Apartamenti në Bulevardin "Stalip"

Apartamenti në Bulevardin "Stalip"

Të shkruash për Petro Markon dhe djalin tij Jamarbër Marko, aq më tepër kur nuk i ke njohur dhe nuk i ke takuar kurrë, është tepër e vështirë.

Unë i "takova" keto ditë ata!! I kam njohur vetëm përmes letërsisë së tyre më parë. Me Petro Markon takimin e parë e kam që në adoleshencë me librin e tij “ Hasta la Vista” një nga mrekullitë e letërsisë shqipe, për të përfunduar me librin tjetër të tịj që padyshim do të ngelet në Panteonin e Letrave Shqipe, “Retë dhe Gurët, Intervistë me vetveten” Ndërsa me Jamarbërin, e kjo do të thotë me poezinë e tij, unë jam njohur vonë pasi poezia e Madus, gjatë rregjimit diktatorial ishte poezi ilegale që lexohej vetëm nga miqtë e tị të ngushtë, të cilat u botuan pas viteve 90’ si libri “Rastësisht me dashje”.

Tek ngjisja shkallët e pallatit të kohes së komunizmit, që në atë kohë quhej Bulevardi Stalin e sot Bulevardi Zogu i parë, për në apartamentin e familjes Marko, i rrënuar tashmë si një dëshmi e regjimit komunist dhe vuajtjeve të familjes Marko, si shumë familje te tjera shqiptare që u persekutuan gjatë regjimit komunist në emër te doktrinës staliniste, hijet e tyre mu çfaqën nëpër ato shkallë.

Jamarbëri duke zbritur i arrestuar nga njerëzit e Sigurimit më 7 gusht 1975 në ora 12 të natës. Petro duke zbritur me trastat ngarkua në mes dimrit me një pardesy fesh-fëshe dhe cigaren në buzë për të shkuar tek i biri në burgun e Spaçit me ndonjë kamion të rastit në karroceri.

Luftëtari i Spanjës, i interrnuar nga italianët në burgun famēkeq të Ustikës, një ishull në Palermo, i burgosur nga komunistët në 1946, i ishte hequr e drejta e botimit dhe së fundi i kishin arrestuar djalin si njeri që ishte antikonformist dhe kundër regjimit. Ja si e përshkruan Petro Marko këtë moment në librin e tij, “Retë dhe Gurët” faqe 529:

“ Më 7 gust 1975, në orën 12:OO të natës më arrestuan djalin në shtëpi. Pasi i vunë prangat djalit dhe e morën nuk lanë gjë pa kontrolluar. Arrestimi djalit ishte gjëja më e rëndë e jetës sime.
… Mbas pesë muajsh hetuesi, më 31 dhjetor 1975 u dha vendimi i gjygjit: 6 vjet heqje lirie për agjitacion e propogandë. Në takimin e parë me djalin, përpara se të nisej në Spaç, takim mes dy palë hekurash mes nesh, ai ishte jashtë mase i tronditur, i verdhë, i ënjetur i deformuar. Ne e pyesnim dhe ai heshtte. Shqiptoi vetëm disa fjalë të pakuptimta për ne: “Jam këtu për të dytin”. Nuk mund t’i harroj udhëtimet në Spaç hipur në karroceritë e kamionëve, në mes të dimrit, në ato male të ashpëra ku të grinte veriu.
Unë me një pardesy fesh-fëshe. Në këto rrugë mora shumë herë bronkopneumony, e cila më shkaktoi këtë emfizemë që po më merr jetën tani.”

Siç e përshkruan Petro Marko në librin e tij, nuk mund të besoja se këto shkallë dhe ai apartament ku po bëhesha gati te trokisja, ishin dëshmi e një trajtimi mizor nga regjimi të një familje artistësh, dy shkrimtarë at e bir, the dy piktore nënë e bij.

Hapat po më ngjisnin drejtë apartamentit në katin e dytë të familjes Marko. Nga këto shkallë zbriti për herë të fundit trupi i pajetë i stoikut të Luftës së Spanjës dhe diktaturës së Enver Hoxhës drejtë brigjeve të detit Jon, aty ku lindi dhe u rrit sipas amanetit të tij që të pushonte përjetsisht i përkëdhelur nga valët e Jonit. E la amanet që mos t'i kushtohej asnjë lloj ceremonie nga institucionet qeveritare apo Lidhja e Shkrimtarëve apo çfarëdo lloj tjetër ceremonie. Ashtu si në jetë eci vetëm dhe në të përtejshmen jetë kërkoi të shkonte vetëm.

Kalia, mikja ime e hershme, e atyre viteve ku miqësia ishte shpirtërore më mundësoi vizitën në apartamentin e familjes Marko, ku tani ka mbetur vetëm Nita, vajza.

Nita na hapi derën e shtëpisë. Sapo hyra në koridor më pushtoi një emocion dhe lotët me rrodhën të papërmbajtshme kur pashë rreth e rrotull gjithë jetën e tyre në vuajtje kafshërore nga regjimi "varur" nëpër muret e shtëpisë.

Një pasuri e papërshkrushme a letrave në sirtaret e bibliotekës në muret akoma të lagështa e te mykura. Një bisedë rrënqethëse ku do të doja të rrija të dëgjoja pafund ç'ka Nita më tregonte me atë modesti ku në asnjë çast nuk foli për talentet e tyre apo veprat e tyre qe bota do i kishte zili, sa për një çast më erdhi një neveri për të gjithë ata që thurin lavdira vetes së tyre pa asnjë meritë, por që nuk janë asgje tjetër vetëm mbeturinat e kesaj shoqerie, të cilët nuk kanë bërë asgje tjetër veçse vjedhjes dhe përfitimit në emër të idealizmit të rremë!

Historitë e Petros, shkrimet e tij, dorëshkrimet e para te Jamarbërit ( Madus) siç i thërrisnin e gjithë shoqëria. Korespondecat e Madus nga burgu me të Atin Petron dhe Nitën të motrën. Në një moment na kapi e qeshura kur Nita tregonte se si Madu, adresën Bulevardi Stalin e shkruante “gabim” Stali(p) për t’u tallur dhe qeshëm me sarkazmën e hollë që bënte Madu në talljet me regjimin.

Ky apartament nuk është thjeshtë një apartament i rrënuar i kohës së komunizmit. Ky apartament është një histori e vlefshme e letërsisë dhe artit të Shqipërisë që bëri art me zemër duke mos u konformuar me të keqen, por duke i rezistuar asaj me rezistencë duke mos e lyer penën me bojën e zezë për të zbardhur regjimin më të zi, siç bënë shumë shkrimtarë dhe artiste të Shqipërisë. Madu vetëm 17 vjeç, që vertetohet nga dorëshkrimet e tij, shkruajti vargjet kundër regjimit.

Ky apartament duket sikur flasin muret, për disidencën edhe për faktin, se ky apartament është ashtu siç ka qenë, me ato rafte dhe pllaka e mure të lagështa që denoncon më fuqishëm regjimin dje dhe këtë sot që ngrenë kulla e kështjella xhami për shkrimtarët që lyen penën me të zezë për ti thurur lavdi regjimit diktatorial dhe diktatorit.

Në fund ajo më tha: se këtë bisedë e bënte shumë rrallë, ku dhe me lumturoi me pranimin të bënte një foto me mua të cilën nuk e kishte bërë kurrë më parë, pasi dëshpërimi dhe mosbesimi, zhgënjimi ja kishin bërë zëmrën copë!

Të shkruash për historinë dhe kalvarin e kësaj familje Artistësh do të duheshin ditë e javë, por unë nuk jam personi i duhur që do isha në gjëndje ta bëja këtë, por, me modestin time dhe dëshirën e madhe, respektin që më bëri me pritjen e saj, Nita, ndjej të shkruaj këto rreshta për të shprehur mirënjohjen time dhe dashurinë e madhe për këtë familje, që për mua, janë vlerë e shoqerisë letrave dhe artit shqiptar. Një shëmbull i dinjitet njerëzor që kurrë nuk j'u nënshtruan të keqes më te madhe, siç ishte ajo e regjimit më të egër komunist.

Çdo hap që hodha në këtë shtëpi ishte një emocion rrënqethës, çdo cep muri një galeri që bota i ruan dhe i mirëmban me kujdes. Çdo fotografi një histori, çdo objekt një vuajtje dhe çdo tregim i Nites një roman më vete.

Falenderoj miken time të shtrenjt Kalia Musha që ma mundësoi takimin me të, e cila është një nga miket e zemrës dhe të besuara të kësaj familje, shkrimtar, poet , piktore, një familje me katër antarë idealist që shoqerisë shqiptare i kanë munguar, i mungojnë dhe po i rrallohen çdo ditë.

Poezi e Jamarbër Markos nga libri “Rastësisht me dashje”.

Kërkoj
Në këto gjethe të thara
Ca liri.
Kërkoj në këto dete të tmerrshëm
Ca liri.
Pranë meje kalonin gjurmët e mija.

Poezi e Petro Markos

Rrëmbem; o dallgë e bukur, si pirati
dhe më bashko me kapedanë trima
zemër-delfina të shpejtë vetëtima.
Të kull’ e jetës, ku na shkruhet fati.
Të derdhemi, o dallgë, e ta hedhim në erë!
Të shoh edhe unë-edhe ne pranverë.

EMISIONET