Pasojat e seksualizimit të debatit publik

Pasojat e seksualizimit të debatit publik

Kaosi që ka mbërthyer konceptin e sotëm për familjen dhe nxjerrja në pah e seksualizmit në gjithë komunikimin e gjithanshëm, ka sjellë pështjellime jo të vogla në përditshmërinë e shoqërisë sonë. Sipas një prej vëzhgueseve më të mprehta të këtij kaosi, akademikes dhe profesoreshës në “Filadelfia University”, Camille Paglia, çështja ndërlikohet edhe për shkakun se shumica e popullatës nuk e ka të lehtë të rrokë gjithë këtë proces, pasi gjithçka rreth këtij kaosi të familjes dhe të seksualizimit të sferës publike bëhet në emër të vlerave, kulturës dhe në emër të lirisë.

Paglia, në librin e saj mjaft polemizues “Personae seksuale”, vëren me kujdes se agresiviteti, sadizmi, përgjimi pervers i jetës së tjetrit dhe zëvendësimi i erosit me seksualen, po rrezikojnë që në rrënjë familjen e njëkohësisht po zhvendosin negativisht debatin mbi mënyrën e të kuptuarit të tjetrit. Paglia sheh me rrezik heqjen e vazhdueshme të kufijve mes gjinive mashkull-femër. Sipas saj, ky zvogëlim apo devijim kufijsh, e sidomos zhbërja e përditshme e figurës së mashkullit, është njëkohësisht pasqyra e shtrembëruar e debatit të sotëm në të gjitha shoqëritë. 

“Arsimimi parashkollor është një mjerim. Është shtypës për gjithkënd me energji fizike, posaçërisht djemtë”, shkruante Paglia që në vitet ’80, në një kohë që kjo humnerë që ajo konstatonte sot është zmadhuar edhe më shumë për shkak të përdorimit të gjithanshëm të mjeteve elektronike. Shqetësimi i saj është ngritur më pas edhe nga dhjetëra studime psikologjike e sociologjike të mjaft akademikëve që kritikojnë mungesën e kreativitetit në shkollat e sotme.

Por, a ka në Shqipëri debate lidhur me pasojat e seksualizimit të çdo fushe të jetës, e sidomos kthimit të pamjes së femrave vetëm si objekt dëshirash? A kujdesemi ne për modelin e sotëm shkollor e sidomos për nevojshmërinë e kreativitetit te fëmijët? A ka sot studime për shkollat shqiptare se në çfarë orientimi psikologjik i dërgojmë fëmijët me komunikimin e sotëm dhe me spektaklin dhe seksualizimin e gjithanshëm? 

Në një kohë ku familja është sot në një krizë shumëdimensionale, ku numri i divorceve dhe dhunës është vetëm në shtim, çështja e këtij debati duhet të paraprinte formulimin e teksteve dhe metodikës mësimore e jo të kishim çështje kryesore se kush do i shtypë librat dhe sesi do shiten ato. Marrja e disa teksteve të gatshme nga kultura të tjera për shkollat shqiptare, pa studiuar rrethanat e shoqërisë së sotme e duke shpërfillur traditën shqiptare, ndikojnë në krijimin e një fëmijërie të pasigurtë e më pas edhe një rinie të dyzuar. E gjendur edhe përballë agresivitetit dhe amorales, e sidomos nevojë për t’iu shmangur anonimatit, rinia e sotme rrezikon të jetë e stolisur vetëm nevoja për spektakël që sjell edhe këtë denatyrimi të vazhdueshëm.

Dhe përballë këtij kaosi, ku debati nuk synon më të vërtetën, por krijimin e një realiteti të ri që bazohet mbi spektakël, a mund të presim që gjërat të rregullohen vetë? “Nëse mbyllim sytë dhe veshët me duar, nuk do të thotë se kemi ndalur kohën, e aq më pak të keqen…”, shkruan shkrimtari i njohur japonez Haruki Murakami në romanin e tij “Kafka në breg”. 

Ai përshkruan për zhytjen në detin e së keqes të të gjithë atyre që i mbyllin sytë me shpresën se gjithçka kalon pa pasur nevojë që ata vetë të bëjnë diçka. 

Është një përshkrim kundër njeriut vëzhgues, që nuk guxon, që shtrihet në shtratin e frikës, që mbulohet me një mbulesë ëndërrimesh me shpresën se e keqja ka thjesht një rrugë të shkurtër dhe se atë “nuk e njeh”. 

Por heshtja me atë që po ndodh me fëmijët është një vulë e një krize më të madhe për nesër, nëse ne nuk do të zgjohemi e të debatojmë hapur, duke nisur nga guximi për t’i thënë më së paku se çfarë ka ndodhur në këtë vend.

EMISIONET