Tetë pako heroinë me peshë totale 4 kg është sekuestruar në kuadër të një operacioni të koduar “Kështjella”

Droga u gjet në një furgon që transportonte lëndë drusore, në aksin rrugor Elbasan-Metalurgji.

Përmes një njoftimi policia informon se operacioni vijon në Elbasan dhe në disa qytete të tjera

Deri më tani flitet për të paktën 5 persona të arrestuar. Ora News ka mësuar emrat e tyre: Hazis Musai, Xhulio Musai, Danjel Xheliaj, Gëzim Balla dhe Endri Karaj.

Kamioni i ardhur nga Turqia

Lënda narkotike mësohet se ishte fshehur në kamionin që ka mbërritur nga Turqia në Shqipëri ndërsa më pas kishte destinacion shtetin Grek.

Si rezultat i këtij operacioni, në aksin rrugor Elbasan-Metalurgji, në një furgon që transportonte lëndë drusore, që drejtohej nga shtetasi G. B., 46 vjeç, banues në Elbasan, i cili është arrestuar në flagrancë, Policia gjeti dhe sekuestroi 8 pako me lëndë narkotike të dyshuar heroinë me peshë totale 4 kilogramë e 215 gramë heroinë dhe një sasi kanabisi” informon policia.

Aksioni i policisë është drejtuar nga prokurori i Elbasanit Kreshnik Ajazi dhe kryepolici Alket Shatro.

Në kuadër të operacionit janë arrestuar edhe disa persona të tjerë që dyshohet se kanë lidhje me këtë veprimtari kriminale” thuhet në njoftimin e sotëm të policisë.

Dyshimet per pazaret
Dyshimet e hetuesve janë se pazaret e drogës bëheshin në qytetin e Elbasanit, ndaj kërkimet vijojnë për arrestimin dhe të personave të tjerë të cilët dyshohet të jenë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.

Hetimet për zbulimin e grupit të trafikut të drogave të forta ka nisur prej një muaji nga autoritet e Elbsanit, për të mbërritur deri tek finalizimi  të enjten.

Mësohet se bashkë me kamionin ku ishte fshehur lënda narkotike policia ka ndaluar edhe një automjet tjetër që lëvizte para tij pasi mesa duket organizatorët e aktivitetit kriminal kanë dashur të mbajnë nën kontroll transportimin e heroinës.

Droga dyshohet se vinte nga Turqia dhe si destinacion final kishte Greqinë.