Autoritetet policore italiane në bashkëpunim me Xhandarmërinë franceze kanë ekzekutuar mëngjesin e sotëm një operacion të përbashkët të koduar “Ponente forever”, i cili ka çuar në 46 masa ndalimi e sekuestrimin e një pasurie me vlerë mbi 900 mijë euro.

Personat e ndaluar akuzohen për trafik droge, trafik armësh, riciklim e favorizim në fshehjen e një bosi të mafias  së Ndranghetas i kërkuar nga drejtësia dhe të një narkotrafikanti francez në lidhje me një familje mafioze kalabreze me banim në Costa Azurrën franceze.

Hetimet policore në dy shtete kanë zbardhur një rrjet trafiku droge e armësh mes Italisë, Francës, Belgjikës dhe Hollandës. Janë dokumentuar shitje e blerje droge e çdo tipi e armësh lufte të tipit  Scorpion e AK 47 kallashnikov.

Mes trafikantëve të drogës është identifikuar një grup trafikantësh shqiptarë që i furnizonin në sasi të madhe kokaine e për llogari të mafias kalabreze Ndrangheta. Autoritetet policore kanë zbardhur se bosi i kërkuar nga drejtësia italiane,  Carmelo Sigro ka udhëtuar vetë drejt Francës për të marrë në dorëzim 11 kg kokainë të furnizuar nga grupi i shqiptarëve.