro-teknikë, pra një profesion të mirë.

Për muaj të tërë shkoi nga një zyrë në tjetrën për të gjetur një punë, që fatkeqësisht nuk e gjeti kurrë.

Nga fillimi i shtatorit, më lajmëron që ka vendosur që të ikë në Angli me Gomone.

Kishte gjetur lekët borxh, sepse duhet të shpëtonte nga ky vend që për të ishte kthyer në një makth.

Shkova në Has disa herë muajt e fundit, rruga për në fshatin tim vijon të jetë një dramë për banorët ,të cilët prej 30 vitesh vijojnë të apelojnë institucionet për ta rregulluar atë.

Shkolla ku kisha kryer filloren, pothuajse është duke u rrënuar, askush nuk ka vënë dorë në të.

Në shkollën ku kam kryer 9 vjeçaren, është pothuajse duke u boshatisur, nuk ka më nxënës.

Në Konvikt që dikur ishim 160 persona nga fshatrat e Hasit, këtë javë ishin vetëm 50, pra 1/3 e atyre që ishim në 2013.

Në Has, bashkia thotë se kanë ikur nga zona për 3 muaj, 30 % e banorëve.

Rrugët e vjetra të qytetit janë bosh,pak njerëz lëvizin gjatë ditës, gjithkush flet për ikjen, për Anglinë, për pritjen në brigjet e francës.

Ndërkohë që në Has shtëpitë po mbeten pa njerëz, shkollat pa nxënës, rrugët pa të rinj, e tokat pa punuar, këtu në qendrën e vendit në Tiranë “luhet politika e madhe”.

Shajnë, fyejnë, gënjejnë, nuk thonë asgjë veçse atë që kanë thënë për 30 vitet e fundit, ironike!

Janë po të njëjtit njerëz që kanë dominuar jetën politike këto 20 vitet e fundit!

Flasin të gjithë, mundohen të gjejnë arsye pse ikin shqiptarët.

Serjozisht?

Pse ikin shqiptarët!

Nuk është një pyetje e thjeshtë, por as e vështirë; Por me siguri që nuk është për shkak të mrekullisë së hapjes së kufijve.

Arsyet i keni në Has. Shkoni atje, flisni me njerëz, pyesni, rrini atje 2 ditë, pini nëj kafe me të moshuarit në kafenetë e fshatit të boshatisur, veç ju lutem bëhuni dëgjues të mirë, sepse ata njerëz kanë shumë për të folur, shumë.

EMISIONET