Albin Kurtin, edhe po të mos ishte, duhet ta krijonim

Albin Kurtin, edhe po të mos ishte, duhet ta krijonim

Zgjedhjet administrative në Kosovë dhanë një shembull të pastër të funksionimit të demokracisë në Ballkan. Ishte një shembull qytetarie dhe përgjegjshmërie e popullit të Kosovës për të konsoliduar shtetin e tyre të së drejtës dhe afrimit të Republikës së Kosovës me vlerat dhe parimet perëndimore.

Dhe ky realitet i dukshëm shfaqet hapur në një rajon problematik që vuan nga fenomene negative të kapjes së shtetit, korrupsionit, klientelizmit dhe statusi i demokracisë po shket gjithmonë e më shumë në sisteme hibride.

Qeveria e Kurtit bëri një fushatë modeste, pa shpenzime dhe pa përdorur makinerinë qeveritare për të deformuar vullnetin e popullit sovran. Sigurisht këto nuk ishin zgjedhje politike dhe qytetari duhet të ishte i lirë të zgjidhte përfaqësuesin më të mirë për të zgjidhur problemet e tij të përditshme dhe perspektivën e komunave të tyre.

Ndarja e votave midis partive kryesore do të ishte një test jo vetëm për funksionimin e tyre por dhe për të kthyer atë balancë të nevojshme pushteti, mungesa e të cilës krijon premisa për rritjen e regjimeve autokratike të pakontrolluara.

Por reagimi i partive kryesore opozitare u projektua si një humbje e madhe e Lëvizjes Vetë-Vendosje dhe liderit të saj Kurti. Çdo krahasim u bë me fitoren plebishitare të Vetë-Vendosjes në 14 shkurt 2021, kur opinioni publik në Kosovë zgjodhi me zgjuarsi një lidership politik, në të cilin shikonte përfaqësim me dinjitet dhe integritet të plotë të Republikës së Kosovës në një moment të rëndësishëm të së ardhmes së tyre.

Zgjedhja e lidershipit të ri Osmani-Kurti ishte një ndëshkim ndaj klasës politike, ndaj aferave të tyre korruptive, nepotizmit, klientelizmit si dhe mbajtjes së pushtetit brenda interesave të tyre të ngushta duke krijuar mazhoranca numerike. Për më shumë, opinioni publik reagoi ndaj skemave të padrejta për rrëzimin e qeverisë Kurti 1, si dhe paaftësisë, naivitetit dhe guximit të munguar të grupimeve politike tradicionale për të qëndruar me zgjidhje dinjitoze përpara ekspansionit të ri të nacionalizmit serb për të rritur dominimin e tij në Ballkan.  

Nacionalistët e rinj serbë, të përkëdhelurit e Europës me qëllim për tu afruar me perëndimin, kërkonin një çmim për tu integruar, çmim ky që duhet të kalonte në një zgjidhje të re për Kosovën: - ose ndarjen e re të kufijve si precedent për krijimin e Serbisë së Madhe ose Ballkanin e Hapur për dominimin serb të rajonit. Për tu dukur si jo-nacionalistë ata krijuan marrëdhënie të veçanta me regjimin e zotit Rama, që Perëndimi të mendonte se ata nuk kishin diçka ndaj shqiptarëve, por përkundrazi donin të stabilizonin Ballkanin duke fuqizuar aksin Beograd-Tiranë.

Ata nuk do të njihnin Kosovën por shqiptarët e Kosovës ishin të lirë të bashkoheshin rreth Tiranës së bashku me hapësirat e tjera shqipfolëse të Ballkanit Perëndimor. Vetë Ballkani i Hapur ishte rikthimi i Jugosllavisë së re, ku vendin e Kroacisë do ta zinte Shqipëria dhe motori i zhvillimit do të ishin bashkërendimi i nacionalizmit serb me atë shqiptar. Eksperienca e kaluar ishte e dhimbshme dhe ka treguar që nacionalizmi primitiv serb ka mbetur i pakontrollueshëm, për më tepër kur ai vepron i përkrahur nga nacionalizmi rus.

Realizimi i këtyre skenarëve është produkt jo vetëm i dëshirave të Serbisë por të një mekanizmi të gjerë propagandistik, të një lobimi të fuqishëm në perëndim dhe të gjetjes së disa avokatëve perëndimore që për interesat e tyre po përpiqeshin ta paraqisnin si zgjidhjen e vetme realiste për stabilitet në rajon.

Dukej që kjo zgjidhje shikohej si një oportunitet dhe nga një pjesë e elitës politike të vjetër në Kosovë, e cila duke vuajtur nga sindroma e Stokholmit (dashuria për dhunuesin) pranonte një zgjidhje të tillë kompromisi.

Por kjo elitë asnjëherë nuk doli hapur për të pranuar këtë gjë, por u fsheh në propagandën që këtë zgjidhje e kërkojnë amerikanët, këtë zgjidhje duhet ta pranojmë se na shmang luftën, se Serbia është bërë një fuqi e konsiderueshme dhe ne duhet të pranojmë realitetin. Përpjekjet e vetme të kryeministrit Haradinaj për të ndaluar këtë projekt ishin heroike por të pamjaftueshme. Prandaj mençuria e popullit të Kosovës dha një përkrahje pa kufi për Osmani-Kurtin në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Dhe kjo udhëheqje nuk zhgënjen. Në Bruksel ne pamë përfaqësuesit tanë të barabartë dhe me dinjitet në bisedimet me Serbinë, duke e vënë vetë zotin Vucic në një pozicion të vështirë dhe shpesh pa argument.

Parimi i reciprocitetit u zbatua në marrëveshjen për targat e makinave, dhe situata e krijuar nuk ishte rezultat i provokimit të zotit Kurti, por e veprimeve të nacionalistëve serbo-rus për të testuar reagimin e SHBA-së pas tërheqjes nga Afganistani, sesi do të reagonte në Kosovë.

Por arritja më e rëndësishme e zgjedhjeve të 14 shkurtit ishte ndërgjegjësimi i komunitetit ndërkombëtar se në Republikën e Kosovës ka një unitet të fortë për çështjen kombëtare dhe asnjë projekt kompromisi nuk mund të kalojë pa konsideruar mendimin e tyre. Dalja e qeverisë Kurti II e trembi Vuçiçin nga përkrahja e madhe për të.

Vetë zhbërja e fitores së 14 shkurtit është një fitore për nacionalistët serbë dhe pasuesit e tyre kudo që veprojnë. Edhe sikur të mos ekzistonte Albin Kurti ne duhet ta kishim krijuar një të tillë përkrahje jo për të sunduar por për ti shërbyer çështjes kombëtare./OraNews/ 

EMISIONET