Një ndjekje policore në rrugën Salone, në një zonë periferike në lindje të Romës, përfundoi në tragjedi.
Një vajzë 14-vjeçare vdiq pasi makina në të cilën ndodhej u godit nga një patrullë e policisë rrugore.
E mitura ishte në makinë me prindërit e saj, të cilët gjithashtu u plagosën rëndë. Dy policë gjithashtu u shtruan në spital.
Operacioni policor kishte nisur pas raportit të një grabitjeje në Tivoli. Makina me autorët doli nga rruga në kryqëzimin e rrugës Salone.
Sipas rindërtimit të ngjarjes,në rrugën Salone pranë një kthesë patrulla e policisë rrugore humbi kontrollin dhe u përplas ballë për ballë me makinën në të cilën udhëtonin vajza dhe familja e saj.
Makina e grabitësve u gjet më vonë e braktisur në A24. Policia vijon kërkimet për gjetjen dhe kapjen e tyre.
Prokuroria Publike ka nisur një hetim për aksidentin. Prokurori që ka marrë në dorë çështjen urdhëroi hetime për të rindërtuar dinamikën e aksidentit që përfshiu makinën e policisë rrugore që ishte e angazhuar në ndjekjen e një makine.