Ish-ministria e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, është thirrur dhe ka dëshmuar në prokurorinë e Posaçme SPAK, për dy tendera që kanë të bëjnë me blerjen e 100 mijë maskave për efektivët e Forcave të Ushtrisë dhe blerjen e ushqimeve për familjet në nevojë gjatë periudhës së karantinës.

“Ora news”, mëson se dëshmia e Xhaçkës, është administruar gjatë muajit dhjetor 2020, ku në prani të një oficeri dhe prokurori, ish-ministria e Mbrojtjes, ka dhënë sqarime për të dy tenderat.

Xhaçka ka treguar se ndryshimet e kriterit të tenderit të parë për blerjen e maskave për forcat e ushtrisë, janë kryer për shkak se ushtria shqiptare, gjatë vitit 2020 mori 200 mijë maska dhuratë nga një vend mik dhe strategjik i Shqipërisë. Sipas ministres, tenderi fillimisht është hapur për blerjen e 300 mijë maskave, por më pas ky kriter është reduktuar në blerjen e 100 mijë maskave, pasi shkak ka qenë sigurimi i sasisë prej 200 mijë maskave në formë dhurate nga një vend mik.

Kemi bërë këtë ndryshim për shkak se maskat do na ngeleshin stok, nëse do blinim sasinë prej 300 mijë maska. Me këtë ndryshim jo vetëm që kemi shmangur krijimin e stokut, por edhe kemi menaxhuar buxhetin financiar, ku shpenzimet që do bëheshin për blerjen e këtij produkti, i kemi përdorur për fondit e emergjencës” ka pohuar Olta Xhaçka.

Prokurorët e SPAK, kanë pyetur ish-ministren e Mbrojtjes edhe për tenderin 1.5 milionë euro të ushqimeve, që iu dha “EUROVIA” një kompanie nga Maqedonia e Veriut, e cila vetëm 6 ditë para tenderit, kishte shtuar në listën e saj të aktivitetit edhe tregtinë e ushqimeve.

Të dyja kallëzimet e depozituara në SPAK nga Partia Demokratike, janë bashkuar në një të vetëm për 6 vepra penale si: “Korrupsion aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë”, “Shpërdorimit të detyrës”, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tenderë apo ankande publike”, “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore”.

Ndërsa vetë Olta Xhaçka, i quajti akuzat e opozitës rivënie në skenë të versionit më të fundit të “Babales”.