Aleksander Vuçiç dhe dy jeniçerët e shpërblyer nga sulltani

Aleksander Vuçiç dhe dy jeniçerët e shpërblyer

Shpërbërja e Jugosllavisë ishte procesi më i dhimbshëm dhe i përgjakur i historisë moderne të Europës pas Luftës së Dytë Botërore. Perëndimi, përfaqësues i vlerave dhe parimeve demokratike, kampioni i mbrojtjes së lirive dhe të drejtave të popujve, nuk mund të toleronte dhunën, vrasjet dhe genocidin e nacionalizmit serb ushtruar ndaj nacionaliteteve të ndryshme etnike si boshnjakët, kroatët dhe shqiptarët.

Ndëshkimi i Serbisë ishte i rreptë, por jo i padrejtë. U dënuan kriminelët por jo nacionalistët që kërkonin shpagim për hakmarrje për cdo jetë serbi vrasjen e 100 myslimanëve. Menjëherë pas luftës Perëndimi donte paqe, mirëqënie, rindërtimin e rajonit me vlerat europiane. Me miliarda dollarë ishin investimet perëndimore dhe ndihma e BE, të gjithë të angazhuar për Paktin e Stabilitetit për Ballkanin. Jo vetëm ndihmë por edhe integrim. Integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian duhet të përfshinte dhe Serbinë pasi regjimi i Milloshevicit kishte rënë.

Idenë e tregut rajonal e hodhi George Soros në vitin 2000, por edhe Soros këtë inisiativë e shikonte si nismë europiane që duhet mbikqyrur dhe ndihmuar nga BE. Të shumta që nga ajo kohë kanë qenë inisiativat europiane për integrimin rajonal, por Ballkani Perëndimor nuk arrinte të shkëputej dot nga e kaluara për të kapur momentin.

20 vite më vonë humbësi i madh i viteve 2000, Aleksander Vuçiç, bëhet protagonist i një iniciative të re ‘Ballkani i Hapur’ jashtë tutelës europiane por ‘duke ruajtur vlerat europiane’. Një Serbi e rindërtuar nga Europa, por e lodhur nga standartet europiane dhe kufizimet e perëndimit që nuk i lejonin rikthimin e projektit të vjetër serb të dominimit të Ballkanit.

Për Serbinë, detyrimi për njohjen e Kosovës si shtet i pavarur nuk mund të bëhet pa një kompensim në interesin e saj: ndarjen e Kosovës, rishikimin gjeopolitik të hapësirave të Ballkanit në linja të pastra etnike drejt Serbisë së Madhe ose lidershipi i saj në një inisiativë ballkanike si Minishengeni për të dominuar ekonomikisht Ballkanin Perëndimor. Nëpërmjet Mini-Shengenit si inisiativë selektive, përjashtuese, që nuk njeh sovranitetin e një shteti si Kosova dhe punon kundër interesave të Malit të Zi dhe Bosnjës, të cilat i shikon në perspektivë si hapësira natyrale të Serbisë, ajo kërkon t’i bëjë presion BE-së dhe Perëndimit për lëshim.

Arkitekti Vuçiç, i cili alternativën europiane e shikon si një alternativë me kushtet serbe, ka sigurinë e përkrahjes së fuqive jo europiane si Rusia dhe Kina. Sot Serbia është bërë gjithmonë e më shumë një vend satelit i interesave të Kinës dhe Rusisë. Në qoftë se Kina dominon me investime, Rusia është shtrirë në të gjitha hapësirat strategjike të Serbisë që nga gazi, nafta, hekurudhat, infrastruktura, e deri në armatime dhe qendra aktive informacioni. Rusia e ka bërë Serbinë pjesë të inciativës së saj të Euro-Azisë duke shkelur rregullat e BE-së për tregjet europiane.

Atëherë pse Vuçiç, përfaqësues i nacionalizmit serb, i dedikuar për të përgatitur ushtrinë për të mbrojtur ‘hapësirat serbe’, që nuk guxon të kërkojë falje për krimet e kaluara për të ndërtuar besimin për të ardhmen midis shteteve, papritur avancon me një inisiativë ‘europianiste për katër liritë kryesore’ për të bërë në Ballkan atë që Europa është e vonuar për ta bërë? Si është e mundur që ai është frymëzuesi i shtetit paralel në Bosnjë dhe Kosovë, frymëzues i heshtur i grushtit të shtetit në Malin e Zi, regjimi i të cilit i denigron qytetarët shqiptarë të Kosovës të heqin targat e makinave dhe të deformojnë identitetin për të lëvizur të lirë, entuziazmohet aq shumë sa tani ‘do të lëvizim të lirë pa kontroll nga Beogradi në Tiranë?

Që inisiativa e MiniShengenit është vepër e Aleksandër Vuçiç këtë e ka pranuar vetë ai. Që përkrahet nga qarqe të caktuara perëndimore për të gjetur një zgjidhje kompromisi me Serbinë apo interesa okulte financiare ekonomike edhe kjo nuk ka diskutim. Por kjo iniciativë nuk do të kishte sukses në qoftë se Vuçiç nuk do të gjente si partner Edi Ramën në Tiranë, pavarësisht se klasa politike në Tiranë nuk është dakort për një iniciativë që anashkalon Kosovën dhe të drejtën e saj sovrane si e barabartë në tryezën ballkanike.

Pompimi i zotit Rama si lider global me ide të hapura, angazhimi i tij në një inisiativë ‘europiane’ të krijimit të boshtit Beograd-Tiranë si boshtin Gjermani-Francë, mbushja e mendjes së liderit shqiptar ‘se me këto iniciativa do të bëhen faktorë përcaktues të stabilitetit ballkanik (në mënyrën më të thjeshtë që Rama do të kishte një pushtet të pakufizuar) bënë të mundur që arkitekti i talentuar Vuçiç të bashkëpunonte me bojaxhiun shqiptar Rama që do ta shiste inisiativën e tyre me ngjyra të ndezura europiane.

Inisiativa Rama-Vuçiç-Zaev është një inisiativë që afirmon interesat serbe në Ballkan e mbështetur në dy paterica të mjera ballkanike që kërkojnë ta mbajnë në këmbë. I humburi i madh në të janë shqiptarët, të cilët ekzaktësisht 108 vite më parë më 29 korrik, u coptuan në pjesë nga fuqitë e mëdha në favor të Serbisë, por kësaj here me përfaqësuesit e saj që e përdorin politikën për lavdi personale. Atë që mund të humbasin shqiptarët është perspektiva e tyre europiane. Gabime të tilla nuk justifikohen me padije apo interesa personale. Historia e popullit do t’i gjykojë ashpër.

EMISIONET